Gastroeneterologji

Gastriti, nga ndryshon nga gastroenteriti? Llojet, simptomat dhe trajtimi

Fjala gastrit përdoret për të përshkruar një grup çrregullimesh me një karakteristikë të përbashkët, inflamacion të mukozës gastrike ose të stomakut.

Mukoza e stomakut përmban qeliza speciale që prodhojnë acide dhe enzima që ndihmojnë në fermentimin e ushqimit për tretjen dhe mukozës, që mbron vetëveten nga aciditeti dhe autotretja.

Kur është në inflamacion, mukoza gastrike redukton prodhimin e të dyjave, por sidomos të substancave që normalisht riveshin dhe mrbojnë muret e stomakut nga veprimi i acidit gastrik.

GASTRIT APO GASTROENTERIT

Gastroenteriti, që shpesh në mënyrë jo të duhur quhet dhe gripi i zorrëve, konsiston në irritimin e stomakut dhe zorrëve, shkaktuar nga një infeksion, shpesh virus dhe më rrallë bakter.

Ndërsa gastriti është një irritim i veshjes së stomakut dhe jo gjithmonë shkaktohet nga një infeksion.

SHKAQET

Muret e stomakut normalisht mbrohen nga një mukozë që është pengesë ndaj acideve përgjegjëse për tretjen. Acident janë kaq korrozive sa në mungesë të një mbrojtje të duhur do të tretnin vetë stomakun. Nëse kjo pengesë dobësohet lëngjet tretëse do të dëmtonin dhe irritonin muret e stomakut duke shkaktuar shfaqen e vetë gastritit.

Infeksioni i helicobacter pylori
Shkaku kryesor i shfaqjes së ulçerës gastrike është pikërisht ky bakter dhe përgjegjës për një sërë rastesh të gastritit, në pjesën më të madhe të atyre kronike.
Ky bakter është ngjitës, por ende nuk është e qartë mënyra e transmetimit. Duket se njeriu është i vetëm serbator natyral në botë për këtë bakter dhe mendohet se rruga kryesore e transmetimit është ajo orale apo konsumi i ushqimeve të prekura nga feçja e personit të prekur.

Antinflamatorët dhe substancat e tjera
Një përdorim i zakonshëm apo i tepruar i antinflamatorëve josteroidë si aspirina, ibuprofeni dhe naproxen, mund të shkaktoj gastrit qoftë akut apo kronik. Abuzimi me këto ilaçe mund të reduktojë sasinë e substancave thelbësore që ndihmon në mbrojtjen e mukozës së brendshme të stomakut duke e ekspozuar pacientin në zhvillimin e këtyre problemeve.

Përveç antiinflamatorëve përgjegjës janë dhe disa substanca si alkooli, kokaina, bile e prodhuar nga mëlçia

Gastriti autoimun
Në këtë formë gastriti, sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e shëndetshme të stomakut, duke i ngatërruar si një kërcënim që duhet luftuar.

Gastriti autoimun ndodh më shumë tek pacientet me patologji autoimune dhe mbi të gjitha në popullsinë e moshuar.

SIMPTOMAT

Jo gjithmonë shfaqen simptoma por mund të vihet re përmes mënyrave të ndryshme, sipas rasteve. Më të shpeshtë janë një bezdisje epigastrike, djegie dhe urth siç e quajmë në të përditshmen tonë.

Mes simptomave të gastritit kujtojmë:
Djegie të stomakut
Të vjella
Rënie oreksi
Enjtje
Ndjesi e stomakut plot pas vakteve
Dobësim

Dhimbja mund të përkeqësohet ose përmirësohet duke ngrënë.

Gastriti akut shfaqet papritur dhe provokon me mundësi më të madhe të vjella, djegie dhe dhimbje stomaku.

Ndërsa gastriti kronik, zhvillohet ngadalë dhe në pjesën më të madhe provokon dhimbje të stomakut ndjesinë e stomakut plot dhe humbje të oreksit pasi keni ngrënë shumë pak kafshata. Nëse forma kronike nuk trajtohet mund të zgjasë me vite ose dhe gjithë jetën.

Në disa raste shfaqet dhe gjakosje gastriti, por shumë rrallë kjo simtpomë është e rëndë.

KUR DUHET T’I DREJTOHENI MJEKUT

Të gjithë mund të kemi provuar një herë në jetë të kemi pasur dhimbje stomaku apo urth dhe në pjesën më të madhe menaxhohet me vetëmjekim me antiacide, por kur duhet ti drejtoheni mjekut?

Mjekut duhet ti drejtoheni kur simptomat i keni për të paktën një javë ose më shumë, keni dhimbje veçanërisht të fortë, ka një lidhje të mundshme me ilaçet që përdorni.

Duhet ti drejtoheni urgjencës në rast se simptomat lidhen dhe me gjakosje gastrite si: gulçim, marrje mendsh ose ndjesi të fikti, feçe e zezë si katran që tregon praninë e gjakut të gëlltitur, feçe me gjak të kuq të shndritshëm, dobësi dhe zbehje.

RREZIQET

Zhvillimi varet nga shkaku, por shpesh nuk është shumë i rrezikshëm. Pjesa më e madhe e formave aspecifike të gastritit kronik nuk ka simptoma, por ama ky gastrit është faktor rreziku për ulçerën e stomakut dhe polipet apo tumoret e stomakut beninj apo malinj.

Disa persona me gastrit kronik të shkaktuar nga bakteri H. pyulori apo me gastrit autoimun zhvillojnë një gastrit atrofik. Kjo e fundit shkatërron qelizat e mukozës së stomakut që prodhojnë acidin dhe enzimat tretëse. Gastriti atrofik çon në dy lloje kanceri: kancerin e stomakut dhe limfoma dhe indet limfoide të lidhura me mukozën e stomakut.

Në rastin e gastritit eroziv mund të shfaqet anemia, për shkak të hemorragjisë konstante të gjakut.

DIAGNOZA

Nëse mendoni se vuani nga gastriti sigurisht që duhet ti drejtoheni mjekut. Mjeku specialist për aparatin tretës për të përcaktuar diagnozën do ju kërkojë një sërë informacionesh për sëmundje të mëparshme, por në disa raste do i nënshtroheni analizave për të kuptuar shkaqet e shqetësimit tuaj.

Më të zakonshmit janë:

Analiza e gjakut. Mjeku mund tua kërkojë për të zbuluar nëse ka prani të antitrupave për bakterin H.pylori . Nëse ka, atëherë jeni në kontakt me këtë bakter ose do të thotë që infeksioni është duke u zhvilluar. Nëse në këto analiza evidentohet anemia, mund të jetë shkaktuar nga gjakosja e stomakut e lidhur me gastritin.

Testi i frymëmarrjes. Një test i thjeshtë që ndihmon të kuptohet nëse është duke u zhvilluar një infeksion nga H.pylori.

Analiza e feçes. Kjo kërkohet si për të vërtetuar nëse ka prani të bakterit H.pylori edhe për të kontrolluar nëse ka prani të gjakut në feçe.

Gastroskopia. Kjo teknikë i jep mundësi mjekut të verifikojë nëse ka anomali të traktit tretës së sipërm, që nuk janë të zbulueshëm me radiografi.

Radiografia e traktit gastrointestinal të sipërm. Radiografia e stomakut bëhet për të zbuluar shenjat e gastritit dhe probleme të tjera të aparatit tretës. Zakonisht bëhet pasi keni pirë një lëng që rivesh mukozën e brendshme të aparatit tretës duke dalë më mirë në filmin radiografik

KURA DHE TERAPIA

Trajtimi i gastritit varet nga faktorë specifikë si për shembull:
Forma akute e shkaktuar nga AIJS ( ilaçet antiinflamatore josteroide) ose alkooli, dhe mund të lehtësohet duke shmangur përdorimin e substancave të përfshira.

Forma kronike e shkaktuar nga bakteri H.pylori që kurohet duke eliminuar bakterin përmes një politerapie me antibiotikë të përshkruar nga mjeku.

Pjesa më e madhe e trajtimit përfshin ilaçe që kurojnë aciditetin e stomakut, në mënyrë që të reduktojë ashpërsinë e simptomave dhe të inkurajojë procesin e shërimit të stomakut.

Kura për aciditetin e stomakut

Acidet e stomakut irritojnë indet e stomakut që janë në inflamacion, duke provokuar dhimbje dhe duke përkeqësuar inflamacionin. Pikërisht për këtë terapitë në pjesën më të madhe të rasteve të gastritit përfshijnë ilaçe që reduktojnë ose neutralizojnë aciditetin e stomakut. Mes tyre janë:
Antiacidet. Antiacidet e disponueshme në farmaci pa recetë nga mjeku si Maalox apo Anacidol etj., në formë lëngu ose tablete, përbëjnë terapinë më të zakonshme për rastet e gastritit të lehtë. Antiacidet neutralizojnë acidet gastrite dhe janë në gjendje të reduktojnë shumë shpejt dhimbjen.

Ilaçet antiulçerë (ose antihistaminikët anti-H2). Nëse antiacidet nuk janë mjaftueshëm efikase mjeku mund tju këshillojë këto lloj ilaçesh si cimetidina, nizatidina apo famotidina që ndihmojnë në reduktimin e sasisë së acidit të prodhuar nga stomaku.

Ilaçet frenuese të pompimit të acideve. Ato synojnë të reduktojnë aciditetin duke bllokuar veprimin e pompave në brendësi të qelizave të stomakut që sekretojnë lëngjet e acideve. Mes ilaçeve të kësaj kategorië kujtojmë: omeprazole, lansoprazol, rabeprazol dhe esomeprazol.

Trajtimi i infeksionit nga bakteri H.pylori

Mjekët ndjekin programe të ndryshme trajtimi për të kuruar këtë lloj infeksioni. Pjesa më e madhe përdorin kombinimin e dy antibiotikëve dhe një frenuesi të pompimit të acideve. Në disa raste shtohet dhe bismuth. Antibiotikët shkatërrojnë bakterin, ndërsa frenuesi i pompës së acideve lehtëson dhimbjet dhe të vjellat, kuron inflamacionin dhe rrit efikasitetin e antibiotikëve.

Për të konfirmuar se H.Pylori është eliminuar plotësisht, mjeku mund tju kërkojë në fund të trajtimit analiza të tjera.

PARANDALIMI

Infeksioni nga H.pylori në disa raste është i pashmangshëm por disa këshilla ju ndihmojnë të mos goditeni nga gastriti.

Kufizoni përdorimin e alkoolit ose shmangeni plotësisht. Abuzimi me alkoolin është në gjendje të irritojë mukozën e stomakut duke provokuar inflamacion dhe gjakosje.

Mos pini duhan. Duhani ndërhyn në veprimin e mukozës mbrojtëse të stomakut, si dhe rrit aciditetin e stomakut, duke ngadalësuar procesin e shërimit. Për më tepër është një nga faktorët kryesorë për tumorin e stomakut.

Ndryshoni analgjezikët. Nëse është e mundur shmangni AIJS, pra aspirinën, ibuprofesnin dhe naproksenin. Këto ilaçe mund të shkaktojnë inflamacion të stomakut ose të përkeqësojnë irritimin që ekziston. Për alternativë mund të përdorni analgjezikë me bazë paracetamoli.

Gjithmonë ndiqni këshillat e mjekut tuaj. Ai mund tju këshillojë të merrni antiacidë pa recetë apo ilaçe kundër ulçerës për të parandaluar gastritin e përsëritur. /MeMjekun.com

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

6 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

8 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago