Çrregullimet gjuhësore të fëmijëve përfshijnë një gamë të gjerë problematikash gjuhësore, si defektet e shqiptimit apo fonemat, defektet e artikulimit të fjalëve, vonesat gjuhësore apo dhe i folur i pazhvilluar. Se çfarë janë ato, si duhet ti kuptojnë prindërit dhe kur duhet t’i drejtoheni mjekut specialist logoped, për MeMjekun.com flet doktoresha logopede Gentiana Sinaj.
Çfarë duhet të kuptojmë me çrregullime gjuhësore të fëmjës dhe kur mund të identifikohet, pasi ndodh shpesh që prindërit i neglizhojnë ose nuk duan ta pranojnë problemin që ka fëmija?
Çrregullimet gjuhësore përfshijnë një gamë të gjerë problematikash gjuhësore si defektet e shqiptimit të fonemave, defektet e artikulimit të fjalëve, vonesat gjuhësore apo dhe i folur i pazhvilluar. Të gjitha këto raste kanë dy faza evidentimi:
⁃ Në moshën parashkollore nga familjarët ose/ edhe edukatorët
⁃ Faza e dytë përkon me hyrjen në klasën e parë.
Problematika evidentohet por në shumicën e rasteve familjarët neglizhojnë sepse presin kohën kur mund “ të shpërthej fëmija ” nisur nga histori të ndryshme familjare të vonesave gjuhësore ku i ati/ e ëma i foluri i të cilave ka ardhur me vonesë. Vlen për tu theksuar që vitet e fundit gjërat kanë ndryshuar dhe janë pikërisht prindërit të cilët janë më të ndërgjegjësuar dhe e kërkojnë logopedin edhe kur i foluri është ende në fazën të cilën e quajmë koha e tolerancës.
Cilat janë shenjat e problemeve gjuhësore?
Duhet të kryhet një konsultë me logopedin në rast se:
⁃ Një fëmijë në moshën 18 muaj nuk vokalizon të paktën 5-6 fjalë dhe nuk përdor gishtin për të komunikuar
⁃ Nëse një fëmijë në moshën 2 vjeçare ka më pak se 30 fjalë
⁃ Nëse një fëmijë në moshën 5-6 vjeçare paraqet vështirësi të theksuara gramatikore dhe ka ende vështirësi artikulimi
A mund të rregullohet ky si problem?
Çrregullimet gjuhësore kanë prognozë të mirë. Rehabilitimi është i lidhur ngushtë me llojin e vështirësisë gjuhësore, kohën e fillimit të trajtimit dhe me intensitetin e ndjekjes terapeutike. Nëse kapen në kohë, pra kohë që përkon me fundin e tolerancës gjuhësore, kjo vështirësi gjuhësore është e superuar në fazën kur fëmija shkon në klasën e pare.
Cilat janë terapitë që përdoren nga logopedi për çrregullimet gjuhësore?
Terapia logopedike konsiston në rehabilitimin oral, diagragmal dhe terapinë e fjalës të gjitha këto në bashkëveprim me terapinë e lojës referuar moshës përkatëse.
Sa ndikon psikologjikisht tek fëmija mënyra sesi të tjerët sillen me të, kam këtu parasysh talljen, apo të qeshurat e të tjerëve me mënyrën se si flet fëmija?
Trajtimi i çrregullimeve të gjuhës bëhet i vështirë me rritjen e moshës edhe për faktin se fëmija bëhet i vetëdijshëm mbi problematikën dhe rritet presioni mbi të. Bashkëmoshatarët edhe kur fëmija që paraqet vështirësinë është shoku/ shoqja e tyre më e/ i mirë mënyra se si kërkojnë ti ndihmojë bëhet në formën e qeshjeve në situata të ndryshme apo dhe talljeve . Kjo ndodh si pasojë e mungesës së informacioneve ose lënies në heshtje të situatës pa e trajtuar fare si problematikë, dhe duke mos ditur si duhet ta ndihmojnë apo edhe të reagojnë i vendos fëmijët në dy fronte : fronti i parë tallës dhe tjetri i talluri. Për këtë arsye menaxhimi i çrregullimeve gjuhësore në ambientet e shkollës ngelet i vështirë . Duhet patjetër te trajnohen mësuesit mbi menaxhimi e situatave dhe mbi të gjitha për ti ardhur në ndihmë fëmijës. Nga ana tjetër nxënësit duhet të informohen mbi vështirësitë gjuhësore në mënyrë që të kemi situata lehtësuese, sa më pak raste bullizmi dhe të rritet përkrahja.
Karahas logopedit si mund ta ndihmojnë prindërit dhe të afërmit me të kuptuarin dhe të shprehurin e gjuhës?
Pjesë e trajtimit janë patjetër dhe familjarët pa të cilët rezultatet e trajtimit nuk do ishin të njëjtat dhe gjithashtu më te zgjatura në kohë. Prindërit duhet të vazhdojnë në shtëpi me praktikat lehtësuese të komunikimit qe fëmija mëson nga ndërhyrja logopedike dhe vazhdohet trajtimi edhe në shtëpi duke qenë se fëmija pjesën më të madhe të kohës e kalon me ta. Bashkëveprimi familjarë :
⁃ familjarët trajnohen që të mos e pranojnë më komunikimin e fëmijëve si kanë bërë më herët psh. Kur fëmija i merr dorën kur do diçka prindërit duhet ta nxisin në artikulim
⁃ Përpjekja për të imituar të gjitha fonemat në drejtshqiptim në mënyrë që komunikimi verbal mos të kufizohet vetëm në terapinë logopedike.
⁃ Organizimi i lojërave me bazë komunikimin verbal ose drejtshqiptimin.
Dr.Gentjana Sinaj
Logopede dhe pedagoge në Universitetin e Mjekësisë Tiranë
Tel: +35569 74 08 148
A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen anglo-saksone : "Feed a Cold, Starve a Fever"? E…
Një shënues tumori (tumor marker) është çdo gjë e pranishme ose e prodhuar nga qelizat…
" Magnezi, një aleat i mirëqenies femërore: ja si ta përdorni dhe pse do të…
Varësia është një gjendje kronike e karakterizuar nga pamundësia për të kontrolluar sjelljen ose përdorimin,…
E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…
Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…