Mite dhe të vërteta/ Vitamina C dhe koronavirusi, çfarë duhet të dimë
Share This Article
Pandemia e COVID-19 do të jetë një moment krize që nuk ka precedentë në historinë e fundit të Sistemit Shëndetësor Ndërkombëtar. Në këto kohë kur shkruhen e fliten shumë gjëra është shumë e rëndësishme të identifikoni burimin që duhet të besoni, pasi në fakt këto ditë po flitet shumë dhe për “infodemia”, informacioni i rremë që ka tendencën të besohet shumë lehtë. Por mund të jenë të rrezikshme për shëndetin tënd dhe të tjertrit.
Një nga lajmet më të përhapura është ajo për Vitaminën C që është parandaluese, e madje është thënë dhe kuruese për polmonitin e shkaktuar nga SARS-CoV-2. Le të mos harrojmë se në ditët e para të karantinës në Shqipëri tregu pati mungesë limonash e portokallesh, apo dhe rritje të konsiderueshme të çmimeve të tyre.
CFARE ESHTE VITAMINA C
Vitamina C (acidi askorbik) është lëndë ushqyese thelbësore e lidhur me funksione të ndryshme fiziologjike në organizëm (kur themi thelbësore do të thotë se organizmi nuk është në gjendje ta sintetizojë atë në mënyrë autonome, por duhet marrë përmes një regjimi ushqimor).
Kryesisht është një antioksidant i fuqishëm, pra substancë që është e aftë të stabilizojë përbërje kimike të paqëndrueshme të quajtura radikale të lira; këto të fundit lidhen me dëmtimet qelizore dhe zhvillimin e sëmundjeve tumorale. Vitamina C gjithashtu është e pranishme në një sërë reaksionesh biokimike, disa prej të cilave në të vërtetë janë të lidhura me funksionimin e duhur të sistemit imunitar.
VITAMINA C PARANDALON APO KURON COVID-19
Aktualisht po zhvillohen një sërë studimesh lidhur me marrjen endovenoze të vitaminës C në doza të larta tek pacientët e shtruat me COVID-19, në përpjekje për të përmirësuar funksionet respiratore dhe të zvogëlojë kohëzgjatjen e ventilimit mekanik tek pacientët e sëmurë rëndë.
Një studim i 2019 mbi sindromën e distresit respirator ka treguar, dhe pse jo me të dhëna plotësisht bindëse, që trajtimi me vitaminë C mund të zvogëlojë kohën në terapi intesive me rreth 8%, dhe kohëzgjatjen e ventilimit mekanik me 18.2 %.
Bëhet fjalë megjithatë për rezultate jo të konfirmuara dhe që nuk janë pjesë e trajtimit standard për COVID-19. Pra, nuk ka sot prova në favor të dozave shtesë të vitaminës C si trajtim për këtë sëmundje. Gjithashtu duhet marë në konsideratë se mbidoza me vitaminë C mund të ketë efekte anësore.
A NDIHMON MARRJA E VITAMINES C?
Aktualisht në literaturën shkencore nuk ka prova që mbështesin faktin se marrja e vitaminës C përmes kokrrash parandalon infeksionin e SARS-CoV-2. Studime në të shkuarën kanë treguar një farë dobishmërie ndaj infeksioneve të tjera virale si përshembull rinovirusi apo në rastin e ftohjes, por kjo nuk përbën një presupozim të mafjtueshëm për të besuar se të njëjtin efekt e ka dhe tek koronavirusi.
Në kontekstin e pandemisë aktuale, pra, nuk është e përshtatshme e ashtuquajtura “gara për suplemente”. Mund të merrni vitaminën C përmes një diete të larmishme me fruta e perime, ku krahas vitaminës C kanë përmbajtje të lartë antioksidantësh për të pasur një gjendje të përgjithshme shëndetësore të mirë.
SA VITAMINE C DUHET TE MARRIM NE DITE?
Doza minimale e përditshme e rekomanduar është rreth 90 mg, ndërsa për duhanpirësit dhe gratë në fazën e ushqyerjes me gji këshillohet një suplement prej 30-35 mg në ditë. Kjo masë mund të arrihet pa vështirësi nëse ndiqni një regjim ushqimor të pasur me fruta e perime (vetëm një portokall ka pothuajse 80% të dozës së përditshme të rekomanduar).
SI PERFUNDIM
Vitamina C është një lëndë ushqyese thelbësore për funksionimin e duhur të sistemit imunitar dhe ende janë duke u bërë studime për të verifikuar dobishmërinë e saj në doza të larta, në rrugë endovenoze në pacientë të shtruar me COVID-19.
Nuk ka nevojë, sot, për suplemente të vitaminës C. E vetmja masë efikase në parandalimin e përhapjes së virusit është respektimi i masave të higjienës, ato që kemi thënë gjithmonë larja e duarve, mos prekni shpesh hundën sytë dhe gojën dhe mbani distancën e duhur./ MeMjekun.com