Intervista

Pediatrja Zerina Sheme: Si të kujdesemi për fëmijët në të nxehtin e verës

Stina e nxehtë e verës ka problemet e saj për shëndetin për një sërë kategorish shoqërore, e krahas të moshuarve janë dhe fëmijët mjaft të prekur. Se si duhet të veprojmë dhe të kujdesemi për fëmijët e vegjël, dhe kujdesi që duhet të tregojnë adoleshentët na tregon doktoresha pediatre Zerina Sheme.

Doktoresha Shqipëria përfshihet prej disa ditësh nga i nxehti saharian dhe mes kategorive që duhet të kenë kujdes janë dhe fëmijët. Përsa i përket atyre deri në një vjeç cilat janë këshillat tuaja për nënat?

Zhvillimi i fëmijës 0-1 vjeç karakterizohet nga disa tipare të veçanta të cilat e bëjnë atë më të ndjeshëm ndaj faktorëve të mjedisit të jashtëm; vapës konkretisht.
Brishtësia fiziologjike e latantit lidhet me veçoritë e mëposhtme:
– Sasia e ujit në organizmin e fëmijës, në raport me sipërfaqe e trupit është më e lartë se tek i rrituri.(82-90%)
– Qendra e termorregulacionit në tru është e paformuar mirë, prandaj e bën të reagojë më shpejt ndaj temperaturës së mjedisit dhe të vetë trupit.
– Lëkura është më e hollë, më e përshkrueshme nga rrezet e dëmshme të mesditës. Gjithashtu latanti nuk e ka të zhvilluar djersitjen, e cila do të balanconte disi temperaturën e trupit.
Çrregullimi më i zakonshëm tek latantët, gjatë stinës së nxehtë është dehidratimi, dmth humbja e lëngjeve. Nëse temperatura e ambientit kalon 30° fëmija fillon të grindet, ka frymëmarrje më të shpeshtë, edhe pulsin gjithashtu. Ka etje.
Janë dy arsye kryesore që e shkaktojnë dehidratimin e fëmijës: mbingrohja e e mjedisit të banimit dhe goditja nga dielli.
Këshillat që rekomandohen për këtë grupmoshë janë:
• Veshja të jetë e pambuktë, gjatë ditës vetëm me kanatiere dhe panolinë.
• Jepini ujë, lëng frutash të freskëta, shpesh herë në ditë fëmijës.
Nënat që ushqejnë fëmijët me gji ta planifikojnë heqjen nga gjiri pas stinës së nxehtë pasi kështu e ndihmojnë fëmijën ta kalojë atë më lehtë.
•Ushqimet të jenë të gatuara të freskëta për të evituar ndonjë çrregullim të aparatit tretës.
• Ajrosja e dhomës:
Temperatura të mbahet konstante, jo më shumë se 27-28°C
Mundësisht të reduktohet koha e përdorimit të kondicionerit sepse than ajrin.
Shetitjet në zona të gjelbërta në mëngjes dhe në mbrëmje janë të domosdoshme për ajrosjen më të mirë të vogëlushëve.
• Mbani gjithmonë me vete një pako Tresol.
Përdoreni atë sa herë që fëmija ka ndjenjë të vjelli, etje, grindje, qarje me rënkim, tharje të gojës, nëse ka temperaturë mbi 37°C, ose diarre.
Pra, edhe nëse ka vetëm një nga shqetësimet e mësipërme jepini Tresol lugë lugë. Llogaritet 30-40 ml/ kg peshë në 6 orët e para. Ndërkohë vëzhgoni ecurinë e mëtejshme.
Kur e dërgoni fëmijën në plazh shmangni oraret e ekspozimit në diell nga ora 10.00 -17.00.
Mbulojani kokën me kapele të pambukta dhe mbajeni gjithmonë në çadër. Kujdesi nevojitet gjithsesi, pasi rrezet e diellit depërtojnë edhe nën pëlhurën e çadrës. Përdorimi i kremrave mbrojtës kundër diellit është i nevojshëm.
Banjat herë pas here e balancojnë temperaturën e trupit.
• Mos harroni shurupin e Paracetamolit. Nëse temperatura e fëmijës kalon 38°C përdori paracetamol 15mg/kg peshë çdo 8 orë. Edhe dhënia e ujit, çajit të ftohtë, Tresolit parandalon dehidratimin e fëmijës dhe e mbron atë nga konvulsionet që mund të shkaktojë temperatura e lartë.

Po fëmijët më të rritur, çfarë komplikacionesh mund të vijnë nga vapa? Cilat janë këshillat tuaja për të qëndruar të hidratuar?

Kjo përkujdesje vlen edhe për fëmijët më të rritur. Gjithashtu kjo kategori është më e ekspozuar ndaj helmimeve ushqimore të cilat janë më të shpeshta në stinën e nxehtë.
Shkaktaret kryesorë të helmimeve janë mikrobet si Stafilokoku, Enterokoku, Escherischia Coli.
Burim infeksioni janë uji, ushqimet e papërpunuara mirë (ushqimi i shpejtë), higjena e ulët e mjedisit, përfshirë këtu mizat, insektet, plehrat e hedhura në vende të papërshtatshme.
Shpreh keqardhjen time kur shikoj maska, dorashka, qese me mbeturina hedhur kuturu, nëpër rrugica lagjesh ndërkohë që koshat e plehrave janë aty afër.
Nevojitet akoma sensibilizim dhe ndërgjegjësim qytetar në lidhje me higjenën e mjediseve të përbashkëta, sidomos në këtë kohë pandemie, kur mbivendosja e infeksioneve mund ta komplikojë situatën shëndetësore të sejcilit nga ne.

• Këta fëmijë kanë temperaturë, të vjella, diarre, puls të shpeshtë, rënie të tensionit dhe dehidrim. Kur kjo situatë kombinohet edhe me goditjen nga vapa e komplikon gjëndjen e fëmijës. Nëse të vjellat nuk qetësohen në 6 orët e para nevojitet të hidratohet më tej në spital me perfuzione dhe antibiotikë.
Masat parandaluese të infeksioneve nga stina e nxehtë janë
-Higjena e mjedisit,
– Lufta kundër insekteve, mizave.

Kjo verë vjen pak më e vështirë se verat e tjera për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tashmë që dhe vendi ka dalë nga izolimi, cilat janë këshillat e pediatres për fëmijët në plazh apo udhëtime për tu mbrojtur?

Edhe në situatën e pandemisë mbeten të njejtat rregulla të distancimit social, të larjes së shpeshtë të duarve me sapun dhe përdorimi i maskave në ambientet publike. Ndërsa për moshën e adoleshencës kisha një këshillë. Të mos përdorin pije me gaz, as me përmbajtje kofeinë, sidomos gjatë stinës së nxehtë. Edhe pijet alkolike, ose me kalori të tepërta, të cilat rritin konsumin e oksigjenit e bëjnë organizmin më të ndjeshëm prej goditjes nga vapa.
Nëse bëhet fjalë për goditje nga dielli, ( qëndrimi për një kohë të gjatë në rrezet e diellit, në plazh) kjo është një situatë më serioze. Mund të çojë në gjëndje shoku hypovolemik, e cila shoqërohet me konfuzion mendor, dobësim të pulsit dhe rënie të tensionit arterial. Në të tilla raste rekomandohen kompresa në kokë, anësi (krahët, këmbët), banja freskuese. I jepet ujë, lëng frutash të freskëta, dhallë. Më tej trajtohen në urgjencë duke monitoruar parametrat jetësore si elektrolitët, rezervën alkaline, tensionin arterial, etj.

Në stinën e nxehtë, adoleshentët preken gjithashtu edhe nga infeksionet e lëkurës. Kjo për shkak të ndryshimeve hormonale që e karakterizojnë këtë moshë. Aknet e adoleshentëve duhen trajtuar me pomada me antibiotikë, siç e rekomandon mjeku. Profilaksia: kërkon largimin e shkaktarit, nëse është e mundur.
Duhet bërë banjë çdo ditë me ujë të bollshëm. Letrat e lagura dhe deodorantët nuk e zëvendësojnë kurrë ujin e rrjedhshëm. Për ato fëmijë që frekuentojnë pishinat është e detyrueshme një higjenë më e lartë për vete dhe për komunitetin. Uji i pishinave me përmbajtje të lartë të klorit mund ta irritojë lëkurën e tyre të brishtë.
Ecuria pas trajtimit me kremëra hidratues është e mirë./ Marre nga tirananews.al

MeMjekun

Share
Published by
MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago