Tetori është shpallur si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, duke u quajtur “tetori rozë”. Në Shqipëri ka nisur edhe fushata e mamografisë lëvizëse dhe falas për depistimin e popullsisë femërore për këtë sëmundje.
Mamografia përmes ekspozimit ndaj rrezeve X me intensitet të ulët na jep një pamje të gjirit (radiografi). Ajo përdoret me qëllim zbulimin e një tumori në gjoks para se të shfaqë simptomat specifike, apo pas zbulimit të gungave apo shenja të tjerë. Në këtë mënyrë kapja në kohë e sëmundjes rrit përqindjen e mbijetesës.
Pikërisht mamografia ka rritur numrin e grave të shëruara nga kanceri i gjirit. Për OBSH-në ky ekzaminim është konsideruar deri më tani më i sigurtë për këtë sëmundje edhe pse ka dhe disavantazhet e veta.
Mamografia e bërë me një periudhë të rregullt kohore është mënyra më efikase për të zbuluar ndryshimet në gjoksin tuaj, edhe pse nuk është një ekzaminim perfekt. Ndonjëherë ajo tregon shenja anomale, por duhen kontrolle të tjera shtesë për të treguar nëse bëhet fjalë për një tumor.
Ka dhe raste të tjera kur mamografia shfaqet normale dhe pse mund të ketë një tumor në të, pasi jo të gjithë tumoret zbulohen nga mamografia dhe ndonjëherë është e vështirë ti shquash. Para menopauzës, indet që ndërtojnë gjirin janë të dendura prandaj është e vështirë ta lexosh me mamografi. Me plakjen dhe menopauzën gjiri ndryshon dhe shenjat e tumorit në gji bëhen më të lehta për tu ndjekur.
Lexo edhe- Çfarë duhet të dimë për kancerin e gjirit?
Mamografitë përdoren për dy qëllime kryesore: depistim dhe diagnostikuese.
Mamografitë e depistimit përdoren për të kontrolluar gratë që nuk kanë shenja të tumorit në gji. Zakonisht bëhen dy radiografi për secilin gji (mamografia bilaterale). Qëllimi i depistimit mamografik është diagnostikimi i hershëm i tumorit, kur është ende i vogël për tu vënë re apo perceptuar nga vetë gruaja apo mjeku. Nëse tumori në gji diagnostikohet shpejt, trajtimi ka më shumë mundësi suksesi.
Mamografia diagnostikuese përdoret kur ka simptoma të gjirit, apo kur në mamografitë e mëparshme janë hasur anomali. Gjatë mamografisë diagnostikuese merren pamje të ndryshme për të studiuar gjirin në thellësi. Në pjesën më të madhe të rasteve procedura të veçanta radiografike zmadhojnë një zonë të vogël të gjirit duke e bërë më të lehtë interpretimin. Ndonjëherë pas një mamografie për depistimin është e nevojshme dhe një mamografi diagnostikuese. Kjo e fundit do të jetë e nevojshme për të ekzaminuar anomali që janë zbuluar më herët.
Mamografia e rregullt është një mjet i mirë që mjekët kanë në dispozicion për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Një mamografi mund të evidentojë shenjat e para të tumorit shumë më herët që vetë gruaja apo mjeku të kuptojë ndryshimet. Nëse tumori në gji diagnostikohet dhe kurohet herët shumë gra mund të jetojnë gjatë dhe në shëndet të plotë.
Shumë ekspertë pajtohen me mendimin se gratë që nuk kanë pasur simptoma të mëparshme apo probleme me gjirin duhet të nisin të bëjnë mamografinë në moshën 40-vjeçare (më parë rekomandohej në moshën 35 vjeç). Por jo të gjithë bien dakord me këtë frekuence mamografie. Të tjerë specialistë këshillojnë të bëhet një mamografi në vit apo çdo dy vjet.
Në Shqipëri siç e përmendëm në fillim të tekstit tetori është muaji i dedikuar për mamografinë i cili bëhet çdo vit.
Flisni me mjekun tuaj nëse keni ndonjë simptoma apo keni pasur raste në familje të tumorit në gji. Në këtë rast do të duhet ti nënshtrohen një kontrolli me frekuencë më të shpeshtë.
Nëse është e mundur mos e bëni mamografinë kur gjiri është më i ndjeshëm apo dhimbshëm, si për shembull një javë para menstruacioneve. Ideale është gjysma e parë e ciklit, kur gjiri është më pak i tensionuar.
Ditën e ekzaminimit mos përdorni deodoratn, parfum apo pudër. Ndonjëherë përbërësit e këtyre produkteve mund të shfaqen si pika të bardha në mamografi.
Do të jeni më komode nëse vishni një bluzë me fund apo pantallona dhe jo një fustan. Në këtë mënyrë do të duhet të hiqni vetëm bluzën për të kryer ekzaminimin.
Përgatituni të përshkruani të gjitha simptomat, ndryshimet apo probleme me gjirin tuaj tek stafi mjekësor. Mund t’ju kërkohen mjekimet tuaja të mëparshme, nëse keni ndonjë shenjë apo keni bërë ndërhyrje kirurgjikale, nëse ndiqni ndonjë trajtim hormonal apo keni precedent të tumorit në gji në familjen tuaj.
Nëse është hera e parë që bëni një mamografi në një strukturë mjekësore apo mjek përpiquni tu nisni dhe mamografitë e mëparshme që keni bërë para takimit. Në këtë mënyrë radiologu mund të kontrollojë më me lehtësi ndryshimet e mundshme të gjirit tuaj.
Gjatë ekzaminimit gruaja qëndron në këmbë përballë makinerisë që bën skanimin; një prej gjokseve mbështetet në një pjatë plastike transparente dhe shtypet fort por pa e dëmtuar, nga një tjetër pjatë që zbret nga lart. Dy sipërfaqet plastike shërbejnë për të sheshuar gjoksin dhe ta mbajën të palëvizur, për të pasur një pamje më të mirë mamografike. Presioni zgjat pak sekonda dhe nuk bën keq. E njëjta procedurë dhe për gjirin tjetër (mamografia bilaterale), si në rastin e programit të depistimit.
Këto pjata të makinerisë rrotullohen me 90 gradë për të analizuar gjirin dhe anash. Në fund bëhen dy radiografi të secilit gji për të pasur një kuadër të plotë radiografik. Disa gra janë të shqetësuara duke menduar se mund të ketë ndonjë rrezik ekspozimi ndaj rrezatimit, por megjithatë janë modeste dhe konsiderohet e padëmshme. Teknologjia aktuale dhe eksperienca e teknikut radiolog të jep pamje të cilësisë së lartë duke përdorur doza të ulëta rrezatimi.
Aparatura e mamografisë prodhon një mamografi, pra një radiografi të gjoksit që më pas ekzaminohet nga specialisti (radiolog) me kujdes.
Radiologët janë mjeket e specializuar që diagnostikojnë sëmundjet falë ekzaminimit të pamjeve radiografike të marra me rrezatim X. Radiologu do të ekaminojë me kujde dhe do të interpretojë, duke kërkuar shenja të mundshme të pranisë së një tumori apo problemeve të tjera. Pamjet e dukshme të gjirit me mamografi ndryshojnë nga gruaja te gruaja dhe gama e mamografisë së konsideruar normale është e gjerë. Pikërisht për këtë radiologët kërkojnë të krahasojnë mamografinë tuaj me ato të mëparshmet. Në këtë mënyrë për ta është më e lehtë të shohin dhe ndryshimet më të vogla të një tumori të mundshëm sa më parë të jetë e mundur.
Ndërhyrjet kirurgjikale apo plagë të rënda mund të ndryshojnë rezultatin e mamografisë, prandaj duhet të tregoni nëse keni bërë ndërhyrje në gjoks apo keni vendosur protezë. Gratë që kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale mund të kenë nevojë për rrezatim rëntgen shtesë gjatë mamografisë.
Koha për marrjen e rezultatit të mamografisë ndryshon në bazë të vendit ku e kryeni atë. Në shumë raste mjeku radiolog kërkon disa ditë apo javë për të lexuar mamografinë, dhe i dërgon më pas rekomandimet e tij mjekut tuaj. Por ka struktura të tjera mjekësore që ju kërkojnë të prisni disa orë, ndërsa radiologu e përpunon mamografinë brenda ditës.
Pothuajse të gjitha strukturat do ju kërkojnë të presni derisa grafia të përpunohet dhe rikontrollohet, pasi në këtë mënyrë do të jeni të sigurtë që ekzaminimi është bërë si duhet dhe nuk është i nevojshëm të përsëritet. Mbani mend që tekniku i radiografisë mund tu thotë vetëm nëse ajo është bërë me cilësinë e duhur, por nuk mund të interpretojë rezultatet e mamografisë.
Nëse mamografia sinjalizon anomali, mos u alarmoni. Mamografia mund të evidentojë shumë patologji që nuk kanë të bëjnë me kancerin. Pjesa më e madhe e grave të referuara për ekzaminim të mëtejshëm e të thelluar nuk rezultojnë të kenë tumor. Disa nga analizat dhe kontrollet e thelluara që jepen nga mjeku do të varet nga rezultati i mamografisë:
Mamografia diagnostikuese e thelluar: Mjeku mund të kërkojë këtë ekzaminim për të pasur pamje të ndryshme apo më të zmadhuara të një zone të caktuar të gjirit. Këto pamje plotësojnë ato të marra nga mamografia normale dhe i japin mundësinë mjekut të ekzaminojë një zonë të caktuar me saktësi më të madhe.
Ekografia: Ajo është një ekzamnimin plotësues i mamografisë (jo zëvendësuese). Në këtë ekzaminim përdoren valët zanore për të përpunuar pamjet e gjirit, dhe përdoret më shpesh te gratë më të reja apo për ato ku indet e gjirit janë më të dendura. Mjeku apo tekniku shohin pamjet në ekran.
Analizat e specializuara: Mjeku mund tju adresojë në një specialist si përshembull kirurg apo senolog, për një ekzaminim fizik apo kontrolle të tjera. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se keni tumor dhe duhet të bëni ndërhyrje kirurgjikale. Senologët janë mjekët specialistë, që bëjnë ekzaminimin fizik të gjirit dhe diagnostikimin e problemeve të gjirit dhe vijimin me biopsinë.
Biopsia: Merret një kampion i indeve të gjirit përmes një age (që quhet age thithëse) apo dhe me ndërhyrje kirurgjikale dhe vijohet me biopsinë. Si procedurë, gjiri vendoset në anestezi lokale dhe mjeku vendos agën përmes injektimit duke marrë kështu kampionin e indeve dhe bëhet dhe në kushte ambulatore. Ndërsa biopsia kirurgjikale kryhet vetëm në klinikë apo spital. Patologu, mjeku i specializuar në diagnotikimin e sëmundjeve, ekzaminon kampionin në mikroskop për të parë nëse ka qeliza kanceroze. /MeMjekun.com
Burimi: CDC
A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen anglo-saksone : "Feed a Cold, Starve a Fever"? E…
Një shënues tumori (tumor marker) është çdo gjë e pranishme ose e prodhuar nga qelizat…
" Magnezi, një aleat i mirëqenies femërore: ja si ta përdorni dhe pse do të…
Varësia është një gjendje kronike e karakterizuar nga pamundësia për të kontrolluar sjelljen ose përdorimin,…
E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…
Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…