Në pritje të ëmbël, si po e përballojnë pandeminë shtatzënat?
Share This Article
Thonë se qara e parë e një fëmije është tingulli më i bukur që një nënë mund të dëgjojë…
Edhe Sidorela Zdrava mezi pret të dëgjojë zërin e foshnjës së saj. Por i gjithë entuziazmi për mbërritjen e pjesëtarit më të ri të familjes, u ndikua jo pak nga koronavirusi. Për nënën e ardhshme, në muajin e tetë të shtatzënisë, është i vështirë qëndrimi mbyllur dhe reduktimi i kontakteve me shumë njerëz të afërm.
“Ideja e qëndrimit mbyllur më lodhi, ndihesha shumë keq, kisha nevojë të ecja. Por mendoj edhe pjesën që do të vijë bebi, çdo gjë do të kalojë”, tregon Sidorela.
Rrobat e bebit, kishte vendosur t’i blinte në fund të pritjes së ëmbël, por me mbylljen e dyqaneve të rrobave, si pasojë e pandemisë, planet ndryshuan disi. Sidorela ka reduktuar kontaktet me njerëzit që i sillte puna. Bashkëshorti punon nga shtëpia, por megjithatë ajo nuk e fsheh friken nga virusi.
Por a duhen të tremben nënat në pritje nga virusi që ka pushtuar botën? Miti se ai prek vetëm të moshuarit, ka rënë prej kohësh. Vetëm pak ditë më parë në Kosovën fqinje një grua e re shtatzënë, humbi jetën si pasojë e Covid-19.
“Nënat shtatzëna duhet të kenë kujdes maksimal për distancimin social. Duhet të kenë një higjienë maksimale në këtë periudhë. Të përdorin maska për t’u mbrojtur nga kontaminimi nga personat që janë të detyruar të takojnë”, thotë Eliona Demaliaj, drejtoreshë e maternitetit “Nëna Xheraldinë”.
Sa i rrezikuar është bebi nëse nënës me Covid-19, duhet t’i administrohen medikamente? “Varet shumë nga periudha që preket nëna nga koronavirusit. Antiviruse nuk mund të përdoret, jemi shumë të kujdesshëm te medikamentet që duhet të përdorim”, shpjegon Demaliaj. “Ndryshe sillemi me një nënë me koronavirus, ssimptomatike, ndryshe me një nënë me simptoma dhe probleme të pneumonisë, të cilat në disa raste çojnë në humbje të jetës”.
Demaliaj tregon se në institucionin që drejton, punohet me masa shtesë sigurie. Vetëm një i afërm mund të shohë, vetëm një herë beben pas lindjes, gjatë gjithë qëndrimit të nënës në maternitet, për të shmangur kontaminimin nga virusi. E megjithatë jeta vazhdon, çdo ditë në këtë maternitete lindin 20 jetë të reja.
Burimi: A2CNN