Të njohim ilaçet/suplementet

Të njohim ilaçet/ Exjade (deferasirox), pse përdoret

Deferasirox është përbërësi aktiv i përdorur për të hequr sasinë e tepërt të hekurit në organizëm.

Ai është një “grumbullues” i hekurit që lidhet me metalin e pranishëm me tepricë në organizëm, duke e eliminuar kryesisht përmes jashtëqitjes.

Ilaçi merret nga goja dhe njihet me emrin tregtare Exjade dhe klasifikohet në ilaçet që merren me recetë.

Në Shqipëri, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor sqaron qytetarët dhe posaçërisht pacientët që marrin falas me barnat që trajtojnë sëmundjen e Talasemisë se trajtimi i tyre do të jetë i njëjtë, madje i përshtatur sipas peshës trupore të pacientëve. Në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2018 janë shtuar 2 alternativa të reja që trajtojnë këtë sëmundje. Bëhet fjalë për 2 formëdoza të reja të të njëjtit bar, me konkretisht formëdoza deferasirox 125 mg dhe 500 mg, të cilat janë më të përshtatshme për pesha të ndryshme trupore (duke ditur se trajtohen me këtë bar kryesisht fëmijë) Bari Deferasirox 250 mg (Enferox) është alternativa xhenerike e njëjtë me barin tjetër Deferasirox 250 mg (Exjade). Pacientët do të trajtohen njëlloj sepse bari ka të njëjtin princip aktiv dhe është i liçencuar dhe i aprovuar, sipas legjislacionit në fuqi. Pacientët që vuajnë nga talasemia përfitojne kurën e plotë pa pagesë. (Burimi: FSDKSH)

PËR ÇFARË SHËRBEN

Deferasirox siç e përmendëm më sipër shërben për të hequr hekurin e tepërt nga organizmi i cili ndodh për shkak të transfuzionit të shpeshtë të gjakut tek pacientët beta-talasemikë major të moshës 6 vjeç e lart.

Ai përdoret gjithashtu edhe për të trajtuar mbingarkesën e hekurit edhe kur trajtimi me deferoxamine nuk këshillohet ose jo e përshtatshme në:
Pacientë me beta-talasemi major me mbingarkesë hekuri për shkak të transfuzioneve të rralla të gjakut;
Pacientë me forma të tjera të anemisë
Fëmijë të moshave mes 2-5 vjeç.

Përdorimi i deferasirox këshillohet dhe për trajtimin e mbingarkesës së hekurit kur trajtimi me deferoxamine nuk këshillohet apo është i përshtatshëm tek pacientë me moshë 10 vjeç e lartë me mbingarkesë hekuri të lidhur me sindromë talasemike por që nuk bëjnë transfuzion gjaku. Në fakt, edhe pse pacienti nuk i nënshtrohet transfuzionit mund të ketë grumbullimt të hekurit si rezultat i një përthithjeje të shtuar të metalit të marrë me regjimin ushqimor në përgjigje të numrit të ulët të qelizave të gjakut.

PARALAJMËRIMI DHE KUJDESI

Çfarë duhet të dimë para se të marrim Deferasirox? Para se të merrni ilaçin duhet të informoni mjekun nëse vuani nga patologji të veshkave apo mëlçisë; nëse keni probleme me zemrën të shkaktuara nga mbingarkesa e hekurit; shfaqen shenja të rënda të reaksionit alergjik, mes të cilave skuqje të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, ënjtje në fytyrë dhe fyt;

Nëse shfaqen vështirësi në të menduar, vështirësi në kujtesë, vështirësi në zgjidhjen e problemeve, zvogëlim të përqëndrimit dhe vetëdijes, lodhje dhe pak energji.

Nëse shfaqen përgjumja, dhimbje barku e lokalizuar lart djathtas, lëkurë e verdhë dhe urinë e errët (probleme me mëlçinë)
Villni gjak dhe/ose keni jashtëqitje të zezë;
Djegie në stomak
Diarre dhe të vjella
Probleme me shikimin.
Gjatë trajtimit me deferasirox mjeku do të bëjë analiza të rregullta për të vlerësuar nivelin e hekurit në organizëm, funksionimin e veshkave dhe mëlçisë, shikimin dhe dëgjimin.

EFEKTET ANËSORE

Deferasirox si çdo ilaç tjetër ka efekte të padëshirueshme dhe pse jo të gjithë pacientët e shfaqin apo e shfaqin në mënyra të ndryshme.
Disa efekte të padëshirueshme nga deferasirox mund të jenë të rënda dhe mund të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore. Ato kanë të bëjnë me:

Shenja të reaksionit të rëndë alergjik (skuqje të rënda të lëkurës, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, ënjtje të fytyrës dhe fytit)
Reaksione të rënda të lëkurës
Ulje e shënuar në eliminimin e urinës
Shenja të problemeve hepatike
Shenja të nivelit të lartë të amoniumit në gjak
Hematemeza dhe jashtëqitje e zezë
Djegie në stomak
Humbje e pjesshme e aftësisë shikuese;
Pankreatit.

Në prani të këtyre efekte të padëshirueshme trajtimi me deferasirox duhet të ndërpritet menjëherë.

Efekte të padëshirueshme shumë të zakonshme dhe të zakonshme

Ndryshime të funksionalitetit të veshkave;
Ndryshime në analiza për përcaktimin e proteinave në urinë;
Ndryshime të funksionalitetit të mëlçisë;
Çrregullime gastrointestinale ;
Dhimbje koke;
Skuqje të lëkurës;
Kruarje.

Efektet e padëshirueshme jo të zakonshme:
Marramendje
Ankth
Çrregullime të gjumit
Lodhje
Dhimbje fyti
Ënjtje të krahëve dhe këmbëve
Ndryshime të ngjyrës së lëkurës
Trombocitopenia
Gurët në veshka
Humbje të flokëve
Prodhim i ulët i urinës
Pankreatiti
Acidoza metabolike
Shpim i murit të stomakut apo zorrëve.

Mbidoza me deferasirox

Në rast mbidoze duhet të kontaktoni mjekun menjëherë apo të shkoni në spitalin më të afërt, dhe mos harroni të merrni me vete dhe paketimin e ilaçit që merrni. Mund të shfaqen simptoma si dhimbje barku, diarre, nauzea, të vjella, probleme me veshkat apo mëlçinë.

SI VEPRON DEFERASIROX

Deferasirox eliminon sasinë e tepër të hekurit nga organizmi falë veprimit të saj “chelating”- ( nga anglishtja Chelation është një lloj i lidhjes së joneve dhe molekulave me jonet metalike).

Në veçanti përbërësi aktiv është shumë selektiv për hekurin (III). Në fakt është një lidhës tridentik që lidh hekurin me prirje të lartë në raportin 2:1. Pasi hekuri të jetë lidhur, deferasirox nxit eliminimin e saj nga organizmit, kryesisht përmes jashtëqitjes, duke rikthyer vlerat normale.

DOZA DHE MËNYRA E PËRDORIMIT

Doza e duhur e deferasirox vendoset nga mjeku për çdo pacient. Por më poshtë do të shpjegohen dozat e zakonshme që jepen në trajtim.

Deferasirox në formë tabletash me film dhe Deferesirox i tretshëm

Doza e përditshme e deferasirox në formë kokrash të veshura me film dhe i tretshëm në fillim të trajtimit të pacientit që merr rregullisht transfuzion gjaku është 14 mg për kg peshë trupore. Mjeku mund të këshillojë një dozë fillestare të madhe ose të vogël në bazë të nevojave të trajtimit të personalizuar.

Kjo dozë e mësipërme për pacientë që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku është 7 mg për kg peshë trupore.

Në funksion të asaj se si pacienti reagon ndaj trajtimit, mjeku mund të kërkojë rritje ose zvogëlim të dozës së ilaçit.

Doza maksimale ditore e rekomanduar e deferasirox tablet apo i tretshëm është:
28 mg për kg peshë trupore për pacientët që marrin rregullisht transfuzion gjaku;
14 mg për kg peshë trupore për pacientët e rritur që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku;
7 mg për kg peshë trupore për fëmijët dhe adoleshentët që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku.

Deferasirox i tretshëm duhet të merret duke e hedhur dozën në ushqim të butë si kosi apo pureja e mollës. Ushqimi duhet të konsumohet menjëherë dhe i gjithi. Nuk duhet të ruhet për përdorim të mëvonshëm.

Tabletat e veshura me film duhet të gëlltiten tërësisht. Nëse kjo nuk është e mundur këto kokra mund të grimcohen e të merren duke e përhapur dozën tërësisht në ushqim të butë si kosi apo pureja e mollës.

Ato mund të merren me ose pa një vakt të lehtë, çdo ditë në të njëjtën orë pothuajse.

Deferasirox në tableta të tretshme

Doza e përditshme e deferasirox në tableta të tretshme në fillim të trajtimit të pacientit që merr rregullisht transfuzion gjaku është 20 mg në ditë për kg peshë trupore. Mjeku mund të këshillojë një dozë fillestare të madhe ose të vogël në bazë të nevojave të trajtimit të personalizuar.

Kjo dozë e mësipërme për pacientë që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku është 10 mg për kg peshë trupore.

Mjeku mund të këshillojë një dozë fillestare të madhe ose të vogël në bazë të nevojave të trajtimit të personalizuar.

Në funksion të asaj se si pacienti reagon ndaj trajtimit, mjeku mund të kërkojë rritje ose zvogëlim të dozës së ilaçit.

Doza maksimale ditore e rekomanduar e deferasirox tablet e tretshme është:
40 mg për kg peshë trupore për pacientët që marrin rregullisht transfuzion gjaku;
20 mg për kg peshë trupore për pacientët e rritur që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku;
10 mg për kg peshë trupore për fëmijët dhe adoleshentët që nuk marrin rregullisht transfuzion gjaku.

Deferasirox në tableta të tretshme duhet të merret çdo ditë rreth të njëjtës orë dhe me stomakun bosh. Ushqim duhet të konsumoni të paktën 30 minuta më pas.

Për të marrë ilaçin në këtë formë duhet të shkrini tabletin në një gotë ujë, lëng molle apo lëng portokalli, ta përzieni dhe ta pini direkt, më pas hidhni serish pak ujë apo lëng dhe përziejeni nëse mund të ketë precipituar në fund dhe pijeni sërish.

Kujdes! Nuk duhet ta tretni në pije të gazuara apo qumësht, nuk duhet ta përtypni, ta ndani apo ta thyeni si dhe nuk duhet ta gëlltisni.

SHTATZËNIA DHE USHQIMI ME GJI

Deferasirox nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë, vetëm nëse mjeku ua këshillon se është e nevojshme. Në të njëjtën kohë nuk rekomandohet ushqyerja me gji gjatë trajtimit me deferasirox. Gratë në shtatzëni dhe nënat që ushqejnë me gji duhet të informojnë mjekun për gjendjen e tyre para se të marrin mjekimin me deferasirox.

Gratë në moshë fertiliteti që marrin kontraceptivë hormonale për të parandaluar një shtatzëni duhet të përdorin masa shtesë kontraceptive gjatë trajtimit me deferasirox pasi përbërësi aktiv zvogëlon efikasitetin e kontraceptivëve hormonalë./ MeMjekun.com

I përshtatur nga: MedScape dhe Wikipedia

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago