Kategorite

Me te lexuarat

Si mund të ulim temperaturën tek fëmijët dhe të rriturit

temperature

Duhet të dimë se ka trajtime të ndryshme për të ulur temperaturën për të shmangur kështu komplikacione të mëtejshme. Flasim për rritjen e temperaturës së trupit që normalisht duhet të jetë gjithmonë nën 37 gradë Celcius.

Ndryshimi me një gradë i saj gjatë ditës është normale për shkak të regjimit ushqimor, ushtrimeve fizike apo dhe klimës që ndikojnë në rritje të temperaturës së trupit. Por kur themi kemi temperaturë kemi parasysh kur ajo e kalon 38.5 gradë Celsius.

ÇFARË ËSHTË TEMPERATURA E LARTË?

Temperatura e lartë është simptomë e trupit që reagon pozitivisht ndaj një sëmundjeje të mundshme. Por kujdes: tek të porsalindurit dhe latantët, 38 gradë Celsius është një temperaturë shumë e lartë. Në këtë rast, duhet patjetër të ulni temperaturën apo të këshilloheni me pediatrin.

Temperatura është pothuajse gjithmonë e lidhur me simptoma të tjera
Dhimbje koke e vazhdueshme
Ethe dhe djersitje
Dhimbje muskulare si shpime
Dehidratim me lëkurë të thatë,
Mungesë oreksi
Dobësi e përgjithshme

Tek fëmijët e moshave mes 6 muajsh dhe 5 vjeç mund të ketë dhe konvulsione febrile. Në këtë rast, ësht ëmë mirë që fëmija të shtrihet dhe të mbrohet nga lëndime gjatë krizave. Por duhet të kontaktoni mjekun menjëherë.

SHKAQET

Pjesa përgjegjëse për rregullimin e temperaturës së trupit qëndron në trurin tonë në pjesën e hipotalamusit. Funksionon si një termostat, por për arsye të ndryshme mund të rrisë kufirin e referimit. Në këtë rast trupi rrit nxehtësinë dhe shfaqen ethet.

Rritja e temperaturës trupore mund të shkaktohet nga agjentë infektivë, si viruset dhe bakteret. Mund të vijë dhe nga sëmundje inflamatore, si atriti reumatoid, tumore apo ilaçe që kanë mes efekteve të tyre anësore edhe rritjen e temperaturës. Por mos të harrojmë që dhe vaksinat shkaktojnë temperaturë.

SI MUND TE ULIM TEMPERATURËN?

Në rastin e një rritje të lehtë te temperaturës, mjeku mund të mos iu rekomandojë ndonjë trajtim specifik, nëse nuk ka simptoma të tjera. Një temperaturë e lehtë është shenjë që trupi po përgjigjet mirë dhe po mbrohet nga një kërcënim i jashtëm. Edhe një temperaturë e lartë mund të jetë e dovishme në zvogëlimin e mikroorganizmave që shkaktojnë sëmundjen.
Por kur temperatura shkakton shqetësime të tjera, apo është e lartë, duhet domosdoshmërish të ulet. Mjeku mund tu japë ilaçe pa recetë si ibuprofeni apo paracetamoli. Duhen respektuar dozat që jepen, pasi marrja e tyre për një kohë të gjatë mund të shkaktojë dëme në veshka apo mëlçi.

Nëse këto ilaçe nuk arrijnë të ulin temperaturën, duhet të vizitoheni te mjeku për të përcaktuar shkakun, dhe në rastin e infeksionit bakterial, si bajamet apo polmoniti pediatri mund tju japë antibiotikun e duhur. Nëse bëhet fjalë për infeksion viral, antibiotikët nuk bëjnë punë.

Tek fëmijët, nëse pas dozës së parë nuk ka përmirësim dhe temperatura vazhdon duhet të informoni pediatrin. Nuk duhet marrë aspirinë pasi mund të shkaktojë sindromën e Reye, e cila dhe pse është e rrallë, mund të ketë pasoja fatale.

REKOMANDIMET E TJERA

Për të porsalindurit, sidomos nëse janë më pak se 28-ditësh, shtrimi në spital është mundësia më e mirë. Ata janë më vulnerabël ndaj sëmundjeve të rënda dhe duhet të marrin ilaçe endovenoze dhe trajtim të veçantë.

Në raste të tjera, ka trajtime të thjeshta që ndihmojnë në uljen e temperaturës , gjithmonë nëse nuk bëhet fjalë për sëmundje të tjera:
Në rastin e dehidratimit, duhet pirë ujë mjaftueshëm, dhe më mirë akoma solucionet orale hidratuese. Ato jo vetëm që rehidratojnë, por kanë elektrolite, përbërës thelbësor për një funksionim korrekt të trupit.

Pushimi dhe veshjet e lehta ndihmojnë në shërim. Duhet të mbani dhomën të freskët dhe të flini vetëm me një mbulesë të lehtë. Këshillohet gjithashtu të vendosni pako me ujë të vakët në ballë, sqetulla, ije, apo shputat e këmbës.

Edhe banja me ujë të vakët dhe pijet me bazë hudhër, borzilok, xhinxher,kamomil, të ëmbëlsuar me mjaltë lehtësojnë temperaturën. Këto pije mund ti merrni 2-3 herë në ditë

ÇFARË DUHET TË KENI PARASYSH

Duhet të konsultoheni me mjekun kur temperatura shkon 38° C te të porsalindurit dhe 39° C tek të rriturit. Ky rekomandim vlen sidomos nëse keni dhe dhimbje koke, të vjella, dhimbje barku, skuqje të lëkurës apo temperatura vijon të qëndrojë e lartë.

Duhet të ruani qetësinë, por në të njëjtën kohë të veproni shpejt për të ulur temperaturën. Në rast të kundërt, mund të shfaqen konvulsione apo humbje të vetëdijes, që përkeqësojnë gjendjen e e personit dhe rrisin rreziqet./ MeMjekun.com