Kategorite

Me te lexuarat

ANALIZAT/ Amilaza e lartë e pankreasit, çfarë tregon dhe rreziqet

amilaza

Një enzimë është një proteinë që vepron duke përshpejtuar shpejtësinë (katalizën) e një apo më shumë reaksioneve biologjike që ndodhin në organizëm; amilazat janë enzima që katalizojnë zbërthimin e zinxhirëve të gjatë të sheqernave (amidonit) për të përftuar fragmente më të thjeshta dhe më të shkurtra për tu përthithur nga zorrët. Pra është një kalim thelbësor në tretjen e karbohidrateve.

Në organizmin e njeriut amilazat prodhohen kryesisht në pankreas dhe veprojnë në pjesën e parë të zorrës së hollë (duodenit), duke ndërmjetësuar degradimin e amidonit që përmbajnë ushqimet (kryesisht makaronat, buka, patatja, orizi); këto enzima bashkë me amilazat e pështymës, ndërhyjnë në faza të ndryshme të procesit tretës (fazën orale dhe fazën intestinale)

Amilazat janë të pranishme gjithashtu dhe në pështymën e njeriut dhe gjitarëve të tjerë, atje ku nis procesi kimik i tretjes; ushqimet që kanë përmbajtje të lartë amidoni por pak sheqer, si për shembull orizi apo patatja, mund të fitojnë një shije paksa të ëmbël nëse përtypen mjaftueshëm, pasi amilaza degradon pjesë të amidonit të sheqerit që në gojë. Sasi më të vogla amilaze prodhohen gjithashtu edhe në organe të tjera si mëlçia, mushkëritë dhe zorrët.

PËRSE MATET AMILAZA?

Përgjithësisht niveli i amilazës kërkohet sidomos për të vlerësuar funksionalitetin e pankreasit; në kushte normale, në fakt, përqendrimi i kësaj enzime në gjak dhe urinë është minimal, ndërsa ka tendencë të rritet në rastin e dëmtimeve të organeve, si në prani të proceseve inflamatore (pankretatiti akut apo kronik) apo në rastin e pengimit të kanalit pankreatik nga format tumorale ose gurët e tëmthit; bllokimi i kanalit shkakton një sekretim më të madh të amilazës në qarkullim, duke rezultuar në një rritje të përqendrimit të enzimës në gjak dhe urinë (kjo për shkak se amilazat qarkulluese eliminohen kryesisht përmes urinës).

Matja e vlerave të amilazës mund të kërkohet gjithashtu për të monitoruar efektivitetin e trajtimeve të vazhdueshme.

Lexo edhe-  Problemi me tretjen/ Pankreatiti kronik, shkaqet, simptomat dhe trajtimi

VLERAT NORMALE

Amilaza totale (fraksioni pankreatik dhe i pështymës): 1-225 U.I./L
Amilaza pankreatike: 17-115 U.I./L
Amilaza e pështymës: 17-135 U.I/L
Amilaza e urinës: 25-1.500 U.I./24 orë

Verat e konsideruara normale ndryshojnë nga laboratori në laborator, prandaj në çdo analizë kontrollohet vlera referuese

KUR BËHET ANALIZA

Dozimi i amilazës bëhet me rekomandim të mjekut, kur pacienti ka shqetësime që i atribuohen pankreasit, si:

Dhimbje të forta barku (ndonjëherë dhe në shpinë dhe bëhet më intensive pas vaktit)
Temperaturë
Mungesë oreksi
Fryrje barku
Humbje peshe pa një shkak të dukshëm
Të përziera dhe të vjella
Prodhim i jashtëqitjes së yndyrshme dhe me erë të keqe
Meteorizmi
Verdhëza

Përveç analizës mund të kërkohet ekzaminimi, së bashku me përcaktimin e “clearance” të kreatininës nëse dyshohet për funksionimin e veshkave, në prani të hepatit kronik apo post operacion për heqjen e gurëve të tëmthit

AMILAZA E LARTE

Përqëndrimi i amilazës ka tendencën të rritet në këto raste:

Pankreatiti: gjatë pankreatitit akut vlerat e amilazës në gjak rriten 6-14 herë krahasuar me kufijtë normale në një periudhë prej 12 orësh, duke qëndruar të larta për disa ditë, ndërsa përqëndrimi i amilazës në urinë deri në 10 dtët e ardhshme; rritja e përqendrimit shoqërohet me një rritje të njëkohshme të vlerave të një enzime tjetër të prodhuar nga pankreasi, lipazës

pankreatitin kronik (sëmundje që lidhet zakonisht me abuzimin me alkoolin, traumën, pengim të kanalit pankreatik apo sëmundje gjenetike si fibroza cistike), vlerat e amilazës në gjak rriten në një masë më të vogël se sa pankreatiti akut dhe kanë tendencë të zvogëlohen në fazën e avancuar të sëmundjes pasi funksionaliteti i organit është shumë i dëmtuar.
Gjendja inflamatore shkakton vdekje të indit pankreatik për shkak të tretjes qelizore nga enzimat (amilaza dhe lipaza) që prodhohen nga vetë organi.

Tumoret e pankreatitit, vezoreve apo mushkrive: mund të përcaktojnë stenoza të kanalit pankreatik
Makroamilazemia: patologjia beninje që karakterizohet nga prania në qarkullim e proteinave me të cilat lidhet amilaza, duke formuar një kompleks që nuk është në gjendje të kalojë filtrin renal dhe akumulohet në gjak;

Infeksione dhe pengesa të gjendrës së pështymës; pasi një sasi e amilazave prodhohet dhe në këto gjendra, inflamacioni i parotideve (shytat) mund të japin një rritje të përqëndrimit të amilazës.
Pamjaftueshmëria e veshkave: në këtë rast rritja e amilazës në gjak shoqërohet me një përqëndrim normal apo të ulët të amilazës në urinën normale, kjo pasi veshka nuk arrin të eliminojë enzimat përmes urinës;
Pengesa të kanalit pankreatik: gjendje tipike që shkaktohet nga prania e gurëve në tëmth apo abuzimit me alkoolin;
Kolecistiti: inflamacion i fshikëzës së tëmthit në përgjithësi për shkak të pranisë së një guri në tëmth që pengon kanalin cistik;
Ulçera e perforuar: kur ulçera arrin të tejkalojë muret e stomakut dhe duodenit mund të flasim për një rritje të përqëndrimit të amilazës në gjak;
Gastroenteriti viral: një grip i zakonshëm i zorrëve mund të japë një rritje tranzitore të përqëndrimit të amilazës;
Shtatzënia ektopike: shtatzëni ku veza e fekonduar është jashtë mitre
Fibrozë cistike: patologjia gjenetike që prek gjendrat ekzokrine që prodhojë mukozë dhe djersë duke shkaktuar dëmtime në organe të shumta.

VLERAT E ULËTA

Vlerat e ulëta të amilazës shfaqen gjatë:

Pamjaftueshmërisë pankreatike: në rastin e dëmtimit të përhershëm të qelizave të pankerasit përqëndrimi në gjak dhe urinë i amilazës ka tendencë të ulet;
Cirozës së mëlçisë: sëmundja kronike dhe degjenerative e mëlçisë që shkakton një dëm të pakthyeshëm të strukturës së organit;
Pamjaftueshmëri të veshkave: në këtë rats vlerat e amilazës në urinë zvogëlohen në mënyrë drastike;
Preeklampsia: shfaqet kryesisht pas javës së 27-të të shtatzënisë me rritje të tensionit, rritje të proteinave në urinë dhe shfaqje të edemës në pjesë të ndryshme të trupit.

SI KRYHET ANALIZA?

Dozimi i amilazës bëhet përmes një kampioni gjaku për të vlerësuar përqëndrimin në gjak të enzimës (amilazemia) dhe përmes një kampioni të urinës kur duhet të përcaktojmë përqëndrimin e saj në urinë (amilazuria).

PËRGATITJA E KËRKUAR

Për të përcaktuar dozimin hematik të amilazës është e nevojshme që të mos keni konsumuar alkool në 24 orët para marrjes së gjakut dhe duhet të jeni esëll prej të paktën 8 orësh, kohë gjatë së cilës mund të pini shumë ujë.
Mbledhja e urinës për vlerësimin e amilazuria duhet të bëhet në një kontenitor steril njëpërdorimësh duke adoptuar një teknike të quajtur “intermediate mitto”, duke marrë rrymën e parë të urinës gjatë urinimit dhe rrymën e fundit.

FAKTORËT QË NDIKOJNË NË ANALIZË

Disa ilaçe si antiinflamatorë, kontraceptivë, kortizon mund të ndryshojnë rezultatin e analizave, prandaj duhet të këshilloheni me mjekun për të ditur se kur duhet të merrni kampionin e gjakut dhe nëse është e nevojshme të ndryshoni trajtimin që po ndiqni./ MeMjekun.com

Burimi: ISS