Kategorite

Me te lexuarat

Skolioza, ushtrimet fizike që këshillohet nga specialistët

skolioza

Jo të gjitha sportet janë të përshtatshme për ata që vuajnë nga skolioza. Dhe pse një pjesë e trajtimit konsiston në aktivitet fizik, ajo duhet të jetë e moderuar, e studiuar në bazë të kërkesave personale dhe mbi të gjitha e monitoruar nga specialisti (fizioterapisti). Cilat janë ushtrimet më të mira për skoliozën?

Më herët në një shkrim për memjekun, fizioterapisti dr. Fatjon Hajdari ka shpjeguar se skolioza është një anomali strukturale e trupit të njeriut ose ndryshe deformimi i shtyllës kurrizore në formë S.

Skolioza është devijim i shtyllës kurizore që ndryshon posturën. Vihet re gjatë rritjes, para pubertetit, por mund të prekë dhe të rriturit e sidomos gratë.

Sipas asaj që është publikuar në National Institute of Arthritis and Musculoskeletal and Skin Diseases (NIAMS), lakimi është i formës C apo S dhe mund të ndodhë në të dy anët apo në pika të ndryshme të shtyllës kurrizore.

USHTRIMET PËR SKOLIOZËN

Nëse vuani nga skolioza ushtrimet fizike intensive apo çdo sport që sjell sforcim të tepërt nuk këshillohet për ju. Por kjo nuk do të thotë të hiqni dorë nga ushtrimet fizike dhe të bëni një jetë sedentare.

Në fakt ka ushtrime shumë të nevojshme në rastin e skoliozës që mund ti praktikoni në shtëpi apo në palestër. Ato ndihmojnë në forcimin e muskujve përreth shtyllës kurrizore, funksioni i të cilave është të garantojnë qëndrueshmëri të trupit. Gjithashtu qetësojnë simptomat tipike të skoliozës, si ndjesia e presionit apo dhimbja. Më poshtë janë disa ushtrime:

URA

Ngritja pelvike apo ura siç e njohim gjerësisht është një ndër ushtrimet më të mira për skoliozën. Nuk ka nevojë për përdorim pajisjesh dhe intensiteti i saj është i mundur për të këdo.

Një studim i publikuar në The Journal of Physical Therapy Science konfirmon se këto ushtrime ndihmojnë në forcimin e muskujve të barkut, si dhe zgjidhin problemin e paqëndrueshmërisë së trungut duke qetësuar dhimbjet e mesit.

Si kryhen

Shtrihuni në shpinë me gjunjët e përkulur dhe këmbët e mbështetura në dysheme; kështu do të kontraktoni muskujt abdominalë, dhe mbani shpinën në dysheme. Ngrini legenin lart dhe mbajeni këtë pozicion për pesë sekonda. Kthehuni në pozicionin fillestar. Bëni dy seri me nga 10 persëritje.

Shtriqja e krahëve dhe këmbëve

Janë ushtrime që synojnë forcimin e shpinës e mesit dhe të nevojshme për trajtimin e skoliozës. Ata që kanë këtë çrregullim mund ta përfshijnë në programin e tyre të stërvitjes këtë ushtrim që njihet shpesh si “superman”.

Sipas një studimi të publikuar në Journal of Exercise Rehabilitation, ky ushtrim përdoret për të forcuar muskujt stabilizues të shtyllës kurrizore si dhe ndihmon në zvogëlimin e lodhjes.

Si kryhet?

Shtrihuni barkas. Zgjasni krahët mbi kokën tuaj dhe pëllëmbët mbështetini në dysheme.
Sigurohuni që këmbët ti keni drejt, dhe duke nisur nga ky pozicion shkëpusni njërin krah nga toka dhe në të njëjtën kohë këmbën e kundërt. (shembull: krahu i majtë, këmba e djathtë). Mbajeni këtë pozicion për dy apo tre frymëmarrje të plota. Më pas ushtrimin bëjeni me krahun e kundërt. Bëni 15 përsëritje për çdo anë.

USHTRIMET ME KETTLEBELL

Në palestër mund të gjeni Kettlebells që janë peshat e hekurit të rrumbullakët me një dorezë të vetme. Ato kanë një sërë përfitimesh, në veçanti vënë në punë muskujt anësorë të shpinës dhe abdominalin, muskujt që japin qëndrueshmëri trupit. Lëvizjet bazë si “svving”, “snatch” apo “clean” përfshijnë grupe të ndryshme muskujsh. Në të njëjtën kohë ushtrojnë kordinimin dhe rrisin rezistencën dhe ekuilibrin, dy cilësi mjaft të rëndësishme në rastin e skoliozës.

Si kryhet

Kettleball janë të disponueshme me pesha të ndryshme, por në rastin e skoliozës këshillohet të mos e kalojnë 10 kg. Këshillohet të konsultoheni me specialistin pasi ushtrimet mund të jenë të ndryshme sipas llojit të skoliozës. Ushtrimet klasike bëhen me vetëm një kettleball. Në pozicion vertikal, me duar mbani kettleball mes gjunjve. Niseni nga ky pozicion, dhe çojeni mbi kokë me vetëm një lëvizje. Sigurohuni që shpinën ta mbani drejt. Bëni dy seri me nga 10-12 përsëritje.

USHTRIMET STATIKE PËR BARKUN

Vënia në punë e kësaj pjese përveçse mbulon barkun dhe pjesët e poshtme të shpinës,zvogëlon dhe devijimin e shtyllës kurrizore.

Si kryhen?

Shtrihuni në shpinë me gjunjtë përkulur dhe këmbët mbështetur në tokë. Relaksoni shpinën për të mos krijuar tensione. Ngrini të dyja këmbët duke formuar një kënd 90 gradë. Përdorni duart për të shtyrë gjunjtë poshtë teksa kontraktohen muskujt e barkut. Në të njëjtën kohë shtynio gjunjtë drejt duarve për të realizuar ushtrimin statik. As këmbët dhe as krahët nuk duhet të lëvizin gjatë kryerjes së ushtrimit. Vetëm duhet të shtyjnë që ti japin mundësi barkut të kontraktohet. Mbajeni këtë pozicion për 3 frymëmarrje të plota dhe më pas bëni dy seri me nga 10 përsëritje.

SPORTET QE DUHET TE SHMANGEN NE RASTIN E SKOLIOZES

Nëse ushtrimet që përmendëm ju ndihmojnë në rastin e skoliozës, aktivitete të tjera mund të rrisin rrezikun e lëndimeve sekondare apo më të rënda. Sportet që duhen shmangur janë: Hokej, futboll, trampolina elastike, gjimnastika artistike dhe danci, vrapi me distancë të gjatë dhe sipërfaqe të fortë, body builiding, kalërim.

USHTRIMET PËR SKOLIOZËN, RËNDËSIA E KONSULTIMIT ME SPECIALISTIN

Çdo skolioze është ndryshe nga të tjrat, kështu që ata që dyshojnë se vuajnë prej saj duhet ti nënshtrohen ekzaminimit të veçantë. Në disa raste gjendja përmirësohet me ushtrime specifike që kryhen në mënyrë të pavarur. Në raste të tjera, megjithatë kërkohen trajtime të tilla si fizioterapi, terapi ilaçesh apo dhe operacion.

Sidoqoftë, praktikimi i sportit të moderuar konsiderohet si pjesë e rehabilitimit. Në çdo rast është gjithmonë mirë të kërkoni këshilla nga fizioterapisti: ushtimet e pasakta mund të jenë joproduktive./ MeMjekun.com