Kategorite

Me te lexuarat

Dr. Klodiana H. Dyrmishi: Fluorizimi i dhëmbëve tek fëmijët, pse është i domosdoshëm

Fluori është një element shumë i rëndësishëm për mbrojtjen dhe forcimin e dhëmbëve, sidomos tek fëmijët. Florizimi është procesi që ndihmon në forcimin e dhëmbëve dhe i bën imun ata ndaj agjentëve të jashtëm që mund të shkaktojnë dëmtim të tyre.

Florizimi në vetvete është dy llojesh, sistemik dhe lokal. Florizim sistemik që e merr me ujin, dhe ai lokal përmes pastës së dhëmbëve apo fluorizimit që bëhet në klinikë dentare. MeMjekun.com bisedoi me doktoreshën stomatologe, Klodiana Horeshka Dyrmishi, e cila flet më shumë për këtë proces.

KUR DUHET TË NISË KONTROLLI I DHËMBËVE TË FËMIJËVE

Dr. Klodiana thotë se kontrolli dentar i një fëmije duhet të nisë rreth moshës dy e gjysmë kur e gjithë goja është plotësuar me dhëmbët e qumështit dhe fëmija kalon në moshën që përtyp të gjitha ushqimet siç bën i rritur. Për pasojë dhëmbët janë më të rrezikuar ndaj agjentëve të jashtëm.

“Një herë në gjashtë muaj është mirë që fëmijët të shkojnë tek dentisti. Në fillim larja e dhëmbëve do të bëhet pa pastë dhëmbësh, që t’i bëhet refleks fëmijës se çfarë duhet të bëjë. Më pas rreth moshës 3 e gjysëm 4 me pastë dhëmbësh”, thotë dr. Horeshka.

SHKAQET E KAVITETEVE

Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në formimin e kaviteteve (prishjes së dhëmbëve) tek fëmijët. Sipas doktoreshës në moshë të vogël shkak është mbajtja e biberonit. “Ata fëmijë që mbajnë natën biberonin me qumësht janë më të prirur, por jo domosdoshmërisht. Ka fëmijë që edhe pse nuk mbajnë beberon, janë ushqyer dhe me qumësht gjiri dhe sërish kanë kavitete. Këtu hyjnë dhe shkaqet gjenetike dhe ushqimet me karbohidrate”, thotë ajo.

FLUORIZIMI

Fluori është komponent i rëndësishëm i përmbajtjes së dhëmbit dhe ka dy forma, ose fluorizim sistemik që ti e merr me ujin, ose lokal që është florizimi që bëhet në klinikë ose me pastën e dhëmbëve që ka fluor.
Sipas doktoreshës fluorizimi nis në moshën mbi 4 vjeç, kur fëmija ka ende dhëmbët e qumështit. Por sipas saj i rëndësishëm është për dhëmbët e përhershëm të fëmijës. Ky proces bëhet në klinikë dentare në dy mënyra, atë topikale dhe atë përmes llakimit.

Doktoresha shpjegon se metoda topikale bëhet përmes aplikimit të xheleve të florit direkt mbi dhëmbë dhe mbahet për pak minuta. Pas aplikimit këshillohet që fëmija të konsumojë ushim të butë dhe lëngje pas 30 minutash. Dhëmbët duhet ti lajë pas 6 orësh.

Dr. Dyrmishi këshillon që procesi i fluorizimit të bëhet të paktën dy herë në vit dhe në rastet kur fëmija është më i rrezikuar nga kariesi edhe më shpesh. Doktoresha thotë se duhet pasur kujdes dhe me sasinë e fluorit, sepse në moshën 6-8 vjeç sasia e tepërt e tij jep Fluorozat dentare (për të cilat do flasim në një tjetër rubrikë). Procesi nuk ka efekte anësore dhe as dhimbje.

PSIKOLOGJIA E FËMIJËS

Duke qenë se fluorizimi është një proces i lehtë dhe pa dhimbje krahas përfitimit shëndetësor të gojës ndikon dhe në psikologjinë e fëmijës, duke mos pasur frikë të shkojë të dentisti.

E duke folur për psikologjinë e fëmijës kur duhet të shkojë tek dentisti, doktoreshë Klodiana këshillon prindërit që të paktën një herë të shoqërojnë fëmijët në një klinikë dentare për t’u njohur me ambientin në mënyrë që të mos traumatizohet gjatë vizitës dentare. “Po nuk krijove besimin tek fëmija, jo vetëm mbushjen po dhe fluorizimin që është proces i thjeshtë dhe pa dhimbje e ke të vështirë ta bësh, sepse fëmija nuk e hap gojën. Fëmija duhet të mësohet, nuk duhet ta marrë si lojë, por me serioiztet. Duhet të krijojë besimin. Nëse ti krijon një ambient të tillë që fëmija është i sigurtë dhe ti e dëgjon e ke më të lehtë të punosh me të” thotë dr. Klodiana.

Dr. Klodiana Horeshka Dyrmishi
Klinika dentare “Klodi”, Unaza e re, Tiranë
Nr Tel: +355606012601