Sëmundje infektive

Rubeola tek të rriturit dhe fëmijët, gjithçka duhet të dimë

Rubeola është një infeksion viral simptomat kryesore të të cilit janë skuqja e lëkurës dhe shfaqja e njollave të vogla të kuqe, ënjtje e gjëndrave rreth kokës dhe qafës, temperaturë e lartë, simptoma të gripit, dhimbje kyçesh (më e zakonshme tek të rriturit)
Në përgjithësi sëmundja përmirësohet pa trajtim për 7-10 ditë, virusi transmetohet përmes frymëmarrjes dhe spërklave nga hunda dhe goja e të tjerëve.

Kjo sëmundje është përgjithësisht e lehtë tek fëmijët, por është një burim i madh shqetësues në rastet kur infektohet një grua shtatzënë, pasi në këtë rastë mund të ndikojë në shfaqjen e rubeolës kongjenitale të fetusit dhe me rrezik për komplikacione të rënda, pasi transmetohet nga nëna të fëmija përmes qarkullimit të gjakut.

Por sot, falë vaksinimit të detyrueshëm tek fëmijët, janë regjistruar më pak raste të rubeolës.

TRANSMETIMI

Rubeola është një sëmundje infektive me origjinë virale nga virusi Rubella. Ai përhapet në mënyrë të ngjashme me ftohjen dhe gripin, apo përmes spërklave që dalin nga hunda dhe goja e atij që është i infektuar e që lëshohen në ajër teksa flet, kollitet apo tështin.

Një person i prekur me rubeolë mund të përhapë sëmundjen deri në një javë para ekzantemës dhe mund të mbetet ngjitëse dhe për shtatë ditë të tjera pas shfaqjes së saj edhe pse 25-5-% e të prekurve nga rubeola nuk shfaqin asnjë simptomë.

Duhet të qëndroni në shtëpi në rast infektimi për të shmangur transmetimin tek të tjerët. Duhet të lajmëroni familjarët, miqtë, kolegët e sidomos gratë shtatzëna për sëmundjen. Ndërsa një grua shtatzënë, nëse preket gjatë shtatzënisë mund ti transmetojë virusin fetusit me pasoja të rënda.

SIMPTOMAT

Në literaturën mjekësore flitet për një periudhë inkubacioni 13-24 ditë, pra me një mesatare prej 18 ditësh. Kjo do të thotë se do të duhen 2-3 javë që fëmija të shfaqë rubeolën pas ekspozimit të parë të virusit.

Tek fëmijët

Është një sëmundje e lehtë, me pak shfaqje simptomatike, ku përmendim:
Karakteristikë kryesore është shfaqja tipike e ekzantemës së lëkurës që në fillim shfaqet në fytyrë, e përhapet më pas në të gjithë trupin. Kjo skuqje është shpesh shenja e parë që prindi vëren. Ajo mund të shfaqet në mënyrë të ngjasjhme me viroza të tjera, mund të shoqërohet me kruarje dhe të zgjasë drei në tri ditë.

Kur skuqja zhduket, lëkura e prekur do të bjerë (deskuamimi).

Nga 1 deri në 5 ditë para mund të shfaqen simptoma të tjera si temperaturë e moderuar, dhimbje koke, skuqje e lehtë e syve, dhimbje kyçesh, linfonode të fryra dhe të ënjtura, sidomos në qafë, pas veshëve, kollë dhe hundë të ngarkuara.

Tek të rriturit

Rreth 25% e të rriturve të prekur nuk kanë asnjë simptomë, ndërsa në pjesën tjetër shfaqet pak temperaturë, dhimbje fyti një ekzantemë që nga fytyra përhapet në të gjithë trupin. Disa pacientë ankohen dhe për dhimbje kyçesh, sy të skuqur dhe një gjendje jo e mirë shëndetësore në përgjithësi para shfaqjes në lëkurë.

Deri në 70% e grave me rubeolë zhvillojnë një formë të atritit, krahasuar me fëmijët dhe meshkujt, dhimbja tek të cilët është sporadike. Rrallë, rubeola mund të shkaktojë probleme serioze duke përfshirë infeksion të trurit apo probleme gjakderdhjes.

KOHËZGJATJA

Skuqja zgjat zakonisht tre ditë. Nyjhet limfatike mund të qëndrojnë të fryra për një javë apo më shumë ndërsa dhimbja e kyçeve mund të zgjasë për më shumë se dy javë. Fëmijët që kanë rubeolë zakonisht shërohen brenda një jave, por tek të rriturit zgjat më shumë.

KUR DUHET LAJMËRUAR MJEKU

Duhet të kontaktoni mjekun nëse fëmija ka temperaturë 39 gradë Celsius apo më të lartë, apo nëse ka simptoma serioze dhe jo të lehta siç i përshkruam më lart.

SHTATZËNIA DHE RUBEOLA

Komplikacionet më të frikshme janë dëmet që mund të ndodhin tek fetusi i një gruaje shtatzënë (sindroma e rubeolës kongjenitale). Një grua shtatzënë e pavaksinuar që infektohet me virusin e rubeolës mund të bëj abort apo lindje të parakohshme të një të porsalinduri që mund të vdesë pak pas lindjes.

Transmetimi i virusit në fetus gjithashtu mund të shkaktojë komplikacione të rënda si probleme kardiake, humbje të dëgjimit apo shikimit, vonesë mendore, dëme të mëlçisë apo shpretkës.

Rreziku më i madh është kur nëna infektohet në fillim të shtatzënisë, veçanërisht në tre mujorin e parë.

TRAJTIMI DHE KUJDESI

Rubeola nuk mund të trajtohet me antibiotikë pasi siç e dimë nuk funksionojnë në infeksionet virale, por nëse nuk ka komplikime sëmundja shërohet spontanisht.

Siç e thamë dhe më lart, rubeola është një sëmundje e lehtë në veçanti tek fëmijët, dhe mund të kurohet në shtëpi. Kontrollohet temperatura e të sëmurit dhe lajmërohet mjeku nëse ajo rritet shumë.

Për të lehtësuar simptomat e lehta tek një fëmijë mund të merret paracetamol apo ibuprofen. Shmangni aspirinën tek ata nën 16 vjeç, pasi në këtë rast ërdorimi i saj lidhet me zhvillimin e sindromës Reye që çon në një pamjaftueshmëri të mëlçisë deri në vdekje.

Çdo grua shtatzënë e ekspozuar nga sëmundja e rubeolës duhet të kontaktojë menjëherë mjekun e saj gjinekolog.

VAKSINA

Rubeola mud të parandalohet në mënyrë efikase përmes vaksinës kundër saj. Imunizimi i përhapur kundër sëmundjes është thelbësor për të kontrolluar përhapjen e infeksionit, duke zvogëluar kështu numrin e rasteve të sindromës së rubeolës kongjenitale.

Dozat e vaksinës MPR merren në vegjëli sipas programit kombëtar të vaksinimit.

Por vaksina nuk duhet të bëhet në shtatzëni apo në gra që duan të ngelen shtatzënë brenda një muaji nga data e inokulimit. Nëse jeni duke programuar një shtatzëni sigurohuni të jeni imun ndaj rubeolës përmes analizës së gjakut me një provë të imunizimit. Nëse nuk jeni imun, duhet ti nënshtroheni vaksinës të paktën një muaj para shtatzënisë.

ANALIZA E RUBEOLES

Nisur nga ajo që thamë më lart, analiza e rubeolës tregon nëse jemi apo jo imun ndaj saj. Kjo analizë zbulon nëse ka një infeksion aktual apo të mëparshëm të rubeolës. Ajo vlerëson nivelet mbrojtëse të antitrupave ndaj sëmundjes.

Nëse analiza e rubeolës del negative, pra nuk ka antitrupa, analiza përsëritet të paktën tre herë gjatë shtatzënisë pra, çdo tre muaj, pasi nëna e ardhshme mund të jetë e ndjeshme ndaj infeksionit.

Nëse analiza del pozitiv, kjo do të thotë që pacienti është i vaksinuar kundër rubeolës ose imun nga një sëmundje e mëparshme dhe nuk rrezikon të preket nga infeksioni; në këtë rast, nuk ka nevojë të përsëritet analiza.

Ekzistojnë dy lloje antitrupash që mund t’i kërkojmë në analizën e rubeolës, IgM dhe IgG.

IgM shfaqen në qarkullimin e gjakut pas ekspozimit ndaj virusit të rubeolës. Nivelet e tyre ngrihen dhe arrijnë nivelin maksimal afërsisht 7-20 ditë pas infektimit dhe ulen gradualisht në vijim.

IgG u duhet më shumë kohë për tu shfaqur në gjak, pasi prodhohen ato qëndrojnë për pjesën tjetër të jetës dhe mbrojnë nga çdo infeksion të ri.

Pra, prania e antitrupave IgM në qarkullim lidhet me ekspozimin e fundit ndaj virusit përgjegjës për sëmundjen. Gjetja e IgG mund të varet nga një infeksion i kohëve të fundit ose i kaluar ose mund të tregojë se vaksina e rubeolës ka siguruar mbrojtjen e duhur.

Interpretimi i analizës

IgG negative, IgM negative: pacienti nuk ka qenë kurrë në kontakt me virusin e rubeolës dhe nuk është vaksinuar.
IgG pozitive, IgM negative: personi është vaksinuar apo është verifikuar një ekspozim ndaj agjentit viral në të shkuarën. Ka imunitet ndaj rubeolës dhe nuk ka rrezik

IgG negative, IgM pozitive: infeksioni ësht ënë fazën fillestare; gratë shtatzëna duhet të monitorohen, si receptuese.
IgG pozitive, IgM pozitive: infeksion akut / MeMjekun.com

Përshtatur nga CDC

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago