Frymëzimin për të shkruar rreth kësaj teme e gjeta në mesin e tavolinës së mbrëmjes së fundvitit. Midis shumë të njohurve, ishte dhe një moshatarja ime që me barkun e saj të fryrë nuk të mundonte shumë të kuptoje se ishte në pritje të një jete të re.

Pjesa e pabesueshme erdhi më vonë, kur nën efektin e haresë që të falin festat u bashkua me ne, me cocktail-in e saj në dorë, për të ngritur dollinë e rradhës.

-Ke dëgjuar ndonjëherë për Sindromën alkoolike të fetusit?
-Po sigurisht, e di që s’të bën mirë, por në raste të rralla nuk ka problem. Do të jetë hera e fundit që pi derisa të lind.

Përgjigjia e saj më shokoi. Aty kuptova se sa shumë femra ka të cilat nuk janë ende të sensibilizuara rreth problemeve që alkooli sjell gjatë periudhës së shtatzanise. Me një gotë alkool mund ta dëmtosh veten në cdo kohë, por në periudhën e pritjes së një fëmije dëmton dyfish! Konsumi i alkoolit përveç të tjerave, ul fertilitetin e të dy partnerëve dhe mbi të gjitha vret si një sëmundje kronike frutin e dashurisë së tyre.

Alkooli që nëna konsumon kalon nga gjaku i saj në atë të fetusit, por përqendrimi i tij në gjakun e fetusit është shumë më i madh; kjo për shkak se metabolizimi i alkoolit prej organizmit të këtij të fundit kryhet shumë më ngadalë. Alkooli, së bashku me oksigjenin dhe lëndët e tjera ushqyese absorbohet nga indet dhe organet duke shkaktuar dëmtime të pakthyeshme. Truri, zemra dhe kockat janë në kulmin e zhvillimit të tyre në tremujorin e parë si dhe përbëjnë shenjestrën kryesore të Sindromës alkoolike të fetusit. Sa më herët të ndodhë ekspozimi i fetusit ndaj alkoolit aq më serioze janë dëmtimet!

Kjo Sindromë është si një çadër e madhe e cila mbulon brenda vetes një spektër të gjerë problemesh shëndetësore të fëmijës pas lindjes. Këto probleme janë jo të trashëgueshme dhe lidhen me efektin direkt të alkoolit si një toksinë në trupin e bebes. I porsalinduri vjen në jetë me një peshë më të vogël trupore sesa norma, kanë deformime faciale ose trupore, kryesisht me kokë të vogël dhe këmbë të shkurtra, zhvillim të vonuar përmes etapave të rritjes dhe sensibilitet të shtuar në daljen e dhëmbëve. Përgjatë periudhës së pubertetit dalin në pah probleme të sjelljes, të përqëndrimit, të të mësuarit, të bindjeve seksuale, të abuzimit me lëndë narkotike dhe të kujdesit ndaj vetes. Hiperaktiviteti, çrregullimet emocionale, mungesa e memories, aftësia arsyetuese dhe gjykuese për fat të keq zgjasin gjatë gjithë jetës dhe bëhen shkak i problemeve edhe në pasardhësit e tyre.

Sa alkool është i lejueshëm në muajt e shtatzanisë?

Asnjë sasi alkooli nuk është e sigurtë të konsumohet gjatë kësaj periudhe. Është e vështirë të shquash se sa alkool quhet ‘pak’, prandaj zgjedhja më e mirë është limitimi absolut i tij. Kur nëna pi alkool, të njejtën gjë bën edhe bebeja e saj. Unë besoj fort se “një gotë verë tani dhe një pastaj” është vërtetë e rrezikshme, përsa kohë nuk ka asnjë burim që të sigurojë një sasi të lejueshme. Sa më shumë alkool ju konsumoni, aq më shumë rritet vuajtja e bebit tuaj.

Është vërtetë patetike kur dëgjon disa gra të deklarojnë “se kanë pirë shpesh alkool për t’u qetësuar dhe fëmijët i kanë shëndoshë e mirë”; Vlen të theksohet se asnjë trup nuk e metabolizon, absorbon dhe përthith njësoj alkoolin, prandaj zgjedhja më e mirë është të mos rrezikosh. Në fund të fundit, a ia vlen? Duhanpirja, shëndeti jo i plotë i nënës, kequshqyerja, ambientet me tym duhani, rrisin më shumë shanset e Sindromës alkoolike fetale. Nëse kërkon të mbetesh shtatzënë apo je në dijeni për jetën e dytë që po rritet brenda teje, thuaji ‘Jo’ pijeve alkoolike. Është njësoj si të abuzosh ndaj fëmijës tënd, por gjatë githë jetës!

Lajmi i mirë është se sa më i hershëm të jetë diagnostikimi, aq më e vogël është mundësia e dëmtimit. Ndonëse Sindroma alkolike nuk mund të hetohet në periudhën e nëntë muajve, komunikimi me mjekun obstetër mundëson detektimin e anomalive që në javët e para. Në rastet e rënda abuzive, është EKO ajo që heton çrregullimet e hershme fizike. N.q.s nëna është e alkoolizuar, atëherë duhet të shmangë shtatzaninë derisa mjeku t’i rekomandojë të kundërtën.

Shërimi për fëmijët e lindur me Sindromën aloolike të fetusit fatkeqësisht nuk është i mundur, por ekziston trajtimi multidisiplinar që i mundëson atyre një jetesë më të lehtë. Trajtimi ka të bëjë me fizioterapi të vazhdueshme për problemet që lidhen me gjymtyrët, terapi meditative për largimin e stresit i cili tenton të jetë i lartë, ndjekje të vazhdueshme nga kardiologu për shkak të prirjes për sëmundje kardiake, programe mësimore për fëmijë me vështirësi në të kuptuar etj.

Sepse fëmijët janë si ato flokët delikatë të dëborës! Të bukur, të ndryshëm, të brishtë.

Kujdesi prenatal ndaj tyre është kusht për një jetë të gjatë dhe të lumtur, fundja nuk është ndonjë zgjedhje e vështirë mes një gote alkool të momentit dhe një fëmije mirënjohës përgjatë gjithë jetës!

 

 

Artikull nga Dr. Klaudia Stajka

Burimi: Faqja zyrtare e Spitalit Amerikan

MeMjekun

Share
Published by
MeMjekun

Recent Posts

Çfarë duhet të konsumoni kur keni temperaturë?

A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen anglo-saksone : "Feed a Cold, Starve a Fever"? E…

1 month ago

LISTA/ Shënuesit e tumorit (tumor marker), si ti dallojmë për kë lloj bëhet fjalë?

Një shënues tumori (tumor marker) është çdo gjë e pranishme ose e prodhuar nga qelizat…

1 month ago

Nga cikli menstrual tek kockat, ja pse gratë duhet të marrin magnez?

" Magnezi, një aleat i mirëqenies femërore: ja si ta përdorni dhe pse do të…

1 month ago

Llojet e varësisë, sa dhe cilat janë?

Varësia është një gjendje kronike e karakterizuar nga pamundësia për të kontrolluar sjelljen ose përdorimin,…

1 month ago

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

1 year ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

1 year ago