Laborator dhe Radiologji

Analiza e triglicerideve, vlerat e larta dhe të ulëta. Çfarë duhet të dimë?

Përveçse duhet mbajtur në kontroll tensioni dhe niveli i kolesterolit është edhe një parametër tjetër i nevojshëm për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare dhe bëhet fjalë për trigliceridet.

Ato janë një nga llojet e ndryshme të yndyrës (lipideve) të pranishme në gjak. Nëse merren në mënyrë të rregullt kalori të tepërta, sidomos kalori boshe si sheqernat apo yndyrna me cilësi të dobët mund të keni trigliceride të larta sepse:

Janë lloji i yndyrës së pranishme në ushqimet e konsumuara me regjimin ushqimor,
Por mbi të gjitha pasi organizmi konverton në trigliceride çdo kalori që merret me ushqimin si masë për nevojat e menjëhershme, për ti magazinuar më pas në qelizat dhjamore. Më pas hormonet lëshojnë trigliceridet për të siguruar energji mes vakteve.

Në momentin që tretja ka “thyer” këto molekula të triglicerideve ato përthithen në gjak i cili i shpërndan ato në qeliza të ndryshme të trupit:

Një pjesë përdoret menjëherë si burim energjie,
Pjesa tjetër magazinohet për nevoja të mëvonshme.

Një prani e madhe e triglicerideve në gjak shton rrezikun e sëmundjeve koronare, sidomos te gratë; faktorët e rrezikut që rrisin vlerat e tij janë mbipesha, jeta sedentare, duhan-pirja, konsumi i tepërt i alkoolit, regjimi ushqimor i pasur me karbohidrate, disa sëmundje dhe disa ilaçe.

Vërehet se hipertrigliceridemia është një faktor rreziku më vete, pasi rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare pavarësisht vlerave të kolesterolit.

Përmirësimi i stili të jetesës është shpesh i mjaftueshëm për të mbajtur në kontroll këto vlera, ndërsa disa pacientë (me vlera të lartë dhe/ose rrezik të lartë kardiovaskular) mund të nevojitet dhe marrja e disa ilaçeve.

VLERAT NORMALE

Një analizë e thjeshtë gjaku ju tregon nëse trigliceridet janë brenda kufijve normalë.

Normale: më pak se 150 miligram
Në kufijtë e sipërm të normës: nga 150 në 199 mg/dl
Të larta: 200 deri në 400 mg/dl
Shumë të larta: mbi 400 mg/dl

Mjeku në përgjithësi kontrollon vlerat bashkë me kolesterolin (të ashtuquajturin profil lipidik). Gjaku duhet të merret esëll për një matje të saktë të triglicerideve, pasi vlerat kanë tendencën të ndryshojnë me stomakun plot.

Alkooli dhe disa ilaçe mund të ndërhyjnë në rezultatin e analizave, prandaj është e rëndësishme që mjeku të jetë i informuar për ndonë trajtim që ndjek pacienti, përfshi edhe suplemente. Mos e ndërprit apo ndryshoj trajtimin pa udhëzimin e mjekut.

NDRYSHIMI MES TRIGLICERIDEVE DHE KOLESTEROLIT

Trigliceridet dhe kolesteroli janë lloje të ndryshme lipidesh që qarkullojnë në gjak:

Triglicerdiet ruajnë kaloritë e papërdorura dhe rifurnizojnë trupin me energji
Ndërsa kolesteroli përdoret për të ndërtuar qelizat dhe disa lloje hormonesh.

Vihet re se pas një vakti ushqimi përqëndrimi i triglicerideve në gjak mund të rritet ndjeshëm, ndërsa niveli i kolesterolit preket më pak në një periudhë kaq të shkurtër.

Meqënëse trigliceridet dhe kolesteroli nuk shpërndahen në gjak, qarkullojnë në të gjithë trupin me ndihmën e proteinave specifike.

TRIGLICERIDET E LARTA (HIPERTRIGLICERIDEMIA)

Termi hipertrigliceridemia përcakton një gjendje ku pacienti ka një sasi të tepërt të triglicerideceve në gjak, një situatë e lidhur me rrezikun e ngurtësimit dhe trashjes së mureve të arterieve (ateroskleroza) që është një faktor i rëndësishëm i rrezikut të zhvillimit të një iktusi, sulmi në zemër dhe kardiopati.

Tigliceridet e larta për shembull në nivel mbi 1 mijë mg/dl dhe mund të shkaktojnë drejt përdrejtë pankreatit akut.

Një rritje e vlerave për fat të keq është pa simptoma, që do të thotë se pa bërë analizën e gjakut nuk mund të kuptojmë që kemi vlera shumë të larta.

Shkaqet kryesore të hipertrigliceridemisë janë një regjim ushqimor i pasur me karbohidrate, një regjim ushqimor i pasur me shumë yndyra, obeziteti, insulino-rezistenca, diabeti, konsumi i tepërt i alkoolit, pamjaftueshmëria e veshkave, predispozicioni gjenetik, disa ilaçe, apnea obstruktive e gjumit, hipotiroidizmi dhe lupus.

Tek disa pacientë prodhimi është endogjen dhe pa shkaqe të dukshme (idiopatike).

Kur bashkë me të kemi dhe tension të lartë, obezitet dhe hiperglicemi diagnostikohet sindroma metabolike, një gjendje që përbën një faktor të rëndë kardiovaskular.

DISA KËSHILLA PËR ULJEN E VLERES SE TRIGLICERIDEVE

Më herët e kemi thënë që është kyçe përshtatja e një stili jete të shëndetshme:

Dobësimi. Nëse mbipesha, qoftë dhe humbja e 2-4 kg ndihmon në zvogëlimin e triglicerideve. Motivohuni duke u përqëndruar në përfitimet e humbjes së peshës, pasi rrit energjinë dhe përmirëson shëndetin.

Reduktimi i kalorive. Kaloritë e tepërta konvertohen në trigliceride dhe magazinohen si yndyrë. Reduktimi mi kalorive redukton dhe vlerat.

Shmangni ushqimet që kanë sheqer të rafinuar. Karbohidratet e thjeshta, si sheqeri dhe ushqimet e bazuara në miellin e bardhë mund të rrisin trigliceridet.

Zgjidhni yndyrna më të shëndetshme. Zëvendësoni yndyrnat e ngopura që ka mishi me ato të pangopura që përmbajnë vegjetalet, si ullinjtë, arrat, dhe kolëza. Konsumoni peshk të pasur me omega 3 si merluci apo salmoni, në end të mishit të kuq.

Konsumoni më shumë fibra, përmes frutave, perimeve, miellrave integrale në bukë, makarona dhe bishtaja.

Përdorni më shumë ushqime me origjinë bimore, duke zëvendësuar pjesë të proteinave mishit me bishtaja dhe sojë.

Zvogëloni konsumin e alkoolit. Alkooli ka shumë kalori dhe sheqer dhe ka efekt të fuqishëm tek trigliceridet. Dhe sasi të vogla alkooli mund të rrisin nivelin në mënyrë të ndjeshme.

Bëni rregullisht aktivitet fizik. Vendoseni si objektiv që të paktën 30 minuta aktivitet fizik të bëni çdo ditë, pasi ul nivelin e triglicerideve dhe fuqizon kolesterolin “e mirë”.

TRAJTIMI ME ILAÇE

Nëse adoptimi i një stili jetese të shëndetshme nuk mjafton për të kontrolluar nivelin e triglicerideve, mjeku mund tju rekomandojë edhe:

Statina: janë ilaçet anti-kolesterol nëse kolesteroli “i mirë” (HDL) është i ulët dhe ai “i keq” (LDL) është i lartë. Statina janë atorvastatina (lipitori) ose simvastatina. Dhimbja muskulare mund të jetë një efekt anësor i tyre.

Vaji i peshkut: suplemente ushqyese me omega 3 gjithashtu ndihmon në uljen e nivelit të triglicerideve. Megjitahtë kërkohen doza shumë të larta de kjo në përgjithësi u këshillohet personave me nivel të triglicerideve më të lartë se 500 mg/dl.

Fibratet: për shembull fenofibrati dhe gemfibrozil mund të reduktojnë nivelin e triglicerideve. Ato janë më efikase tek personat me vlera të triglicerideve mbi 500 mg/dl. Por kujdes, fibratet mund të rrisin rrezikun e efekteve të padëshiruara nëse merren bashkë me statinat.

Nëse mjeku ju jep ilaçe për të ulur nivelin e triglicerideve duhet ti merrni duke ndjekur udhëzimet e tij.

Ju kujtojmë se sa e rëndësishme është zgjedhja e një stili jete të shëndetshme. Ilaçet mund të ndihmojnë po përshtatja e stilit të jetesës për të ulur nivelin e triglicerideve është më e rëndësishme dhe për rrezikun kardiovaskular. / MeMjekun.com

MeMjekun

Recent Posts

Çfarë është haloterapia, apo terapia e kripës dhe pse është e nevojshme?

E njohur dhe si terapia e kripës, haloterapia është një trajtim alternativ që përfshin ekspozimin…

7 months ago

Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet

Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar…

9 months ago

Çfarë duhet të dimë për ecodoppler dhe kur duhet kryer

Ekografia është ndër mjetet më të përdorura në mjekësi për ekzaminimet. Një nga inovacionet e…

9 months ago

Çfarë janë viruset dhe si vepron ai i gripit

Virus në latinisht d.m.th helm. Viruset qëndrojnë ne mes kufirit të së gjallës dhe të…

10 months ago

Çfarë është Mineralometria Kockore e Kompjuterizuar, apo densiteti i kockave

Ekzaminimi i densitometrisë së kockave tregon nëse jeni prekur nga osteoporoza apo se shëndeti i…

10 months ago

Rëndësia e vitaminës D dhe si duhet ta marrim

E RENDESISHME! Ky artikull është vetëm për të rriturit dhe jo fëmijët. Rekomandohet se para…

10 months ago