Intervista

Shqetësimi i post-karantinës mbipesha e fëmijëve, pediatrja Zerina Sheme jep këshillat për prindërit

Pothuajse dy muaj në izolim fëmijët janë një kategori që e përjetuan më ndryshe karantinën. Larg njëri-tjetrit dhe shkollës, mësim online dhe një mënyrë e re jetese, qëndrimi në shtëpi 24 orë në 24 dhe ngrënia pa kontroll treguan se shumë vogëlushë kanë fituar mjaft peshë gjatë atyre ditëve. Por çfarë duhet të dimë për obezitetin dhe si ta parandalojmë atë flet në një intervistë  doktoresha pediatre Zerina Sheme.

Doktoresha, post karatine kemi parë shumë fëmijë të cilët kanë shtuar në peshë. Cilat janë shkaqet sipas mendimit tuaj?

Obeziteti, apo mbipesha në moshat fëminore është një epidemi në rritje, mjaft shqetësuese për komplikacionet e mëvonshme. Sot, në literaturën pediatrike e trajtojnë si sëmundje kronike. Sa më herët të fillojë aq më shpejt shfaqen komplikacionet e rrezikshme për jetën.
Tek obeziteti ndikojnë një sërë faktorësh:

  • trashëgimia
    -stili i jetesës ( sedentare)
  • mënyra e ushqyerjes
  • çrregullime hormonale.
    Tek kjo e fundit radhisim disa sëmundje që shoqërohen me dhjamosje:
    •Sindroma Cushing
    • Hypotiroidizmi
    • Hiperkortizolemia
    • Hiperlipidemia familjare

Çfarë shkakton obezitetin tek fëmijët?

Për diagnozën e saktë nevojitet të bëhen analiza e gjakut,si lipidograma. Nëse mjeku i patronazhit dyshon për shkak hormonal e konsulton me mjekun endokrinolog. Pra, duhet mjekuar sëmundja primare. Statistikat e vitit 2010 japin shifra 17% të fëmijëve obezë, nga mosha 4vjeç – 18 vjeç. Vitet e fundit kjo tendencë është në rritje edhe në Shqipëri. Vihet re qasja e lartë e fëmijëve ndaj ushqimeve të pashëndetshme (patatina, kroasant, lëngje të gazuara, hamburger, sanduiç, etj) dhe mungesa e ushqimeve të shëndetshme (fruta të freskëta, lëngje frutash pa sheqer, etj.) në/ose përreth mjediseve shkollore, duke bërë të pranishëm riskun për kultivimin e zakoneve jo të mira. Prania e dyqaneve fast-food -e tek dera e shkollës, që i tundojnë fëmijët për t’i blerë, janë kthyer në një problem social.
Mendoj se është detyrë prindit ta edukojë fëmijën, se çfarë është me e shëndetshme për të konsumuar si vakt të ndërmjetëm në shkollë. Nuk mjafton vetëm t’i japë paratë, por ta udhëzojë, ta këshillojë dhe kontrollojë fëmijën se çfarë blen dhe çfarë është e mirë për shëndetin e tij. Mungesa e klubeve sportive në shkolla, ose e mjediseve sportive të disponueshme për fëmijët pas orëve të mësimit, tregon qasjen e pakët të fëmijëve për të qenë fizikisht në mjediset e tyre shkollore.

Mjekët pediatër janë pajisur me kurbat e rritjes në peshë dhe gjatësi, për çdo grupmoshë dhe gjini. Nëse kalon 10-30% të peshës normale, fëmija quhet mbipeshë. Nëse kalon 30% quhet obez. Shenjat për obezitetin janë: djersitja e shtuar, vështirësi në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik. Ato që duhen marrë në konsideratë janë komplikacionet.
Këta të sëmurë janë të prirur për :
sëmundje të zemrës, diabeti i tipit 2,
Çrregullime të shëndetit mendor.
Ndjehen inferiorë në mjedisin social.

Si mund ta parandalojmë atë?

Pikërisht, parandalimi konsiston në menaxhimin e kësaj kategorie, që janë mbipeshë. Problemi është kompleks dhe kërkon koordinimin e disa hallkave institucionale siç janë:
Familja – Shkolla – Shërbimi i promocionit të shëndetit – Massmedia. Shkollat janë motori kryesor i edukimit, prandaj disa koncepte bazë të kalorazhit ushqimor, duhet të jenë si informacione të shkurtra që në moshën 13 vjeçare.
Programi i promocionit të shëndetit nuk mund të funksionojë nëse nuk marrin pjesë të gjithë komponentët e shoqërisë: personelin shëndetësor, mësuesit, nxënësit, familjet, mediat .
Rritja e pjesëmarrjes në sporte, i bën mirë një shoqërie të shëndetshme në të ardhmen, me më pak të sëmurë kronikë dhe invaliditet sa më të ulur. Të gjithë së bashku për një qëllim: të parandalojë mbipeshën, për të mos arritur tek obeziteti. Nuk ka ilaçe për obezitetin. Mjekohen vetëm komplikacionet. Edhe ndërhyrja kirurgjikale( bypass në zorrët ose zvogëlim i stomakut) kanë rezultuar pa vlerë. Rënia e peshës duhet bërë në mënyrë graduale jo me dieta të sforcuara të cilat ulin imunitetit e fëmijës.

Cilat janë këshillat tuaja për prindërit?

Kontrolli i dietës :
Prindët janë përgjegjës për ushqyerjen e fëmijëve të tyre. Një fëmijë duhet të marrë 1700-2000 kcal në ditë, në varësi edhe të moshës.

Parandalimi fillon që në moshën e hershme. Fëmijët që ushqehen me gji deri në një vjeç kanë shanse shumë më pak për t’u bërë obezë, se sa ato që ushqehen në mënyrë artificiale.
Përdorimi i raportimit të peshës së fëmijëve nga ana e mjekëve pediatër tek prindërit , sjell më shumë sensibilizim dhe ndërgjegjësim të tyre. Prindërve i duhet dhënë informacioni i nevojshëm dhe variante të formulave të ushqyerjes. Dieta me fibra, me sasi të ekuilibruar në proteina dhe pak brumëra ( karbohidrate) është primare për të mbajtur nën kontroll peshën.
Edhe sjelljet me risk, si alkooli, duhani ndikojnë tek kontrolli i peshës në moshën e adoleshencës.
Aktiviteti fizik, me të gjitha variantet, harmonizimi i lojërave sportive. Aktivitet i lehtë fizik mund të kryhet në kushtet e shtëpisë. Ka aplikacione në internet të gjimnastikës në kushtet e shtëpisë, që është e mundur, pa asnjë shpenzim, të kryhet përditë nga 20 min, në mëngjes. Le ta shfrytëzojmë internetin në dobi të fëmijëve tanë.
Pavarësisht nga përfshirja e prindërve dhe e shkollës, i rëndësishëm duhet të jetë roli i mjekut pediatër, si një pikë e vërtetë referimi për prindërit dhe fëmijët e kësaj grup-moshe.

MeMjekun

Share
Published by
MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago