Hematologji

Pasojat klinike të deficitit të hekurit/ Ferri sulfati, preparati efektiv dhe e tolerueshme

Ferri sulfati është preparati më efektiv, më mirë i tolerueshëm dhe më pak i shtrenjtë. Aktualisht në vëndin tonë Ferri sulfati gjëndet në formën e Retaferit i cili përmban 100 mg/Fe2+. Doza ditore terapeutike e hekurit është 180-200 mg Fe elementar (metali i hekurit). Kjo dozë terapeutike ditore siguron shkallën më të madhe të rigjenerimit të Hb (pra sasia e marrë është shumë më e madhe se sasia që humbet, duke krijuar një bilanc pozitiv të hekurit).

Kjo do të thotë që duhen dy tableta në ditë. Ka edhe preparate Fe të tjera të cilat kanë më pak Fe elementar (pra ngacmojnë më pak mukozën gastrointestinale), por në të gjitha rastet duhet të merret doza ditore terapeutike e hekurit prej 180-200 mg Fe elementar. T ½ e ka rreth 6 orë. Hekuri thithet më mirë kur merret me stomakun bosh, ndërsa kur merret pas ushqimit ose së bashku me të thithja e hekurit pakësohet me 40-50%. Por irritimi i mukozës G-I është i shpeshtë kur hekuri merret me stomakun bosh. Qëllimi i mjekimit nuk është vetëm shkalla e rritjes së Hb, por dhe mirëqënia e pacientit.

Pra këshillohet pacienti ta marri preparatin e hekurit në mes të ushqimit ose pas tij, sepse suportimi i mjekimit është më i rëndësishëm se pakësimi i thithjes së hekurit. Thithja e hekurit rritet kur preparati merret në prani të lëngut të portokallit ose limonit, mishit, peshkut dhe frenohet kur merret në prani të qumështit, çajit, tetraciklinës, kinoloneve, metildopës, kalçiumit dhe çerealeve. Dhe sasia e ushqimit ka rëndësi. Sa më e madhe sasia e ushqimit të ngrënë aq më mirë do të tolerohet preparati i hekurit. Është parë gjithashtu se hekuri (kripërat e tij) tolerohen mirë kur merret duke e rritur dozën gradualisht derisa të arrihet për disa ditë doza e plotë e preparatit.

Nëse shfaqet ngacmimi i mukozës gastro-intestinale dhe kur shkalla e anemisë është e lehtë dhe/ose largohet shkaku mund të bëhet mjekimi i anemisë ferriprive me një dozë terapeutike të hekurit deri në 100 mg/ditë. Në këtë mënyrë ulim shpejtësinë e përgjigjes ndaj mjekimit, por rritim tolerancën ndaj mjekimit. Nëse pacienti nuk e toleron Ferri sulfatin, mund të përdoren kripërat e tjera të hekurit: glukonat, fumarat (të dyja të krahasuara me efektin e ferri sulfatit), laktat, suksinat. Disa prej tyre janë më të shtrenjta se Ferri sulfati.

Preparate të tjera janë:

Heferoli (Ferri fumarati) 1 kapsul 350 mg, që përmban 115 mg/Fe2+, pra dy kapsula në ditë. Zbërthimi i kapsulës ndodh në duoden. Refluksi G-D mund të shkaktojë rikthim në stomak. Në ulçerat e duodenit mund të shkaktojë dhimbje të forta. Shpeshherë pacientët që përdorin Heferol, ankojnë për rritje të TA apo rrahje të shpeshta të zëmrës. Nëse nuk shkaktohet nga hekuri mund të jetë prej përbërësve të kapsulës.
Ferri glukonati 695 mg (80 mg/ Fe2+ ) ose 300 mg (37 mg/ Fe2+).
Tot’hema (Ferri glukonati) 1 flakon 10 ml, që përmban 50 mg/Fe2+, pra 4 (2-4) flakone në ditë. Përmban gjithashtu 1.33 mg Magnez (që përmirëson lodhjen) dhe 0.7 mg Bakër (që ndihmon thithjen) dhe 3 gr sukrozë (sheqer të zakonshëm). Tek fëmijët mbi një muajsh, përdoret me dozën 5-10 mg hekur elementar/kg/ditë.

Përdorimi i kapsulave mbron dhëmbët nga nxirrja, siguron një kalim të shpejtë në stomak (pra pakëson ngacmimin e mukozës së stomakut), çlirohet në zorrë dhe aty thithet.

Preferohet që për mjekimin e anemisë ferriprive hekuri të mos merret në përbërje të komplekseve multivitamin-mikroelement, sepse sasia e hekurit që ato përmbajnë nuk e arrin dozën terapeutike të hekurit dhe nga ana tjetër lëshohet me vështirësi prej tyre duke arritur në pjesën fundore të intestinit ku dhe nuk thithet. Jepet së bashku me Acidin Folik kur ka defiçit të kombinuat të të dy elementeve ose për profilaksi gjatë shtatëzanisë.

Për të rritur sa më shumë (maximize) thithjen e hekurit, ai duhet të merret përpara ushqimeve, të shoqërohet me Vitaminë C, lëng limoni, ujë etj, të merren ushqimet dhe preparatet të cilat pengojnë thithjen e tij të paktën pas 60 minutash nga marrja e hekurit apo hekuri të merret të paktën 60 minuta pas marrjes së tyre.

Thithja rritet kur merret së bashku me Vit.C (kujdes rritjen e ngacmimit të mukozës G-I, por e rrit thithjen e hekurit deri në 7 herë), lëngun e portokalles, mishin, peshkun, acidin suksinik dhe pakësohet kur merret së bashku me drithëra, qumështin, kalçiumin dhe çajin. Në këto raste preparatet e hekurit dhe preparatet e tjera (që ndikojnë në thithjen e njëra-tjetrës) të merren me intervale 2-3 orë.

Preparatet orale të hekurit frenojnë thithjen e tetraciklinës në Traktin G-I, por dhe tetraciklina frenon thithjen e hekurit. Tetraciklina duhet të administrohet 2 orë para dhe 3 orë pas marrjes së preparateve orale të hekurit.

Preparatet orale të hekurit frenojnë thithjen e penicilaminës në Traktin G-I. Penicilamina duhet të administrohet 2 orë para dhe 3 orë pas marrjes së preparateve orale të hekurit.

Kloramfenikoli pakëson thithjen e hekurit dhe në këtë mënyrë do të vonojë përgjigjen ndaj mjekimit me preparate orale të hekurit.

Administrimi i njëkohshëm i antiacideve dhe preparateve orale të hekurit do të pakësojë thithjen e hekurit.
Të shmanget marrja e preparateve orale të hekurit 1 orë para ose 2 orë pas marrjes së antiacideve.
Marrja e njëkohshme e preparateve orale të hekurit dhe të kinoloneve orale (ciprofloksacina, norfloksacina, ofloksacina) do të pakësojë thithjen e kinoloneve orale. Kinolonet duhet të administrohen 2 orë para ose 3 orë pas marrjes së preparateve orale të hekurit.

Marrja e njëkohshme e preparateve orale të hekurit dhe metildopës dhe tiroksinës (tek pacientët me hipotiroidizëm) do të pakësojë thithjen e këtyre të fundit. Metildopa dhe tiroksina duhet të administrohen 2 orë para dhe 3 orë pas marrjes së preparateve orale të hekurit.

Të mos merret njëkohësisht (por 1 orë para ose 2 orë pas) marrjes së preparateve apo ushqimeve që përmbajnë kalçium (qumështi, djathi etj), çajit (tanina).

Thithja e hekurit është në varësi të nivelit të ferritinemisë dhe është më e madhe në ditët e para të mjekimit. Kështu është parë se deri në ditën e 20 të mjekimit hekuri thithet rreth 13.5% e dozës ditore, ndërsa nga dita e 21-30 sasia e hekurit që thithet bie në 5.1%. Preparatet e hekurit pakësojnë thithjen e tetraciklinës, preprateve të kalçiumit, ciklosporinës dhe këto shfaqin të njëjtin efekt kundrejt hekurit. Një sasi më e madhe ushqimi ndikon në pakësimin e ngacmimit të mukozës.

Mendohet që për të rritur tolerancën G-I të fillohet preparati i hekurit me dozë më të vogël dhe të rritet gradualisht, derisa për disa ditë të arrihet doza e plotë. Kujdes duhet të tregohet në përdorimin e preparateve të hekurit në trajtimin e pacientëve me: ulçër të stomakut, enterit, kolit ulçeroz, hepatit, cihrrozë, pankreatit, hemokromatozë, anemi hemolitike kronike. Mjekimi i zgjatur mund të shkaktojë konstipacion. Nëse ka ngacmim të mukozës të Traktit G-I, të parën hiq Vitaminën C, që përdoret si preparat ndihmës, por jo i domosdoshëm.

Hekuri thithet më mirë kur merret me stomak bosh (pas ngrënies thithja pakësohet me 40-50%). Hekuri thithet kur merret para ushqimit 10 % (është dhe në varësi të shkallës së anemisë) dhe kur merret pas ushqimit thithet vetëm 1 %. Por dhe çrregullimet G-I janë më të theksuar kur merret me stomakun bosh. Duke preferuar pakësimin e ngacmimit të mukozës G-I (pra mirëqënien e pacientit) në krahasim me reduktimin e thithjes së hekurit, këshillohet pacienti që ti marri tabletat e hekurit në mes ose menjëherë pas ushqimit.

Fe2+ ngacmon më tepër mukozën G-I. Efektet të tjera anësore përveç intolerancës gastrike (nauze, të vjella, dhimbje ose shqetësime gastrike) janë diarrhea, konstipacioni, dhimbje ose shqetësimë abdominale dhe në disa raste reaksione alergjike që shkojnë deri në anafilaksi. Nga mjekimi me preparate hekuri (Retaferi dhe Heferoli) shumë pacientë po ankohen për rritje të TA dhe dhimbje koke.

Të këshillohet pacienti për të minimizuar (minimize) sa më shumë të jetë e mundur rrezikun e këtyre efekteve. Për të lehtësuar kalimin në stomak (ose nga stomaku në duoden) dhe kështu për të ulur potencialin për irritim ezofageal (gastrik), tabletat e Retaferit duhet të gëlltiten si një e tërë (të mos mbahet në gojë ose të copëtohet) me një gotë plot me ujë, ndërsa pacienti qëndron në pozicionin në këmbë ose ulur. Pacienti nuk duhet të shtrihet për 60 minuta pas marrjes së preparatit. Mund të merren preparate në kapsula dhe hekur trevalent me komplekse të ngjashme me hemin.

Efekte anësore. Alergjia nga hekuri i marrë nga goja është e rrallë. Gjithsesi intoleranca ndaj hekurit të marrë per os është e zakonshme. Efektet më të shpeshta anësore janë ngacmimi i mukozëz të Traktit G-I, nauze, të vjella, diarre, ndonjëherë konstipacion, feçe me ngjyrë të errët (kujdes ngjyra e errët e feçeve vjen jo vetëm nga mjekimi, por dhe ushqimet që përmbajnë hekur, hemoragji nga pjesa e sipërme e Traktit G-I, rrjedhje gjaku nga hunda që gëlltitet).

Për ti minimizuar përdoren disa strategji:

Fillohet me një dozë më të vogël dhe rritet gradualisht.
Të ndahet në 2-3 doza gjatë ditës.
Të përdoret doza më e vogël efektive ditore.
Të përdoret hekuri së bashku me ushqimet.
Të përdoren kripërat organike të hekurit (p.sh, fumarat).
Të përdoret hekuri në darkë, pas ushqimit.
Të hiqet Vitamina C (është ndihmëse, por jo domosdoshmëri si vetë preparati i hekurit).
Të përdoren rrugë alternative (p.sh, parenteral).

Mjekimi me preparate Fe vazhdon minimumi tre muaj (6 javë për të zhdukur shënjat dhe 6 javë për të mbushur depot). Minimum 3 muaj, të paktën kur nuk bëjmë ferritineminë para dhe pas mjekimit. Mjekimi mund të vazhdojë dhe më gjatë nëse nuk eleminohet shkaku. Nëse nuk mbushen depot e hekurit anemia mund të përsëritet. Mbushja e depove vlerësohet me normalizimin e ferritinemisë.

Nëse do të mbushësh vetëm depot p.sh, Hb normale dhe ferritina e ulët do të jepet hekur për 6 javë (1-2 muaj).

Si në trajtimin e AF me preparate të hekurit parenteral dhe me hemotransfuzione, nuk do të rritet ferritinemia (pra rezervat e hekurit që në fillim), por në filllim do të korrigjohet AF dhe pastaj do të mbushen depot e hekurit. Pra me dozat e para nuk ka se sit ë rritet ferritnemia.

Feçet do të jenë në ngjyrë të zezë në jeshile nga Fe. Të mos përtypet tableta e preparatit të hekurit sepse do të shkaktojë nxirjen e dhëmbëve.

Kapsulat të japin mundësinë që hekuri të mos ngeli në gojë, pra të nxijë dhëmbët, pakësojnë ngacmimin e mukozës G-I, por pakësohet thithja e hekurit.

Për fëmijët përdoren solucione me Fe dhe dozat ndryshojnë në vartësi të përmbajtjes së tij dhe të peshës së fëmijës. Zakonisht preferohet 1.5-3 mg/kg/ditë hekur elementar e ndarë në 2-3 marrje. Preferohet përsëri rritja graduale deri në arritjen e dozës së plotë pas disa ditësh.

Artikull nga dr. Sotiraq Lako
Hematolog
Spitali Amerikan 1

MeMjekun

Share
Published by
MeMjekun

Recent Posts

Çfarë duhet të konsumoni kur keni temperaturë?

A e keni dëgjuar ndonjëherë shprehjen anglo-saksone : "Feed a Cold, Starve a Fever"? E…

1 month ago

LISTA/ Shënuesit e tumorit (tumor marker), si ti dallojmë për kë lloj bëhet fjalë?

Një shënues tumori (tumor marker) është çdo gjë e pranishme ose e prodhuar nga qelizat…

1 month ago

Nga cikli menstrual tek kockat, ja pse gratë duhet të marrin magnez?

" Magnezi, një aleat i mirëqenies femërore: ja si ta përdorni dhe pse do të…

1 month ago

Llojet e varësisë, sa dhe cilat janë?

Varësia është një gjendje kronike e karakterizuar nga pamundësia për të kontrolluar sjelljen ose përdorimin,…

1 month ago

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

1 year ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

1 year ago