Studimi, një terapi e re po aq efektive sa kirurgjia për kancerin e prostatës

Share This Article
Një trajtim më pak invaziv për kancerin e prostatës mund të jetë po aq efektiv sa ndërhyrja kirurgjikale ose radioterapia, por me një rrezik dukshëm më të ulët për efekte anësore. Ky është përfundimi i një studimi të madh 10-vjeçar të zhvilluar në Britaninë e Madhe.
Trajtimi, i njohur si terapia fokale, përdor ultratinguj me intensitet të lartë (HIFU) ose krioterapi, një metodë që shkatërron qelizat kancerogjene përmes ngrirjes, duke synuar vetëm zonën e prekur të prostatës dhe duke ruajtur indin e shëndetshëm përreth.
Studimi, i udhëhequr nga Imperial College London dhe i zhvilluar në kuadër të NHS-së, përfshiu gati 3.500 burra dhe ofron për herë të parë të dhëna afatgjata mbi efektivitetin e kësaj metode. Rezultatet janë publikuar në revistën shkencore European Urology.
Lexo edhe- Çfarë tregon analiza e PSA-së për shëndetin e prostatës
Rezultate të krahasueshme me kirurgjinë
Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në studim kishin kancer të prostatës me rrezik të mesëm ose të lartë. Dhjetë vjet pas trajtimit, vetëm dy pacientë kishin humbur jetën si pasojë e sëmundjes.
Sipas studiuesve, rezultatet janë të krahasueshme me ato të kirurgjisë apo radioterapisë, ndërsa rreziku për komplikacione si mosmbajtja e urinës apo çrregullimet e funksionit seksual ishte më pak se gjysma.
Profesori Hashim Ahmed, urolog në Imperial College London dhe një nga autorët kryesorë të studimit, tha se terapia fokale siguron “kontroll të shkëlqyer afatgjatë të kancerit” për një gamë të gjerë pacientësh dhe se tashmë ka prova të forta që ajo duhet të ofrohet në më shumë qendra mjekësore.
Kush mund të përfitojë?
Megjithëse terapia fokale përdoret prej më shumë se 20 vitesh, aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar vetëm rreth 1.000 pacientë në vit e marrin këtë trajtim, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se deri në 15.000 burra mund të përfitonin prej tij.
Trajtimi nuk është i përshtatshëm për pacientët tek të cilët kanceri është përhapur në disa pjesë të prostatës ose jashtë saj.
Pse nuk përdoret më gjerësisht?
Një nga arsyet kryesore pse terapia nuk është përhapur gjerësisht ishte mungesa e provave afatgjata mbi mbijetesën dhe shqetësimi se trajtimi i vetëm një pjese të prostatës mund të rriste rrezikun e rikthimit të sëmundjes.
Ky studim sugjeron se këto frikëra nuk janë të bazuara. Megjithatë, Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Ekselencën Klinike (NICE) ende nuk e ka miratuar terapinë fokale si trajtim standard, pikërisht për shkak të mungesës së deritanishme të të dhënave afatgjata.
Aktualisht, kjo terapi ofrohet në vetëm 10 qendra të NHS-së në Angli.
Mund të ndikojë edhe në depistimin e kancerit të prostatës
Ekspertët besojnë se terapia fokale mund të ndryshojë edhe mënyrën se si do të organizohet depistimi i kancerit të prostatës në të ardhmen.
Një studim kombëtar me vlerë 60 milionë paund, i quajtur Transform, po vlerëson kombinimin e rezonancës magnetike (MRI) me trajtime më pak agresive si terapia fokale.
Sipas organizatës Prostate Cancer UK, reduktimi i efekteve anësore mund ta bëjë më të pranueshëm depistimin në shkallë kombëtare, pasi deri më tani një nga pengesat kryesore ka qenë frika se trajtimet mund të shkaktonin më shumë dëme sesa përfitime.
Ekspertët theksojnë se nevojiten ende studime të tjera të randomizuara për të krahasuar drejtpërdrejt terapinë fokale me trajtimet tradicionale, por rezultatet e deritanishme konsiderohen shumë premtuese.
Kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e kancerit tek burrat./ MeMjekun.com
Burimi: ScienceDirect
SHËNIM: Informacionet e publikuara në portalin MeMjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.