Urtikaria shfaqet me disa ënjtje ( papula) në lëkurën e trungut, fytyrës, anësive. Ato kanë ngjyrë rozë të ndezur dhe kruhen shumë. Madhësia e tyre varion nga 2-3 mm deri në 2-3 cm, ose edhe më shumë. Duke u bashkuar njëra me tjetrën i japin lëkurës pamjen në formë hartash. Lëkura ngjan si e djegur me hithër.
Urtikaria është një inflamacion i lëkurës, si përgjigje ndaj një diçkaje të huaj që kontakton me organizmin.
Pra, kjo është shenjë e aktivizimit të sistemit imunitar si pasojë e një alergjie. Megjithatë ajo mund të konsiderohet edhe si shenjë e aktivizimit të sistemit imunitar ndaj një infeksioni apo sëmundje.
Dmth ajo është simptomë që shpreh disa lloje çrregullimesh në organizëm. Në vetvete nuk është sëmundje. Zgjat 2-3 ditë duke u qetësuar me ilaçe të thjeshta antialergjike.
20% e njerëzve kalojnë të paktën një herë në jetë një episod të tillë me kruarje dhe papula të ngritura në lëkurë. Tek këta persona, kontakti me një alergen ushqimor ose nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, shkakton një reagim imunologjik me çlirim të histaminës, e cila është përgjegjëse për zgjerimin e enëve të gjakut nën lëkurë.
– Forma më e rëndë e urtikaries është angioedema. Çfaqet me edemë në fytyrë, anësi, vështirësi në frymëmarrje, stridor të laringut. Kjo e fundit kërkon ndërhyrjen urgjente duke e dërguar fëmijën në spital sa më shpejt që të jetë e mundur.
Shkaqet që provokojnë shpërthimin e urtikaries janë:
• Ushqimore.
Ndër ushqimet që provokojnë shtimin e histaminës janë domatja, luleshtrydhet, frutat e thata, e bardha e vezës, peshku etj.
• Parazitare.
Larvat e disa parazitëve kalojnë në gjak , pastaj përhapen në indet, Po kështu edhe toksinat që çlirohen prej tyre provokojnë një ngacmim të sistemit imunitar.
• Medikamentet.
Këtu futen antibiotikët, anti-inflamatorët, vaksinat etj.
• pickim insektesh, si psh grerëza, bleta, merimanga, pleshtat, çimkat etj
Edhe kontakti me disa barishte shkakton papula në formë vijëzimesh që kruhen.
Disa faktorë e predispozojnë organizmin për të qenë më të prekshëm ndaj alergjive. Psh stresi, Ngrënia e çokollatave, përdorimi i detergjentëve, parfumërat, kimikatet, pushi i kafshëve, puplat e zogjve, ndryshimet klimatike ( i ftohti, i nxehti).
Në kushte shtëpie lagini me kompresa me ujë të ftohtë.
Mjeku i patronazhit do tju përshkruajnë një recetë me sirup antialergjik. Ndërkohë do tju rekomandojë disa analiza të gjakut, feçe për parazit. Në format më rebele shtohet në mjekim një kortizonik, vetëm për pak ditë.
Nëse kjo përsëritet rekomandohet të bëhen provat e alergjisë për të identifikuar shkaktarin.
Mënyra më e mirë e parandalimit është për t’ju shmangur kontaktit me alergenin. Por shpesh nuk e dimë shkaktarin e vërtetë. Gjithmonë ka vetëm një shkaktar të vërtetë të alergjisë. Më pas, kur bashkohen me substanca të tjera haptene, shërbejnë si nxitëse të fenomenit alergjik.
Çdo prind duhet të jetë vëzhgues tepër i kujdesshëm ndaj fëmijës së tij në lidhje me : çfarë ushqimi i dha mbrëmë, ose para disa orësh, çfarë ka prekur, çfarë ilaçesh po përdor, etj. Të gjitha këto t’ja referojë mjekut të patronazhit. Nëse rezulton alergji nga medikamentet fëmija nuk duhet ta përdori gjithë jetës atë medikament.
Ekzantemat janë pika të kuqe që dalin në lëkurë gjatë një sëmundje infektive si psh Rubeola, Fruthi, Skarlatina, Roseola infantile Megaleritema etj.
Dallimi është se urtikaria është e ngritur mbi lëkurë.
Ndërsa tek sëmundjet infektive elementët janë rrafsh me lëkurën. Kjo është shenjë shumë e rëndësishme, e cila nevojitet më tej për mjekimin. Do të ishte gabim nëse përdorim kortizonikë në një ekzantema virusale (duke e ngatërruar si urtikarie). Në këtë rast, kortizonikët qetësojnë shenjat në lëkurë por virusi bëhet më virulent brenda në organizëm.
Gjithashtu, Ekzantemat ( pikat e kuqe në lëkurë) kanë të gjitha shenjat e një sëmundje infektive me temperaturë të lartë, dhimbje koke fyti etj.
Ecuria e urtikaries është e mirë. Vetëm një përqindje e vogël mund të marrin formë kronike. Këtu ndikon edhe predispozicioni familjar.
Shpresoj t’ju ketë vlejtur ky informacion.
MOS HARRONI QË: kur të shkoni me pushime, të keni me vete edhe një sirup antialergjik për fëmijën tuaj. Mund ta përdorni sipas dozës që ju ka përshkruar farmacisti, sa herë që të keni situata të tilla.
Artikull nga doktoresha pediatre Zerina Sheme
A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen anglo-saksone : "Feed a Cold, Starve a Fever"? E…
Një shënues tumori (tumor marker) është çdo gjë e pranishme ose e prodhuar nga qelizat…
" Magnezi, një aleat i mirëqenies femërore: ja si ta përdorni dhe pse do të…
Varësia është një gjendje kronike e karakterizuar nga pamundësia për të kontrolluar sjelljen ose përdorimin,…
E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…
Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…