Çfarë është sindroma metabolike dhe si shfaqet
Share This Article
Sindromi metabolik është një gjendje klinike që kërkon vëmendje të veçantë për shkak të ashpërsisë dhe përhapjes së saj. Me këtë term nuk kemi parasysh vetëm një patologji, por një grup faktorësh predispozues që së bashku e vendosin pacientin në një grup rreziku të lartë për sëmundje të tilla si diabeti, problemet kardiovaskulare në përgjithësi dhe steatoza e mëlçisë (mëlçisë yndyrore).
DIAGNOSTIKIMI
Për të folur për sindromën metabolike pacienti duhet të ketë njëkohësisht të paktën tre nga faktorët e mëposhtëm të rrezikut:
Tension më i lartë se 130/85 mmHg
Trigliceridet në gjak më të larta 150 mg/dl
Glicemia esëll më e lartë 110 mg/dl
Kolesteroli HDL më i ulët se 40 mg/dl tek meshkujt dhe më i ulët se 50 mg/dl tek femrat
Perimetri i barkut më shumë se 102 cm për meshkujt dhe 88 cm për femra
Në bazë të këtyre parametrave referues një person i prekur nga sindroma metabolike mund të ketë vlera individuale krejt normale.
SHKAQET DHE FAKTORËT E RREZIKUT
Sindroma metabolike në fakt prek më shumë të rritur mbi 50-60 vjeç, por kjo tendencë mund të ndryshojë pasi po rritet shumë shpejt rastet e obezitetit tek fëmijët.
Faktori më i rëndësishëm i rrezikut në fakt është Mbipesha: sa më e madhe pesha aq më e madhe është mundësia të prekeni nga sindromi metabolik.
Dhjami i tepërt në trup, sidomos i përqëndruar në zonën e barkut, sjell një çekuilibër të metabolizmit të yndyrnave dhe sheqernave që si rezultat final ka hiperinsulinemia. Ndërsa në rastset më të rënda kjo situatë përkeqësohet deri në shkaktimin në një kohë të shkurtër të shfaqjes së diabetit, në rastet më të buta shkakton gjendjen shumë-faktoriale e njohur si sindroma metabolike.
Rreziku i zhvillimit të sindromës metabolike rritet me moshën dhe është pasojë direkte e një stili jetese të gabuar (pa aktivitet fizik, ushqyerje e gabuar, abuzim me alkoolin apo drogën).
Duke pasur parasysh sot se shumë fëmijë dhe adoleshentë kanë më shumë kilogramë, incidenca e sindromës metabolike është në rritje mes tyre. Pjesa më e madhe e të prekurve nga sindromi metabolik ndjehen mirë dhe shpesh nuk kanë simptoma të veçanta.
SIMPTOMAT DHE KOMPLIKACIONET
Personat që kanë një gjendje të tillë kanë një rrezik më të madh për të pasur sëmundje kardiovaskulare, të veshkave, të syve apo mëlçisë, një rrezik që është 2 deri në 4 herë më i madh se personat normalë.
Kur haset gjendja e rezistencës ndaj insulinës, qelizat kërkojnë një sasi insuline mbi normën, në mënyrë që të përthithe glukozën në gjak dhe të mbajë në normë nivelin glicemik.
Në kushte të ngjashme, qelizat Beta të pankreasit përgjegjëse për prodhimin e insulinës i nënshtrohen një procesi të ngadaltë degjenerativ të shkaktuar nga puna e tepërt.Kështu krijohet baza për diabetin, me të gjitha pasojat negative të rastit.
TRAJTIMI DHE PARANDALIMI
Mënyra më e mirë e parandalimit është aktiviteti fizik dhe rënia në peshë. Aktiviteti i përditshëm fizik për shembull mund të jetë me një ecje në mëngjes për disa kilometra, shkallë apo pedalim. E rëndësishme është që ushtrimet fizike të jenë të rregullta të paktën katër herë në javë dhe të zgjasin të paktën 50-60 minuta pa shumë ndërprerje. Ndësa për trajtimin me ilaçe dhe regjimin ushqimor do të flasim në artikullin e ardhshëm./ MeMjekun.com