Gastroeneterologji

Apendiciti, simptomat, dhimbja, diagnoza dhe trajtimi

Apendiciti është një inflamacion mjaft i dhimbshëm i apendiksit, një lloj qese e madhe sa një gisht që është pjesë e zorrës së trashë dhe ndodhet në pjesën e poshtme në anën e djathtë të barkut.

Në fakt ende nuk është i qartë funksioni i tij, dhe pse disa teori thonë se luan rol dytësor në sistemin imunitar ; edhe pse heqja e tij nuk ndikon në shëndetin e personit.

SHKAQET
Një pengesë e lumenit (pjesa e brendshme) e apendiksit mund të shkaktojë apendicitin, apo një reagim të fortë inflamator. Mukoza e prodhuar tërhiqet në lumen duke shkaktuar shumimin e baktereve që normalisht gjenden në brendësi të apendiksit e për pasojë bymehet dhe infektohet.

Burimet më të zakonshme të pengesës janë feçe, parazitë, rritja jonormale e indeve limfatike (si në rasti e sëmundjes Crohn) trupa të jashtëm si rrush, qershi dhe tumoret.

Apendiciti mund të shfaqet dhe pas një infeksioni viral të traktit tretës, por në shumicën e rasteve është një pengesë për shkak të feçes së ngurtësuar. Një apendiciti i inflamuar mund të plasë, dhe në raste të tilla infeksioni përhapet në bark duke shkaktuar një peritonit të rrezikshëm.

Faktorët e riskut
Apendiciti mund të prekë këdo, por duket se më të prekur janë të rinjtë nga mosha 10 deri në 20 vjeç.

SIMPTOMAT
Simptomat kryesore dhe fillestare të apendicitit është dhimbja e barkut, zakonisht e papritur, dhe shpeh në gjendje tju mbajë zgjuar gjatë natës. Ajo shfaqet para çdo simptome tjetër, nis poshtë kërthizës për tu përhapur më pas në krahun e djathtë. Një dhimbje e re dhe shmë ndryshe nga ndonjë tjetër e ndjerë më parë, përkeqësohet në pak orë dhe rrit intensistetin nëse i prekuri lëviz, bën frymëmarrje të thella, kollitet apo tështin. Megjithatë duhet të theksojmë se në 50% të pacientëve me apendicit kanë simtptoma tipike të dhimbjes që nis në pjesën e sipërme të barkut ose në zonën rreth kërthizës.

Simptoma të tjera të apendicitit janë humbje e orkesit, të vjella, kapsllëk ose diarre, paaftësi për të bërë gazra (flatulenca), fryrje e barkut dhe ndjesia se defikimit mund të të lehtësojë.

Simptomat që ndryshojnë dhe mund të maskohen me shkaqe të tjera të dhimbjes së barkut që përfshin: pengim të zorrëve, sëmundje inflamatore të zorrëve si ajo e Crohn, sëmundje inflamatore të legenit dhe çrregullime të tjera gjinekologjike, ngjitje të zorrëve dhe kapsllëk.

KOMPLIKACIONET

Apendiciti i pa trajtuar mund të plasë dhe të shkaktojë infeksione me potencial vdekjeprurës. Në raste të plasjes së tij baktert shpërndahen në pjesë të tjera të trupit dhe kjo shkakton peritonit (infeksioni i shpërndarë në peritoneum, shtrati i butë i indeve që vesh pjesët e brendshme të barkut)

Simptomat e peritonitit përfshijnë dhimbje të fortë e të vazhdueshme të barkut, të vjella, ethe, takikardi, mungesë frymëmarrje dhe rritje e frekuencës së frymëmarrjes, fryrje abdominale.

Në mungesë të një trajtimi të menjëhershëm pacienti mund të ketë komplikacione fatale, kura parashikon në përgjithësi një terapi agresive me antibiotik dhe heqja kirurgjikale e apendicitit, (apendektomia)

DIAGNOZA
Apendiciti në disa raste është i vështirë për tu diagnostikuar, vetëm nëse shfaq simptomat tipike (situatë që shfaqet në rreth gjysmën e rasteve). Situatën e komplikon fakti se apendiksi në disa persona mund të jetë i spostuar nga zona ku pritej dhe mund të gjendet për shembull në legen, pas zorrës së trashë, përreth zorrës së hollë, afër pjesës së poshtme në të djathtë të mëlçisë.

Disa pacientë kanë dhe dhimbje të ngjashme me atë të apendicitit, por me shkaqe të tjera si gastroenteriti, sindromi e rëndë e iritimit të zorrëve (IBS), kapsllëku dhe infeksioni i traktit urinar.

Mjeku bazohet në simptoma, koha dhe mënyra e shfaqjes dhe disa manovra specifike për të sqaruar shkaqet e dhimbjeve për të vijuar më pas me një diagnozë të saktë diferencuese (për shembull duke bërë presion e duke e lëshuar menjëherë në anën e djathtë poshtë në pjesën e barkut).

Nëse ka ende dsyshime për diagnozën, atëherë vijohet me analiza laboratorike dhe analiza të tjera.

Analizat në laborator dhe analiza të tjera
Analizat e gjakut duhen për të zbuluar ndonjë shenjë të infeksionit, si për shembull rritje e rruazave të bardha, dhe gjithashtu mund të tregojnë dehidratim apo çekuilibër të lëngjeve dhe elektroliteve.

Analiza e urinës shërben për të përjashtuar infeksionet e traktit urinar dhe në disa raste mund të jetë i nevojshëm për të përjashtuar një shtatzëni të mundshme me analizën e beta HCG.

Një tomografi e kompjuterizuar mund të ndihmojë në diagnostikimin e apendicitit dhe burimeve të tjera të dhimbjes së barkut, por më shpesh përdoret ekografia.

Një radiografi e barkut përdoret rrallë për të diagnostikuar apendicitin, por mund të kërkohet për të gjetur/përjashtuar burime të tjera të dhimbjes së barkut.

KURA DHE TRAJTIMI
Apendiciti është një urgjencë mjekësore dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Kushdo që mendon se është prekur prej tij duhet të konsultohet menjëherë me doktorin ose të kërkojë ndihmën e shpejtë. Një diagnozë e shpejtë redukton mundësitë që apendiciti të plasë, duke përmirësuar në kohë shërimin.

Zakonisht apendiciti kurohet duke e hequr kirurgjikisht apendiksin, por tendenca e viteve të fundit ka provuar se një përpjekje më konservative (me antibiotikë) kur është e mundur, dhe sigurisht pa e ekspozuar pacientin në rreziqe të panevojshme. Në lidhje me këtë një meta-analizë e publikuar së fundmi në revistën shkencore JAMA Pediatrics ka treguar se 90% e rasteve të apendicitit tek fëmijët mund të trajtohet në mënyrë efikase vetëm me ilaçe antibiotike.
Ndërhyrja kirurgjikale për të hequr apendicitin quhet apendektomia dhe mund të bëhet në dy mënyra:

Metoda më e vjetër parashikon një laparotomi , e cila heq apendiksin përmes një prerje të vetme të zonën e poshtme në të djathtë të barkut.

Metoda e re quhet video-laparo-apendektomia, ku përdoren prerje të ndryshme më të vogla duke përdorur mjete speciale kirurgjike posaçërisht për prerjet për të hequr apendicitin.

Kirurgjia laparoskopike është shkak i më pak komplikacioneve, si infeksionet post-operim, dhe të jep mundësinë të marrësh veten në një kohë më të shpejtë. Në të dy rastet procedohet me anestezi të përgjithshme.

Ndonjëherë kirurgu mund të gjendet pranë një apendiksi të shëndetshëm, dhe në këtë rast mendimi i zkaonshëm është të vijohet me heqjen për të shmangur në të ardhmen ndonjë apendicit. Shumë rrallë një ndërhyrje kirugjike mund të nxjerrë një problem krejt tjetër dhe që ndonjëherë mund të zgjidhet dhe gjatë të njëjtit operacion.

Ndonjëherë përreth apendiksit që ka plasur mund të formohet një absces (infeksion i lokalizuar, qelb) dhe që quhet absces apendesik. Ajo formohet nga trupi në tentativë për të ndalur infeksionin të përhapet. Dhe absces mund të trajtohet gjatë ndërhyrjes, më zakonisht duke e tharë para operacionit. Për të tharë atë vendoset një tub në brendësi përmes mureve të barkut, tomografia e kompjuterizuar përdoret për të gjetur vendin e saktë. Tubi i tharjes lihet aty për rreth dy javë, ndërsa antibiotikë jepen për kurimin e infeksionin.Rreth 6 apo 8 javë më vonë kur infeksioni dhe inflamacioni janë në kontroll, bëhet ndërhyrja kirurgjikale për të hequr atë që mbetet nga shpërthimi i apendiksit.

Shërimi i plotë pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodh brenda dy javëve dhe është e nevojshme të kufizohet aktiviteti fizik për të favorizuar shërimin e indeve./ MeMjekun.com

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago