Si të njohim toksoplazmozën okulare
Share This Article
Toksoplazmoza okulare është një sëmundje e shkaktuar nga paraziti i quajtur toxoplasma gondii. Bëhet fjalë për një infeksion të përhapur që prek gati 500 milionë njerëz në të gjithë botën. Por jo të gjithë të infektuarit shfaqin këtë patologji specifike për sytë.
Simptomat e toksoplazmozës shfaqen në prani të një sistemi të dobët imunitar apo ndjekur nga një infeksion para lindjes, që në mitër. Forma okulare është e vështirë të dallohet dhe zakonisht sjell mjegullim të shikimit duke çuar dhe në verbëri.
Lexo edhe- Infeksioni që vjen nga macet (Toksoplazmoza), çfarë duhet të dimë
ÇFARË ËSHTË TOKSOPLAZMOZA OKULARE?
Për të kuptuar se çfarë është toksoplazmoa okulare më herët duhet të shpjegojmë se si shkaktohet ky infeksion nga toxoplasma gondii. Në përgjithësi, ky parazit shumohet dhe vendoset tek macet. Kafsha nxjerr vezët e parazitit përmes jashtëqitjes.
Kjo është vetëm një nga format e mundshme të infektimit. Pjesa më e madhe e njerëzve, në fakt, e marrin sëmundjen përmes ushqimeve, sidomos frutave, perimeve dhe mishit. Paraziti mund të jetë dhe në ujë dhe qumësht.
Një tjetër mënyrë infektimi është edhe nga shtatzënia. Nëse gruaja shtatzënë ka kontakt me parazitin, ai mund të kalojë plaçentën dhe të arrijë në fetus.
Kjo e fundit është rasti më i shpeshtë i lidhur me toxoplazmozën okulare. Në bazë të fazës se kur është infektuar gjatë shtatzënië dëmet do të jenë pak a shumë të rënda. Gjatë tremestrit të parë infeksioni lidhet me një rrezik më të madh të keqformimeve dhe komplikacioneve.
SI SHFAQET?
Në pjesën më të madhe të rasteve, në një moment të parë infeksioni është asimptomatik. Megjithatë mund të ndodhë një riaktivizim pas një periudhë të caktuar kohe. Fillimisht vërehet një leziom (lëndim) në sy që lë një shenjë dhe që zakonisht kalon pa u vënë re.
Kur infeksioni riaktivizohet, nisin të shfaqen dhe simptomat specifike të toksoplazmozës okulare. Kjo ndodh pasi paraziti vendoset në retinë, pjesa e syrit që bën interpretimin e pamjeve dhe ndjesinë e shkimit. Retina pezmatohet (inflamohet), një proces që njihet si retinit, dhe dëmtohet shikimi.
Një studim i bërë nga Shoqëria spanjolle Oftalmologjisë konfirmon se toksoplazmoza okulare e përsëritur është forma më e përhapur. Shfaqja e saj mund të lidhet dhe me AIDS apo një trajtim i vazhdueshëm me kortikosteroidë apo imunosupresantë.
SI TA NJOHIM?
Diagnostikimi i toksoplazmozës okulare është shumë komplekse. Ajo kryhet në bazë të aspektit klinik, pra, duke vëzhguar lëndimet në sy. Analizat mjekësore mund vetëm të konfirmojnë ose jo kontaktin me parazitin.
Për shembull, analizat sierologjike që të japin mundësinë e vëzhgimit të një pranie të mundshme antitrupash në rastin e infeksionit tregojnë vetëm nëse personi është i infektuar. Siç e thamë, shumë njerëz nuk zhvillojnë toksoplazmozën okulare.
Okulisti vëzhgon një lëndim fokal të retinës, e lidhur me një shenjë që prek gjithashtu dhe koroidin, membranën e syrit. Analizat në laborator mund të çojnë drejt një diagnoze të duhur, por prapë nuk janë në gjendje ta konfirmojnë.
Duhet një ekzaminim i plotë i syrit nga një profesionist i specializuar për të mos anashkaluar as një shenjë të vogël të sëmundjes.
TRAJTIMI
Toksoplazmoza okulare shkakton shikim të turbullt, dhimbje në sy dhe ndjeshëmri ndaj dritës. Në disa raste mund të çojë dhe në verbëri. Fatkeqësisht, në ditët e sotme nuk ka një trajtim që çon në eliminimin e lëndimeve.
Trajtimi frenon përhapjen e dëmit të retinës dhe parandalon rikthimin e mundshëm. Pengon parazitin të vijojë të shumohet dhe përhapet falë kombinimit të antiparazitarëve, si pirimetamina dhe sulfadiazina.
Përgjithësisht shtohet edhe metilprednisoloni, një kortikosteroid që qetëson inflamacionin. Po kështu, shtesat e acidit folik rekomandohen për të shmangur efektet anësore të pirimetaminës.
PARANDALIMI
Për të parandaluar infektimin, mjekët këshillojnë gatimin e të gjithë ushqimeve. Në rastin e grave shtatzëna, theksohet se duhet të kenë kujdes të veçantë nëse kanë kontakt me mace. Në të njëjtën mënyrë duhet të kujtojmë se në prani të çfarëdo simptome duhet të drejtohen tek okulisti. Zbulimi i hershëm i lëndimeve frenon shkallën e dëmtimit të syve. /MeMjekun.com