PSIKOLOGJI/ Si të flasim me fëmijën për vdekjen e një njeriu të dashur
Share This Article
Vdekja e një njeriu të dashur është e dhimbshme dhe e ndërlikuar për të rriturit, por për fëmijët përballje me humbjen për herë të parë mund të jetë sa konfuze dhe shqetësuese. UNICEF ka përgatitur disa mënyra se si ti mbështesim fëmijët në një rast të tillë.
ÇFARË ËSHTË HUMBJA DHE HIDHËRIMI
Humbja dhe hidhërimi kanë efekt të rëndësishme psikologjikisht tek njerëzit. Humbja lidhet zakonisht me diçka që mund të kthehet pas, ndërsa hidhërimi është diçka e përhershme, si divorci, apo vdekja e një miku apo familjari.
Ajo që e bën më të vështirë hidhërimin pas një vdekjeje është pikërisht procesi i pranimit se ai person nuk kthehet më.
SI HIDHËROHEN FËMIJËT?
Reagimi i një fëmije ndaj vdekjes së një personi të dashur varet nga mosha e tij dhe eksperiencat e mëparshme në jetë. Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm, dhe shembujt e mëposhtëm që jep UNICEF sipas moshës mund të aplikohen tek fëmijë me mosha të ndryshme dhe aftësive intelektuale.
Fëmijët e vegjël nën moshën 5 vjeç shpesh nuk e kuptojnë se vdekja është e përhershme dhe pyesin shpesh nëse personi që ka vdekur do vijë sërish. Ata mud të shfaqin sjellje si të rrinë pas dados apo edukatores, apo sjellje regresive si bërja e urinës në shtrat. Këto sjellje janë të zakonshme dhe mund të ndalen pasi të ketë kaluar një kohë e caktuar.
Më të rriturit, mes moshës 6 dhe 11 vjeç nisin të kuptojnë se vdekja është e përhershme ( dhe pse disa fëmijë të moshës 6 vjeç do të luftojnë ende me këtë koncept) dhe shqetësohen nëse pjestarë të tjerë të familjes apo miq do të vdesin. Ata do të bëjnë më shumë pyetje duke dashur të kuptojnë çfarë ka ndodhur. Fëmijët e kësaj moshe mud të shfaqin hidhërimin përmes zemërimit dhe përjetimit të dhimbjeve fizike.
Adoleshentët e rinj të moshës rreth 12 vjeç e kuptojnë se vdekja është e pakthyeshme dhe mund ti ndodhë kujtdo, përfshi dhe veten e tyre. Ata interesohen shpesh të kuptojnë pse gjërat ndodhin. Reagimet e tyre janë të ndryshme që nga apatia, zemërimi, hidhërimi ekstrem dhe përqëndrimi i dobët.
MOS HARRONI! Nuk ka asnjë mënyrë “korrekte” për të menaxhuar hidhërimin dhe faza të veçanta se kur mund të shfaqet një emocion apo sjellje e caktuar.
Reagimi i fëmijës varet nga faktorë të ndryshëm që nga sjellja e tyre, aftësia intelektuale, marrëdhënia me personin që ka ndërruar jetë, si po e përjetojnë pjestarë të tjrë të familes si dhe kultura dhe shoqëria ku ata jetojnë.
SI TI THEMI FËMIJËS SE NJERIU I TYRE I DASHUR KA VDEKUR
Gjëja më e rëndësishme është të mos e fshihni të vërtetën, apo ta vononi atë. Sigurisht është natyrale që dëshironi të mbroni fëmijën tuaj, por është më e drejtë të jeni të ndershëm. Duke i thënë fëmijës se çfarë ka ndodhur do të rrisni dhe besimin e tyre dhe do i ndihmoni të menaxhojnë më mirë humbjen e njerëzve të tyre të dashur.
Përpiquni të gjeni një vend të qetë dhe të sigurt për të folur me fëmijën tuaj dhe mendohuni se çfarë do të thoni. Kërkojini fëmijës tuaj që të ulet me ju. Nëse është i vogël dhe ka një lodër të preferuar apo diçka të dashur që e mbajnë me vete lërni ta mbajnë. Flisni ngadalë dhe bëni pauza shpesh, për ti dhënë kohë të kuptojë, dhe gjithashtu për ti dhënë kohë vetes suaj për të menaxhuar ndjenjat tuaja.
Jeni empatikë dhe të sinqertë me fëmijët e të gjitha moshave, por sigurohuni të jeni të qartë me fëmijët e vegjël e mos të përfshini eufemizma. Të thuash diçka si “ne ‘kemi’ humbur dikë” do e bëni më konfuz fëmijën e vogël dhe ata nuk do ta kuptojnë se cfarë do të thotë kjo. Psikologia Dr. Lisa Damour rekomandon këtë: është më e dobishme për të rriturit të thonë me ngrohtësi dhe butësi:‘ Kam disa lajme shumë të trishtueshme për të ndarë. Gjyshi yt ka vdekur. Kjo do të thotë që trupi i tij pushoi së punuari dhe ne nuk do ta takojmë më. ’Mund të jetë e vështirë për prindërit të përdorin një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë, por është e rëndësishme të jesh i sinqertë dhe transparent.”
Duhet ti jepni kohë fëmijës të përthithë këtë informacion. Më të vegjlit mund të reagojnë duke mos ju dëgjuar. Kini durim dhe prisni për vëmendjen e tyre. Gjithashtu përgatituni që fëmijët e vegjël të bëjnë të njëjtat pyetje përsëri e përsëri, si në këtë moment dhe më pas në ditët e javët që do të vijnë.
Sigurohuni që të mos kenë ndonjë mendim magjik. Disa fëmijë shqetësohen për atë që kanë thënë apo kanë bërë diçka që ka shkaktuar vdekjen. Fëmijët e të gjitha moshave ndjehen fajtorë, dhe duhet të siguroheni që mos të ketë ndonjë shqetësim të tillë.
Për shembull mund ta pyesni “A jeni i shqetësuar që babi ka vdekur për shkak të ndonjë gjëje që keni thënë ose bërë?” Shpjegoni me fjalë të thjeshta atë që ndodhi dhe sigurojini që ata nuk janë fajtorë. Për shembull: “Ju nuk keni bërë asgjë të gabuar. Ishte një virus që e bëri babin të sëmurë dhe e ndaloi atë të merrte frymë. Ai mund ta kishte kapur kudo. Askush nuk mund të bënte asgjë dhe askush nuk ishte fajtor”.
A ËSHTË NË RREGULL QË TË SHPREH HIDHËRIMIN TIM PARA FËMIJËS?
Kjo është në rregull dhe komplet natyrale për ju të tregoni se jeni të mërzitur para fëmijës suaj. Përpiquni të përgatisni veten që të mos alarmoni fëmijën tuaj me reagimet tuaja por jeni të sinqertë. Nëse jeni të trishtuar dhe po qani i thoni se si ndjeheni dhe shpjegojini se nuk ka asgjë të keqe të tregosh ndjenjat dhe ti shprehësh ato tek të tjerët. Kjo e ndihmon edhe fëmijën të tregojnë ndjenjat e tyre.
SI TË NDIHMOJ FËMIJËN TIM TË PËRBALLOJË HIDHËRIMIN?
Pikëllimi është një rrugë e rëndësishme për fëmijë e të rritur të pajtohen me humbjen e një njeriu të dashur. Gjithashtu është e rëndësishme që fëmijët të përfshihen në çfarëdo mënyre që të gjeni të përshtatshme dhe me të cilën ata ndihen komod. Pikëllimi i mundëson fëmijës suaj të pranojë vdekjen e të dashurit të tij, të vazhdojë jetën dhe të thotë lamtumirë.
Gjeni një mënyrë për të mbajtur një përkujtim për të festuar dhe treguar se sa i rëndësishëm ishte ai person për të gjithë ju. Gjeni mënyra që fëmija juaj të lidhet me personin e vdekur, të tregojë dashurinë e tij dhe të tregojë rëndësinë e atij personi në jetën e tij. Fëmijët mund të pëlqejnë të pikturojnë një fotografi, të lexojnë një poezi ose diçka që kanë shkruar për atë person ose të këndojnë një këngë.
Të gjitha familjet do të kenë besime të ndryshme shpirtërore ose praktika kulturore. Nëse familja juaj është një anëtare e një besimi të veçantë, mund të jetë e dobishme të kontaktoni udhëheqësin tuaj shpirtëror i cili mund t’ju mbështesë në shpjegimin e vdekjes dhe t’ju japë ngushëllim si juve ashtu edhe fëmijëve tuaj.
SI TË MBROJ SHËNDETIN MENDOR TË FËMIJËS PAS VDEKJES SË NJERIUT TË DASHUR?
Më poshtë janë disa mënyra të rëndësishme që mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të ndihet më mirë dhe të mbrojë shëndetin e tij mendor:
Vazhdoni t’i siguroni fëmijës kujdes të dashur dhe të qëndrueshëm nga ju, një prind, i afërm ose kujdestar, të cilit ata i besojnë dhe i njohin mirë.
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël vazhdojnë të ndihen të sigurt dhe të dashur përmes kontaktit të dashur fizik, këndimit, përqafimit dhe përkundjes.
E përditshmja e jetës duhet të ruhet sa më shumë që të jetë e mundur. Mundohuni të mbani një model të rregullt të ditës me kohën për aktivitete, të tilla si pastrimi, detyrat e shkollës, ushtrimet dhe lojërat.
Nëse fëmijët shfaqin sjellje sfiduese dhe/ose regresive, përpiquni të kuptoni se kjo është mënyra e tyre për të treguar atë që ata nuk mund të shprehin me fjalë dhe mos i ndëshkoni.
Sigurohuni që fëmijët e tjerë në jetën e fëmijës të informohen përmes mësuesve ose prindërve të tyre për atë që ka ndodhur, në mënyrë që ata të mund ta mbështesin fëmijën në kthimin e tyre në shkollë.
Mos harroni të kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj fizike dhe mendore. Ju gjithashtu jeni të pikëlluar. Mund të jetë e vështirë të mbështesni fëmijët tuaj ndërsa merreni me ndjenjat tuaja, prandaj është shumë e rëndësishme që të merrni kohë për veten dhe të kujdeseni për veten. Ju nuk mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj nëse nuk jeni mirë. Flini mjaftueshëm, hani siç duhet, bëni stërvitje, merrni kohë për t’u çlodhur (për shembull duke dëgjuar muzikë) dhe gjithashtu keni dikë të cilit mund t’i drejtoheni për mbështetje emocionale. Mundohuni të shmangni çdo praktikë të dëmshme siç është rritja e konsumit të alkoolit./ MeMjekun.com
Burimi: UNICEF