Çfarë janë transaminazat dhe analizat e tjera për mëlçinë dhe pse duhen
Share This Article
Mëlçia është organi që ndihmon trupin të tresë ushqimin, magazinojë energjinë dhe të eliminojë toksinat dhe mbetjet nga gjaku.
Ajo është organi i dytë më i madh i njeriut (e para është lëkura) dhe mbrohet nga kafazi i brinjëve, në krahun e djathtë me një peshë rreth 3 kg.
Ato që quhen analiza të funksionalitetit epatik janë analiza gjaku që përmes kontrollit të substancave të ndryshme verifikojnë shëndeti dhe funksionimin e mirë të mëlçisë. Gjithashtu evidentojnë lezione që mund të ketë dhe ndihmon në diagnozën e sëmundjeve si hepatit dhe ceroza.
Shpesh përshkruhet në rastet e kontrollit rutinë, apo kërkohet në rastet kur ka simptoma të dyshimta si:
Lëkurë apo sy të verdhë (verdhëza)
Shfaqje e pajustifikuar e shenjave në kyçe
Dhimbje barku dhe fryrje
Kruarje
Enjtje dhe ujë në këmbë dhe kyçet e këmbëve
Ndjesi lodhjeje
Urinë me ngjyrë të errët
Feçe me ngjyrë të zbehtë
Nauzea dhe të vjella
Humbje oreksi
Parametrat që maten janë të shumtë dhe përfshijnë proteina, enzima dhe substanca të tjera mes të cilave:
Albuminën, një proteinë e prodhuar nga mëlçia
Transminazat, apo enzimat që gjenden në mëlçi, mes të cilave transaminaza alanine (ALT), transaminazën aspartate (AST) dhe gamaglutamiltransferazën (GGT)
LDH (enzimë)
Bilirubina, një substancë e verdhë që është pjesë biliare dhe formohet kur rruazat e kuqe shkatërrohen pasi kanë përfunduar ciklin e tyre jetësor.
Trombocitet, qelizat e gjakut të përfshirë në mekanizmin e koagulimit
Koha e protrombinës, e cila mat sa kohë i duhet gjakut të mpikset (protrombina prodhohet nga mëlçia)
PSE KËRKOHEN?
Analizat për funksionimin e mëlçisë mund të përdoren për:
Kontrollin rutinë
Kontrollin nëse ka një infeksion në mëlçi, si për shembull hepatit, në rastin e simptomave të dyshuara apo personi është në rrezik.
Monitorimi i progresit të një sëmundjeje, për shembull hepatit viral apo alkoolik
Monitorimi i efikasitetit të një terapie
Të tregojë efektet anësore të një ilaçi.
TRANSMINAZAT DHE ANALIZAT E TJERA
Mes analizave që kërkohen më tepër janë:
ALT (apo GPT), transaminaza alanine, një enzimë e mëlçisë që ndihmon organizmin në metabolizimin e proteinave. Bëhet fjalë për një proteinë të sintetizuar vetëm nga ky organ dhe në rast lezionesh derdhet në gjak duke rritur kështu përqëndrimin e pranishëm përtej kufijve të saj normal.
AST (transaminaza aspartate) është një enzimë si ALT, dhe kur nuk ka probleme në gjak gjendet në sasi të vogël. Rritja e nivelit të saj mund të tregojë një patologji apo lezion të mëlçisë.
ALP (fosfataza alkaline), gjithashtu një enzimë e mëlçisë, kanaleve biliare dhe kockave. Nëse niveli i saj është më i lartë se normalja mund të tregojë një bllokim të kanaleve biliare (për shembull nga gurët e tëmthit). Nuk është specifike pasi mund të rritet dhe në rastet e patologjive të kockave.
Albumina dhe proteinat totale. Albumina është një proteinë e prodhuar nga mëlçia dhe përdoret veç të tjerash për të pasur një tension korrekt të lëngjeve të trupit, dhe vepron si transportues në gjak për molekulat e ndryshme (edhe ilaçet). Nëse niveli i albuminës dhe proteinave totale janë më të ulëta se zakonisht, mund të tregojnë probleme të mëlçisë.
Bilirubina. Substanca me ngjyrë të verdhë që prodhohet nga shkatërrimi i qelizave të kuqe pasi kanë përfunduar ciklin jetësor. Këto të fundit kalojnë në mëlçi dhe inkorporohen me bilet duke u eliminuar më pas përmes feçes. Nëse mëlçia nuk funksionon si duhet bilirubina nuk eliminohet në mënyrë korrekte e mund të mbetet në gjak nga transportohet në çdo organizëm ku për pasojë shfaqet ngjyra tipike e verdhë e lëkurës dhe syve (verdhëza)
GGT (gamaglutamiltransferaza), një enzimë që gjendet në gjak. Nëse niveli është më i lartë se normalja, mund të tregojë një lezion të mëlçisë apo kanaleve biliare.
LDH (hidrogjenaza l-laktatit), një tjetër enzimë që gjendet në mëlçi. Nëse niveli i saj është më i lartë se normalja, mund të tregojë një lezion në mëlçi.
Numërimi i trombociteve. Bëhet fjalë për qelizat e pranishme në gjak, protagoniste te pjesës së parë të procesit të hemostazës (riparimit të plagëve), por në këtë rast analiza përdoret për të monitoruar shëndetin e mëlçisë. Vlera e saj mund të reduktohet ndjeshëm në rastet e cerozës dhe problemeve të tjera të rënda.
Koha e protrombinës (PT). Kjo është koha që i duhet gjakut të mpikset, dhe protrombina, një proteinë e prodhuar nga mëlçia përfshihet në mekanizmin e koagulimit (mpikjes). Nëse koha e protrombinës rritet do të thtoë se mëlçia mund të ketë probleme në prodhimin e sasisë së duhur të proteinës.
VLERAT NORMALE
Vlerat normale të analizave janë më poshtë
ALT 7-55 U/l (njësi për litër)
AST 8-48 U/l
ALP 45-115 U/l
Albumina 3,5-5 g/dl (gram për decilitër)
Proteine totali 6,3-7,9 g/dl
Bilirubina 0,1-1 mg/dl
GGT 9-48 U/l
LDH 122-222 U/l
PT 9,5-13,8 sekonda
Këto rezultate i referohen një të rrituri, por vlerat normale mund të variojnë sipas laboratorit të analizave dhe të jenë lehtësisht të ndryshme për gratë dhe fëmijët.
MOS HARRONI! Tregoni tek mjeku ilaçet që po merrni dhe regjimin ushqimor, që ai të bëjë një interpretim të mirë të rezultateve.
Asnjë nga këto analiza nuk përcakton një diagnozë nëse bëhen më vete, por së bashku përfaqësojnë një mjet domosdoshëm për tu orientuar në drejtimin e duhur.
Sa më larg të jetë rezultati nga normalja, më e mundshme është që pacienti të vuajë nga shqetësime të mëlçisë. Mjeku do të përdorë këto rezultate për terapinë e duhur. / MeMjekun.com