Mbrojtja imunitare gjatë dimrit, vitaminat dhe suplementet e nevojshme

suplementet

Me ardhjen e muajve të ftohtë, shumë njerëz i drejtohen vitaminave dhe suplementeve ushqimore me shpresën se do të forcojnë sistemin imunitar dhe do të shmangin gripin apo virozat sezonale. Por a është vërtet e nevojshme të marrim suplemente gjatë gjithë dimrit?

Sipas specialistëve, përgjigjja varet nga ushqyerja, gjendja shëndetësore dhe nevojat individuale të organizmit. Një person që ushqehet në mënyrë të ekuilibruar dhe nuk ka mungesa të dokumentuara të vitaminave apo mineraleve, zakonisht nuk përfiton domosdoshmërisht nga marrja shtesë e tyre.

Vitamina C, D dhe zinku: çfarë roli kanë?

Disa vitamina dhe minerale janë të rëndësishme për funksionimin normal të sistemit imunitar.

  • Vitamina C ndihmon në funksionimin normal të sistemit imunitar dhe mbron qelizat nga stresi oksidativ. Gjendet te agrumet, kivi, specat, brokoli dhe frutat e perimet e freskëta.
  • Vitamina D luan rol në rregullimin e përgjigjes imunitare. Gjatë dimrit, ekspozimi më i pakët në diell mund të ndikojë në prodhimin e saj nga organizmi.
  • Zinku është i rëndësishëm për zhvillimin dhe funksionimin e qelizave imunitare. Burime të tij janë mishi, peshku, vezët, bishtajoret dhe frutat e thata.
    Këta nuk janë të vetmit elementë të rëndësishëm. Edhe vitamina A, vitaminat B6 dhe B12, folatet, hekuri, bakri dhe seleni kontribuojnë në funksionimin normal të sistemit imunitar.

Kur suplementet janë të panevojshme?

Marrja e vitaminave dhe mineraleve në formë suplementesh nuk do të thotë automatikisht se organizmi do të jetë më i mbrojtur nga infeksionet.

Te personat e shëndetshëm, që marrin sasi të mjaftueshme të lëndëve ushqyese përmes ushqimit, nuk ka prova bindëse se përdorimi rutinë i suplementeve parandalon gripin apo ftohjen.

Edhe vitamina C, e përdorur shpesh gjatë dimrit, nuk e parandalon në mënyrë të besueshme ftohjen te popullata e përgjithshme. Marrja e rregullt mund të shkurtojë pak kohëzgjatjen e simptomave në disa raste, por dozat e larta nuk garantojnë mbrojtje.

E njëjta vlen edhe për vitaminën D dhe zinkun: rëndësia e tyre për imunitetin nuk do të thotë se marrja e tyre shtesë është e dobishme për këdo.

Kujdes nga përdorimi pa kriter

Suplementet ushqimore nuk janë gjithmonë të padëmshme. Marrja e tepërt e disa vitaminave dhe mineraleve mund të shkaktojë efekte anësore dhe të ndërveprojë me medikamente të caktuara.

Për shembull, teprica e vitaminës D mund të çojë në rritjen e kalciumit në gjak dhe të shkaktojë probleme me veshkat dhe zemrën. Ndërsa dozat e larta të vitaminës A mund të dëmtojnë mëlçinë dhe të shkaktojnë probleme të tjera shëndetësore.

Për këtë arsye, para se të nisni një suplement, është e rëndësishme të vlerësoni nëse keni vërtet nevojë për të. Në rast dyshimi për mungesa ushqyese, mjeku mund të rekomandojë analizat përkatëse dhe suplementin e përshtatshëm.

Çfarë ndihmon realisht sistemin imunitar gjatë dimrit?

Për të mbështetur funksionimin normal të sistemit imunitar, rëndësi ka stili i përgjithshëm i jetesës:

  • Një regjim ushqimor i larmishëm, me fruta, perime, proteina dhe drithëra integrale.
  • Gjumë i mjaftueshëm dhe i rregullt.
  • Aktivitet fizik i përditshëm.
  • Kufizimi i alkoolit dhe shmangia e duhanit.
  • Vlerësimi dhe trajtimi i mungesave ushqyese kur ato konstatohen.

Pra, dimri nuk do të thotë se të gjithë duhet të marrin vitamina apo multivitamina. Suplementet kanë vendin e tyre kur plotësojnë një nevojë konkrete, por nuk zëvendësojnë ushqyerjen e shëndetshme dhe as nuk janë një mburojë kundër virozave./ MeMjekun.com

Burimi: AIRC