Laborator dhe Radiologji

Pse duhet analiza e hormonit LH dhe vlerat normale

Hormoni LH, i njohur si hormoni luteinizues, prodhohet nga pjesa e përparme e hipofizës, gjendra endokrine e vendosur në bazën e kafkës.

Bashkë me FSH (apo hormoni stimulues i gjendrave) dhe hCG (ose gonadotropina korionike) është pjesë e familjes së gonadotropinave dhe vepron, siç e thotë dhe vetë emri, duke rregulluar aktivitetin e gonadave, pra organeve riprodhuese mashkullore (testikujt) dhe femërore (vezoret).

Tek mashkulli LH vepron duke nxitur prodhimin testikular të testosteronit, hormonit themelor për zhvillimin dhe pjekurinë e organit gjenital të jashtëm, për përvetësimin e karaktereve seksuale sekondare (si shfaqja e mjekrës, mustaqeve, pjekurisë së zërit) dhe për sjelljen e duhur të spermatogjenezës (procesi i pjekurisë së spermatozoidëve)

Tek femrat hormoni LH nxit prodhimin ovarian të estrogjenit dhe progresteronit, por edhe sasi të vogla të testosteronit; gjatë ciklit menstrual përqëndrimi i tij rritet gradualisht derisa arrin, nga mezi i ciklit (mesatarisht nga 16 deri në 12 ditë para fillimit të fluksit menstruale pasardhës) një kulm i papritur që përcakton dhe ovulacionin (procesi i lëshimit të oociti të gatshëm për tu fekonduar nga ana e vezores) dhe formimin e trupit luteum (gjendrës “së përkohshme” të ndërtuar nga qeliza që prodhojnë sasi të vogla estrogjenit dhe progresteronit, hormonit thelbësor që në fazën e hershme të shtatzënisë për të përgatitur endometriumin e mitrës për një ngjizje të mundshme)

Për më tepër, prodhimi i LH garanton një mirëmbajtje të funksiuonalitetit të trupit luteum gjatë dy javëve të para ovulimit; nëse nuk ndodh fekondimi, në fakt, kjo strukturë i nënshtrohet degradimit duke sjellë menstruacionet, ndërsa në rastin e shtatzënisë aktiviteti i saj do të mbështetet gradualisht edhe nga prodhimi i hCG.

VLERAT NORMALE

Vlerat që konsiderohen normale varen nga laboratori në laborator, kështu që duhet të kontrolloni intervalin e referencës në fletën e analizës.

Tek burrat
Fëmijë: 0,3-6,0 mIU/ml
Të rritur: 1,8-12,0 mUI/ml

Tek gratë
Mosha prepubertale: 0-4,0 mIU/ml
Puberteti: 0,3-31,0 mUI/ml
Mosha fertile
Faza folikulare: 1-18 mIU/dl
Mezi i ciklit: 20-105 mIU/ml
Faza luteinike: 0,4-20,0 mUI/ml
Menopauza: 15,0-62,0 mIU/ml

INTERPRETIMI I VLERAVE TEK FEMRAT

Veprimi i hormonit LH është thelbësor për një proces të rregullt riprodhues. Niveli i tij, bashkë me atë të FSH, me të cilin është mjaft i lidhur, tregon në fakt nëse femra ka një mosfunksionim të mundshëm të vezores, që shfaqet me paaftësinë nga vezorja për të kryer funksionin e saj, më kryesori ovulimi.

Vlerat e larta
Një vlerë e lartë e saj është një e dhënë për pamjaftueshmëri parësore të vezores: përqëndrimi i hormonit ka tendencën në fakt të rritet në tentativë për të stimuluar më shumë gonadet femërore. Pamjaftueshmëria parëosre e vezores do të thotë mungesë të ovulimit dhe për pasojë shfaqje të ndryshimit të ciklit menstrual dhe pamundësinë për të mbetur shtatzënë (të paktën në mënyrë natyrale)

Mes shkaqeve kryesore kujtojmë:
Difekte në zhvillim (vezoret kanë ndryshime strukturore apo funksionale) për shkak të:

Patologjive që kanë shkaktuar mungesë zhvillimi,
Sëmundje gjenetike,
Ndryshim të prodhimit të hormoneve.

Dështimi i parakohshëm i vezores (gjendje klinike që karakterizohet nga mungesa e menstruacioneve, përgjithësisht në 40 vitet e para, e njohur dhe si “menopauza e parakohshme”) mund të ndodhë për shkak të:
Kemioterapisë dhe radioterapisë,
Patologjive autoimune.
Duhanpirja,
Stimulim i tepërt hormonal.

Mungesa kronike e ovulimit mund të shkaktohet nga sindroma e vezores policistike, patologji të tiroideve, patologji të mbiveshkores, kancer i vezores.

Menopauza fiziologjike konsiderohet me të gjitha efektet e saj një formë e dështimit të vezores, prandaj është e lidhur me vlera të larta të hormonit LH.

Vlerat e ulëta

Një vlerë e ulët e LH mund ti atribuohet një ndryshimi të funksionalitetit të aksit hipotalamus-hipofizë, apo në qendrat e rregullimit hormonal të pranishme në tru, si:
Tumore të hipofizës, kryesisht:
Prolaktinoma: neoplazmat në përgjithësi beninje, e gjendrës së hipofizoës e karakterizuar nga mbiprodhimi i prolaktinës, hormonit që tek femrat nxit prodhimin e qumështit;
Adenoma të hipofizës që sekretojnë ACTH: mund të shkaktojnë sindromën e Cushing, e karakterizuar nga një seri shenjat e simptomash të lidhura me mbiprodhimin e kortizolit.
Ushtrimet intensive fizike;
Çrregullime të ushqyejrjes si anoreksia dhe bulimia;
Gjendjet e ankthit, stresit, ndryshimeve psikologjike.

INTERPRETIMI I VLERAVE TEK MESHKUJT

Edhe tek meshkujt prodhimi i hormonit luetinizues ka një rol me rëndësi thelbësore: LH nxit prodhimin e testosteronit nga disa qeliza intersticiale të testikulit, të njohura si qelizat e Leydig.

Tek burrat vlerat e larta të LH mund të jenë tregues të dështimit primar testikular, e lidhur me difekte të zhvillimit normal testikular, apo dëmeve testikular. Në këtë rast prodhimi i testosteronit nga testikujt, rezulton të jetë i pamjaftueshëm dhe i paaftë për të penguar prodhimin e LH dhe FSH nga hipofiza.

Nivelet e ulëta të LH janë më shpesh të lidhura me patologji të hipofizës,m që nuk është më në gjendje të prodhojë sasi të mjaftueshme hormoni, apo e hipotalamusit, që nuk lëshon sasi të mjaftueshme të GnRH, hormoni që nxit hipofizën të prodhojë LH dhe FSH. Në të dy rastet flitet për hipogonadizëm sekondar.

Çdo patologji akute sistemike, mund të shkaktojë hipogonadizëm sekondar të përkohshëm, me ndryshime të papritura të niveleve të LH që arrijnë përqëndrime nën kufijtë e parashikuar.

FAKTORËT QË NDIKOJNË NË ANALIZË

Ilaçet si antikonvulsantët dhe naloxone mund të rrisin vlerat e LH;
Digoksina, pilula për kontrollin e lindjes, trajtime të tjera hormonale mundf të reduktojnë përqëndrimin e LH.

KUR KËRKOHET ANALIZA

Doza e LH, e lidhur me analiza të tjera, mes të cilave FSH, estradiol, progresteroni dhe testosteroni, mund të jetë e nevojshme në shumë raste mes të cilave:
Vlerësimi i infertilitetit qoftë mashkullor apo femëror;
Dyshime të sëmundjeve hipofizare që ndikojnë në prodhimin e LH;
Ndryshim të patologjive të testikujve apo vezoreve;
Për të përcaktuar shkakune ciklit të parregullt menstrual;
Në procesin e fekondimit të asistuar, për të vlerësuar si shkon terapia e induksionit të superovulimit;
Tek fëmijët, për të vlerësuar vonesën apo pubertetin e parakohshëm./ MeMjekun.com

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago