Kategorite

Me te lexuarat

Si ta kuptojmë hepatitin alkoolik, sëmundja që prek mëlçinë

hepatiti alkoolik

Me termin hepatit alkooli kuptojmë një proces inflamator në mëlçi (Hepatit) të shkaktuar nga sasia e tepërt e alkoolit e konsumuar në kohë.

Kjo është një patologji që ka tendencën të shfaqet tek 20-30% e atyre që konsumojnë tepër alkool, me një rrezik që procesi të bëhet kronik deri në zhvillimin e cirrozës alkoolike me pasojë pamjaftueshmëri hepatike kronike (një gjendje kur organi nuk është në gjendje të kryejë siç duhet funksionet e tij).

Hepatiti alkoolik shfaqet me dhimbje barku, gjendje jo e mirë e përgjithshme, nauzea dhe të vjella, deri në shfaqjen e simptomave tipike e më të rënda të pamjaftueshmërisë hepatike.

Lexo edhe- Çfarë janë transaminazat dhe analizat e tjera për mëlçinë dhe pse duhen

SHKAQET

Klasifikimi

Hepatiti alkoolik hyn brenda një spektri më të gjerë të patologjive të mëlçisë për shkak të alkoolit, që specifikisht ndahen në tre grupe:
1. Steatoza hepatike,
2. Hepatiti alkoolik,
3. Cirroza alkoolike.

Hepatiti alkoolik është më i shpeshtë tek femrat krahasuar me meshkujt, edhe pse këta të fundit janë më abuzues me alkoolin. Arsyeja në bazë të këtij vëzhgimi duhet kërkuar në faktin se gratë janë më të prekshme nga dëmet e varësisë së alkoolit për shkak të një shprehje të reduktuar të alkoolit-dehidrogjenazës, një enzimë themelore në detoksifikimin dhe asgjësimin e alkoolit në mëlçi.

FAKTORËT E RREZIKUT

Faktori kryesor i rrezikut sigurisht që është alkooli, por më specifikisht e rëndësishme është sasia e alkoolit të konsumuar (që varet dhe nga gradacioni i një pije të caktuar) dhe kohëzgjatja e abuzimit me alkoolin.

Përveç alkoolit, faktorë të tjerë rreziku janë:
Regjimi ushqimor i pacientit,
Prejardhja gjenetike-metabolike.

Një mungesë e ushqyesve bazë, si mungesa apo ndryshimi enzimatik i procesit të metabolizmit të alkoolit rrit rrezikun në mënyrë eksponenciale me çdo gram alkool të pirë.

Zhvillimi i dëmit hepatik
Alkooli përthithet në stomak dhe në zorrën e vogël. Në rast të abuzimit mëlçia nuk është në gjendje të pastrojë si duhet alkoolin e pranishëm në organizëm, dhe në të njëjtën kohë krijohet një ndryshim i proceseve metabolike të shkaktuara nga rritja e sintezës së triglicerideve dhe acideve yndyrore, të cilat duke u grumbulluar në mëlçi çojnë në gjendjen fillestare të steatozës hepatike.

Pas kësaj faze dëmi vijon deri në hepatitin alkoolik të vërtetë, të karakterizuar nga zhvillimi i një procesi inflamator kronik që çon në fazën e fundit të dëmit hepatik, pra atë të cirrozës alkoolike dhe pamjaftueshmërisë kronike të mëlçisë.

Me cirrozë duhet të kuptojmë patologjinë e mëlçisë në të cilën qelizat e këtij organi degjenerojnë, me formimin e indeve fibrotike që zëvendësojnë në mënyrë progresive parenkimën hepatike.

SIMPTOMAT

Hepatiti alkoolik shfaqet me simptoma të ndryshme që ndryshojnë në bazë të seriozitetit të sëmundjes. Më të zakonshmet janë:
Dhimbje barku,
Temperaturë dhe gjendje jo e mirë shëndetësore
Nauzea dhe të vjella,
Mungesë oreksi dhe humbje peshe,
Hepatomegalia (zmadhim i mëlçisë)

Në fazën e cirrozës alkoolike simptomat janë më të rënda:
Verdhëza
Ascitet (derdhje e lëngjeve në brendësi të barkut me një fryrje të dukshmet ë tij)

Ndryshim të të dhënave të funksionalitetit të mëlçisë,
Encefalopatia hepatike, një formë e dhimbjes së trurit me simptoma neurologjike mes të cilave konfuzioni mendor, ndryshim i vetëdijes dhe sjelljes, koma, hemoptiza nga këputja e variçeve të ezofagut (del gjak nga goja) tension të lartë dhe simptoma të tjera të pamjaftueshmërisë hepatike.

Përveç këtyre, abuzimi me alkoolin rrit dhe rrezikun e tumorit hepatik malinj (Hepatokarcinomës).

DIAGNOZA

Diagnoza nis nga anamneza, ku pacienti i tregon mjekun historinë e tij me alkoolin dhe prej sa vitesh ka zgjatur ajo.

Analizat laboratorike tregojnë ndryshimet në të dhënat e funksionalitetit të mëlçisë, me ngritje të transaminazave, me karakteristikën e treguar në raportin AST/ALT më të madh se dy.

Ekografia hepatike flet për një mëlçi steatotike (e pasur me yndyrë) ndërsa CT përjashton format e tjera të pamjaftueshmrëisë hepatike (si tumori).

Biopsia hepatike kërkohet rrallë në raste të tilla, por mund të përcaktoje më saktësi diagnozën klinike të hepatitit alkoolik.

TRAJTIMI

Trajtimi kryesor për hepatitin alkoolik pa dyshim që konsiston në ndërprerjen e konsumit të alkoolit:

Në rastet kur pacienti ndodhet në gjendjen e një steatoze hepatike alkoolike përmirësimet shihen që pas një muaji të ndërprerjes së konsumit.
Ndërsa në rastin e hepatitit është e nevojshme një ndërprerje më e gjatë, për shumë muaj, për të pasur një shërim efikas.

Trajtimi thelbësor është:
Regjimi i duhur ushqimor dhe i ekuilibruar, duke shmangur mungesën e ushqyesve dhe mbipeshën patologjike,
Ilaçet kortikosteroide (të rëndësishme për të mos lejuar një inflamacion në mëlçi)

Nëse dëmtimi i mëlçisë nuk zgjidhet as me pezullimin e konsumit të alkoolit dhe as me kortikosteroidë, mbetet mundësia e transplantit të mëlçisë dhe në këtë rast nuk duhet konsumuar më kurrë alkool dhe të mos ketë sëmundje të tjera shoqëruese pasi do e bënte të padobishme procedurën./ MeMjekun.com

Burimi: Alcoholic Liver Disease