Mirëqenie

Sindroma e Hyperemesis nga kanabinoidët, çfarë është dhe si trajtohet

Abuzimi me marijuanën apo kanabisin provokon një sërë pasojash sistemike në trupin tonë. Disa pasoja janë pak të njohura, si hyperemesis (shën. redaksisë për kuptimin: shtim i të vjellave dhe të përzierave) nga kanabinoidët, një gjendje bezdisëse në fakt.

Hyperemesis nga kanabinoidët është një sindromë që shfaqet tek konsumatorët kronikë të marijuanës. Karakterizohet nga episode të herëpashershme të vjellash, të përzierash dhe dhimbje barku që qetësohen me një banjë të ngrohtë. Gjithashtu këto simptoma zhduken kur ndërpritet konsumi i saj.

FAZAT E HYPEREMESIS NGA KANABINOIDËT

Sipas studimeve njihen tre faza kryesore, që kanë dallime të theksuara mes tyre. Ato janë faza prodromale, hyperemesis dhe rikuperimi.

1. Faza prodromale
Kjo është faza fillestare e sindromës: simptomat janë të lehta dhe nuk kufizojnë aktivitetin e përditshëm. Kjo fazë karakterizohet nga prania e të përzierave në mëngjes dhe dhimbje barku.

Pacienti mund të jetë në këtë gjendje për shumë muaj apo vite pa pasur një diagnozë të saktë. Vonesa në diagnostikim shpesh ndodh për faktin se personi nuk e pranon që përdor marijuanë dhe simptomat lidhen me të tjera patologji.
Por ndërkohë, nga ana tjetër, përdorimi mjekësor i marijuanës njihet pikërisht për të ndërprerë të vjellat dhe të përzierat, apo dhe lehtësimin e dhimbjeve kronike. Ky fakt e shtyn përdoruesin të rrisë sasinë e kanabisit për të përmirësuar simptomat, por në fakt përshpejton progresin e çrregullimit.

2. Faza e hyperemesis

Kjo fazë karakterizohet nga prania e simptomave të dukshme klinike. Të vjellat dhe dhimbja e barkut përkeqësohet papritur, derisa të shkaktojë invaliditet. Simptomat janë ciklike dhe zgjasin mes 24 dhe 48 orë.

Sindroma përmirësohet pas dushit me ujë të ngrohtë. Kjo shpjegon nevojën për të bërë shpesh dush.

3. Faza e shërimit

Karakteristika kryesore e kësaj faze është zhdukja e simptomave. Zvogëlohet ndjeshëm nevoja për të bërë dush të ngrohtë. Të vjellat dhe dhimbjet e barkut zhduken tërësisht. Kohëzgjatja e kësaj faze është e ndryshme, nga muaj në vite. Megjithatë duhet theksuar se rikthehet nëse nis sërish përdorimi i kanabisit.

SIMPTOMAT

Simptomat kryesore janë të vjellat dhe çrregullime abdominale. Intensiteti i shenjave varet nga shkalla e sëmundjes.

Simptoma të tjerë të lidhura janë:

Të përziera konstante dhe intensive
Humbje të oreksit
Humbje peshe në mënyrë të pavullnetshme
Rritje e frekuencës kardiake.

Pjesa më e madhe e këtyre simptomave ka të njëjtën kohëzgjatje të fazës së hyperemesis, pra 1-2 ditë. Sidoqoftë ajo mund të zgjasë më shumë nëse vijohet me përdorimin e vazhdueshëm të marijuanës.

NDËRLIKIMET E MUNDSHME

Ndërlikimet apo komplikacionet kryesore të sindromës së hyperemesis nga kanabinoidët është dehidratimi. Të vjellat e vazhdueshme sjellin humbje të dukshme të lëngjeve dhe elektrolitëve, me pasoja të ndryshme në nivelin sistemik.

Humbja e ujit dhe elektrolitëve bën që trupi të humbasë ekuilibrin natyral. Mund të ketë ndërlikime të tilla si:

Kontraktime të pavullnetshme të muskujve
Konvulsione
Dobësi e përgjithshme e trupit
Shok
Aritmi
Pamjaftueshmëri të veshkave.

SHKAQET

Shkaku i saktë i saj ende nuk dihet, por duhet të dimë se bëhet fjalë për një sindromë të zbuluar në 2004, prandaj ka nevojë për të tjera studime të thelluara.

Studime të ndryshme sakaq, kanë gjetur disa faktorë që mund të shpjegojnë shfaqjen e kësaj sindrome. Të gjitha teoritë marrin në konsideratë ndërveprimin e tetraidrokanabinolit (THC) dhe përbërësve të tjerë aktivë me receptorë të sistemit gastrointestinal.

Sipas një prej teorive më të besueshme, THC ndërvepron me receptorin CB1. Ndërveprimi i vazhdueshëm sjell ndryshime të aparatit tretës dhe nxit shfaqjen e simptomave. Sidoqoftë, edhe gjenetika luan një rol thelbësor, pasi jo të gjithë konsumatorët shfaqin sëmundjen.

DIAGNOZA

Diagnoza e hyperemesis nga kanabinoidi është një sfidë për specialistët. Kjo pasi pacienti ka tendencën të fshehë faktin se përdor marijuanë çka e bën më të vështirë diagnostikimin e hershëm dhe të shpejtë.

Analizat laboratorike nuk janë të nevojshme për të identifikuar sindromën, prandaj mjekët shpesh i besojnë klinikës dhe historisë së përdorimit. Aktualisht ka një seri kriteresh që lehtësojnë diagnozën, mes të cilave spikasin këto më poshtë:

Përdorimi i shpeshtë i marijuanës për më shumë se një vit.
Të përziera e të vjellja ciklike pas konsumit.
Dush i ngrohtë që lehtëson të vjellat.
Zhdukje të simptomave kur nuk përdoret kanabis.

Njerëzit nën 50 vjeçv janë më të prekur nga kjo gjendje, prandaj dhe mosha merret në konsideratë. Hyperemesis nga kanabinoidët mund të ngatërrohet me sindromën e të vjellës ciklike apo shqetësime të tjera të ngjashme. Në këtë mënyrë, historiku i përdorimit të marijuanës konsiston në bërjen e një diagnoze përjashtuese.

TRAJTIMI DHE PARANDALIMI

Trajtimi i hyperemesis nga kanabinoidi gjatë fazës së të vjellave konsiston në lehtësimin e simptomave dhe shmangien e dehidratimit. Prandaj duhet të pini shumë lëngje për të shmangur ndërlikimet. Për më tepër, përdorimi i antiemetikëve mund të ulë intensitetin.

Shtrimi në spital do të jetë i nevojshëm në rastet më të rënda apo kur ka më shumë ndërlikime. Sidoqoftë, trajtimi përfundimtar është të hiqni dorë nga marijuana. Simptomat zhduken për rreth 1 apo 2 ditë nga ndërprerja e përdorimit.

Problemi i vërtetë është se marijuana krijon varësi, pra, mund të jetë shumë i vështirë të hiqet dorë. Prandaj pacienti do të riniste me lehtësi konsumin e kanabisit dhe simptomat rishfaqen menjëherë.

E NËNDIAGNOSTIKUAR SI SINDROMË

Fatkeqësisht është një sindromë pak e njohur me simptoma shumë të përgjithshme, kështu që mund të ngatërrohet me gjendje të tjera shëndetësore. Kjo është arsyeja pse në shumicën e rasteve është nëndiagnostikuar. Në prani të simptomave karakteristike, rekomandohet të shkoni te mjeku, pa fshehur informacione apo të dhëna të rëndësishme./ MeMjekun.com

Burimi referues: NCBI

SHËNIM: Informacionet e publikuara në portalin memjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

7 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

9 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago