A ndërrohet gjaku në pranverë?
Share This Article
Ekziston mendimi, “në pranverë ndërrohet gjaku”.
Gjaku përbëhet nga plazma dhe elementet e figuruar të gjakut (“qelizat e gjakut”).
Plazma përbëhet nga 90% ujë dhe 10% lëndë organike: (nga të cilat proteina 7% dhe pjesa tjetër aminoacide, lipide, vitamina, hormone, faktorë koagulimi dhe metabolitë të ndryshëm). Eshte në ekuiliber dinamik të pandërprerë për të gjithë jetën me mjedisin jashtëvaskular.
Eritrocitet nuk janë qeliza të vërteta, sepse u mungon bërthama. Kanë detyrë të transportojnë oksigjenin dhe pas 100-120 ditësh eleminohen për tu zëvëndësuar me të reja. Nuk i shërbejnë gjakut për asgjë (vetëm që i japin ngjyrën e kuqe) sepse sakrifikohen për qelizat e tjera të organizmit (eritrocitet nuk përdorin oksigjen për veten e tyre).
Leukocitet janë qeliza të vërteta të gjakut, por e përdorin atë vetëm per transport. Nuk i shërbejnë gjakut për asgjë. Kanë detyrë mbrojtëse për organizmin, qarkullojnë në gjak disa ditë (me përjashtim të limfociteve të kujtesës), dalin jashtë vazave të gjakut për të kryer funksionin e tyre dhe eleminohen.
Trombocitet nuk janë qeliza, jane fragmente të citoplazmës së megakariociteve dhe i shërbëjnë vetëm gjakut. Qarkullojnë për 8-10 ditë dhe eleminohen për tu zëvëndësuar me të tjera. Aktivizohen vetëm kur dëmtohet muri i vazës së gjakut (se bashku me faktorët e koagulimit), me qëllim ndërprerjen e hemoragjisë, moshumbjen e gjakut që do të kishte pasoja për të gjithë organizmin (na varësi të volumit të humbur dhe shpejtësisë së tij).
Eritrocitet, leukocitet, trombocitet quhen elementet e figuruar të gjakut, për analogji me tabelat e qitjes, që pasi “u vjen fundi nga goditjet”, zëvëndësohen me të reja, për të vazhduar qitja.
Këto elemente të figuruar të gjakut, qarkullojnë në gjak, realizojnë detyrat e tyre, për kohën e caktuar të jetesës dhe eleminohen për tu zëvëndësuar me të reja dhe kjo vazhdon për të gjithë jetën.
Ka një ekuilibër dinamik midis elementeve që eleminohen dhe atyre që i zëvëndësojnë. Shëmbulli më i mirë është prodhimi i eritrociteve; çdo sekondë eleminohen dhe po kaq hidhen në qarkullim 2.4 milion eritrocite dhe kjo vazhdon për të gjithë jetën.
S’ka asnjë lidhje me stinët, ka lidhje me ruajtjen e homeostazës qelizore (numërit konstant të qelizave).
Artikull nga dr. Sotiraq Lako
Hematolog
Spitali Amerikan