Me gjithë emocionet që sjell ardhja e një foshnje të re, vendosja e pritshmërive dhe kufijve me gjyshërit ndonjëherë bëhet sfiduese. Këto pesë këshilla të dobishme dhe efektive mund t’ju ndihmojnë.
Ndonjëherë është e vështirë që prindërit tuaj të krijojnë një marrëdhënie të re me ju kur bëheni të rritur. Këto sfida bëhen edhe më të dukshme kur keni fëmijë tuajt.
Prania e prindërve ose e vjehrrive mund të jetë një bekim, por kufijtë janë të nevojshëm për të parandaluar që ata, pa dashje, të përpiqen të marrin kontrollin.
Mund të jetë e vështirë të kontrolloni se çfarë bëjnë prindërit tuaj me ose pranë foshnjës suaj. Ju i doni ata; t’u thuash “ndal” mund të duket e ashpër. Ndonjëherë, madje, as nuk funksionon.
A është në rregull të vendosësh kufij me gjyshërit?
Absolutisht po! Kufijtë në çdo marrëdhënie janë të nevojshëm për të mbrojtur njërën ose të dyja palët. Kjo vlen edhe për marrëdhënien gjyshër-prind. Edhe pse kufijtë jo gjithmonë priten mirë, ata janë gjithmonë të rëndësishëm.
Do të ketë raste kur kufijtë vendosen dhe respektohen, por edhe momente kur ata testohen dhe duhet të rikomunikohen. Kjo nuk do të thotë që nuk janë të rëndësishëm apo të përshtatshëm.
Këshilla për vendosjen e kufijve me gjyshërit e foshnjës
Këtu janë pesë këshilla praktike:
• Krijoni një orar
• Shpjegoni pse bëni diçka
• Gjeni mënyra kreative për të thënë “jo”
• Jini specifikë kur kërkoni ndihmë
• Besoni instinktit tuaj
1. Krijoni një orar
Kur sillni në shtëpi foshnjën tuaj, ka shumë gjasa që familjarët dhe miqtë të presin me padurim ta takojnë. Ndërsa shumica presin radhën, gjyshërit ndonjëherë kanë nevojë për më shumë qartësi mbi këtë.
Nëse dëshironi ndihmë apo këshilla prej tyre, shumë mirë! Por nuk jeni të detyruar të lejoni ndërhyrje në hapësirën tuaj kur keni nevojë për kohë private me partnerin dhe foshnjën.
Si kompromis, mund të caktoni ditët dhe oraret kur mund të vijnë për vizitë dhe kur ju nevojitet privatësi. Madje mund ta komunikoni këtë që para lindjes, që ditët e para të mos bëhen të mbingarkuara.
Vendosja e një orari krijon pritshmëri të qarta dhe shmang vizitat e papritura që zgjasin me orë të tëra.
2. Shpjegoni pse bëni diçka
Me avancimin e kërkimeve shkencore, mënyrat për ta mbajtur foshnjën të shëndetshme dhe të sigurt ndryshojnë.
Disa gjyshër mund të mendojnë se mënyrat e reja janë të panevojshme ose sikur kritikojnë mënyrën si ata kanë rritur fëmijët e tyre. Fakti që “ju dolët mirë” nuk do të thotë që nuk duhet të përdorni masa më të reja sigurie.
Nuk është se ju po u kunderviheni prindërve tuaj , ata bënë më të mirën me informacionin që kishin, dhe ju po bëni të njëjtën gjë sot. Një ditë edhe fëmijët tuaj mund të dinë më shumë.
Shpjegimi i qetë dhe i drejtpërdrejtë i arsyeve ndihmon në krijimin e mirëkuptimit dhe ul tensionin.
3. Gjeni mënyra kreative për të thënë “Jo”
“Jo” është një fjali e plotë, por përdorimi i shpeshtë i saj mund të tensionojë marrëdhënien me prindërit tuaj.
Kjo nuk do të thotë të dorëzoheni, por mënyra se si e thoni mund të zbusë situatën.
Shembuj:
• “Ide shumë e mirë, por sot nuk mundemi.”
• “E vlerësojmë shumë ofertën tuaj…”
• “Sot nuk na përshtatet, ndoshta një ditë tjetër.”
• “Kemi një plan tjetër.”
• “Foshnja ka nevojë për pak kohë vetëm me ne.”
Nëse biseda ju krijon ankth, mund të përdorni mesazhe tekst që t’i formuloni fjalët me qetësi.
4. Jini specifikë kur kërkoni ndihmë
Kur pranoni ndihmë nga gjyshërit, është e rëndësishme të jeni konkretë për atë që ju nevojitet.
Shumë gjyshër duan të ndihmojnë, por mënyra e tyre ndonjëherë mund të bëhet ndërhyrëse. Jepuni detyra të qarta:
• të përgatisin një vakt
• të lajnë enët
• të mbajnë foshnjën ndërkohë që bëni dush
• të ndihmojnë me punët e shtëpisë
Kjo u jep atyre ndjesinë e kontributit dhe ju ndihmon të ruani kontrollin mbi situatën.
5. Besoni instinktit tuaj
Si nënë e re do të merrni shumë këshilla shpesh kontradiktore.
Është e rëndësishme të informoheni dhe të dëgjoni burime të besueshme, por instinkti prindëror ka vlerë të madhe.
Ju e njihni foshnjën tuaj më mirë se kushdo tjetër. Mos lejoni që këshillat e pakërkuara të dobësojnë besimin tuaj si prind.
Kërkoni këshilla kur dëshironi, por besoni vetes kur kujdeseni për fëmijën tuaj.
Mendime përfundimtare mbi krijimin e kufijve të shëndetshëm me gjyshërit
Marrëdhënia me gjyshërit është shumë e veçantë dhe, kur është pozitive, përfiton gjithë familja sidomos fëmija.
Vendosja e kufijve që në fillim ndihmon në ruajtjen e shëndetit mendor dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të forta me prindërit tuaj, partnerin dhe foshnjën./ MeMjekun.com
Konsulente Post-Partum
Irena Danjolli
WhatsApp : +355 69 442 1455
SHËNIM: Informacionet e publikuara në portalin MeMjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.
Nëse përdorni mediat sociale, ndoshta i keni parë video të rafinuara fitnesi që premtojnë transformime…
Hantavirusi, një sëmundje e rrallë që zakonisht shkaktohet nga ekspozimi ndaj urinës ose jashtëqitjes së…
Thuhet se duhet një fshat i tërë për të rritur një fëmijë, por “fshati” duket…
Rrezet ultraviolet nuk shkaktojnë vetëm djegie nga dielli gjatë verës. Ato ndikojnë në lëkurë çdo…
Me moshën, masa muskulore mund të ketë tendencë të bjerë (sarkopenia), me efekte negative në…
Takikardia është termi mjekësor për një rrahje zemre mbi 100 rrahje në minutë. Shumë lloje…