Rotavirusi është shkaktari kryesor i diarresë virusale. Mbi 50% e diarreve shkaktohen nga rotaviruset. Prek më shumë fëmijët 0-1 vjeç, por edhe më të rritur. Shenjat çfaqen 1-3 ditë pas infektimit.
Mënyrat e përhapjes janë nga ushqimet e ndotura, ujit, kontaktit me duart e palara. Një fëmijë mund të marrë rotavirusin aksidentalisht nga një fëmijë tjetër që ka rotavirus. Kjo mund të ndodhë nëse një fëmijë vendos në gojë duart e palara ose një objekt, ushqim ose lëngje të kontaminuara
Infeksioni dëmton qelizat e qimeve thithëse në zorrët e holla ( Enterocitet) dhe shkakton gastroenterit i cili shpesh quhet “grip stomakut” pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje me gripin.
Rotavirus u zbulua në 1973 nga Ruth Bishop dhe kolegët e saj me anë të imazheve të mikrografisë elektronike dhe përbën afërsisht një të tretën e shtrimeve në spital për diarre të rëndë tek foshnjat dhe fëmijët. Rëndësia e tij historikisht është nënvlerësuar.
Përveç ndikimit të tij në shëndetin e njeriut, rotavirus infekton edhe kafshët e tjera, dhe është një patogjen i bagëtive.
Enteriti rotaviral zakonisht është një sëmundje që vetëshërohet pas një jave.Por në vitin 2013, rotaviruset shkaktuan 37 % të vdekjeve të fëmijëve nga diarreja dhe 215,000 vdekje në të gjithë botën.
Diarre të rëndë, të ujshme në ngjyrë të verdhë, rrallë me mukus në feçe , të vjella, ethe, dhimbje barku, fryrja e zorrëve nga gazrat. Disa fëmijë me sëmundje rotavirusi humbasin shumë lëngje dhe bëhen shumë të dehidratuar.
Trajtimi është simptomatik.
Së pari konsiston në dhënien e lëngjeve nga goja si psh çaj, Tresol, ujë.
Qetësuesit e temperaturës sipas rastit ,
Dieta hidrike zgjat 6-12 orë, duke i siguruar një kalorazh ushqimor normal fëmijës.
Përdoret kosi me banane, supë me karrota, supë orizi, pure patate, pa qumësht, pa yndyrë (ditën e parë).
Më vonë shtojmë djathin e bardhë sepse rregullon përthithjen e ushqimit për shkak të fermenteve që ka.
Antibiotikët nuk veprojnë.
Është e ndaluar rreptësisht të jepet Loperamid fëmijëve të vegjël, për shkak se ngadalëson peristaltikën e zorrëve dhe përkeqëson gjendjen duke shtuar përthithjen e toksinave të viruseve, apo edhe të mikrobeve.
Me futjen e vaksinës së re, kjo sëmundshmëri ulet shumë.
Kalendarit të vaksinimit në Shqipëri ju shtua edhe vaksina ndaj rotavirusit, e detyrueshme për të gjithë fëmijët në vitin e parë.
Vaksina e rotavirusit jepet nga goja me 3 doza në moshat 2, 4 dhe 6 muaj. Vaksina ka sjellë ulje të rasteve të kësaj sëmundje.
Vlen të theksohet se diarreja virusale zhvillohet më tepër në stinën e dimrit dhe në mot të lagësht.
Kurse diarretë e verës, janë më tepër me origjinë mikrobike, si psh mikrobi i salmonelës , shigelës dhe Escherichia Coli.
Më rrallë janë ato parazitare nga Lamblia , Ameba, Adenoviruset, Vibrioni i kolerës, etj.
Në përputhje me gjendjen e përgjithshme , për të bërë diagnozën diferenciale me këto të fundit, kërkohen analiza të mëtejshme.
Siç procedohet për të gjitha sëmundjet infektive, bëhet kontrolli higjeno-sanitar, dezinfektimi i mjediseve kolektive, klorinimi i ujit etj.
Artikull na dr. pediatre Zerina Sheme. Per me shume ndiqni videon:
Shumë gra pas moshës 45-50 vjeç vënë re se, edhe pse ushqehen si më parë,…
Një trajtim më pak invaziv për kancerin e prostatës mund të jetë po aq efektiv…
Diarreja eksplozive karakterizohet nga tkurrje të forta të zorrëve, rritje të vëllimit në rektum dhe…
Nivelet mesatare të testosteronit tek burrat janë përgjysmuar gjatë 50 viteve të fundit, sipas shkencëtarëve,…
Fillerat janë substanca të injektueshme (në indin nënlëkuror ose në dermën e thellë) që përdoren…
Sindroma Paramenstruale (PMS) prek 20 deri në 50% të grave në moshë riprodhuese, dhe 5%…