Çfarë është sindromi i Tunelit Karpal dhe si kurohet
Share This Article
Sindroma e tunelit karpal është një gjendje që shkakton mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash dhe simptoma të tjera në dorë dhe krah. Shkaktohet nga një nerv i shtypur në tunelin e kyçit të dorës,i cili është një kalim i ngushtë në anën e pëllëmbës së kyçit të dorës.
Vetë Anatomia e kyçit të dorës, problemet shëndetësore dhe ndoshta lëvizjet e përsëritura të duarve mund të kontribuojnë në sindromën e tunelit karpal.
Trajtimi i duhur zakonisht lehtëson ndjesinë e shpimit të gjilpërave dhe mpirjen, gjithashtu rikthen funksionin e kyçit të dorës dhe dorës.
SIMPTOMAT (SHËNJAT)
Simptomat zakonisht fillojnë gradualisht. Simptomat e para shpesh përfshijnë mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash në gishtin e madh, tregues dhe të mesëm që vjen dhe shkon herë pas here.
Sindroma e tunelit karpal gjithashtu mund të shkaktojë shqetësim në kyçin e dorës dhe pëllëmbën e dorës. Simptomat e zakonshme të sindromës së tunelit karpal përfshijnë:
- Ndjesi shpimi gjilpërash ose mpirje. Mund të përjetoni ndjesi shpimi gjilpërash dhe mpirje në gishta ose në dorë. Zakonisht gishti i madh dhe treguesi, i mesit ose i unazës preken, por jo gishti i vogël. Ndonjëherë ka një ndjesi si një goditje elektrike në këto gishta.
Ndjesia mund të kalojë nga kyçi deri në krah. Këto simptoma shpesh shfaqen kur mbani timonin, telefonin ose gazetën. Ndjesia mund t’ju zgjojë nga gjumi.
Shumë njerëz “shtrëngojnë” duart në përpjekje për të lehtësuar simptomat e tyre. Ndjenja e mpirjes mund të bëhet konstante me kalimin e kohës.
- Dobësi. Ju mund të përjetoni dobësi në dorë dhe një tendencë për të rrëzuar objektet (bien padashje nga dora). Kjo mund të jetë për shkak të mpirjes së dorës ose dobësisë së muskujve shtrëngues të gishtit të madh, të cilët gjithashtu kontrollohen nga nervi Median.
KUR TË SHKONI TE DOKTORI
Shkoni te mjeku nëse keni shenja dhe simptoma të vazhdueshme që sugjerojnë sindromën e tunelit karpal të cilat ndërhyjnë në aktivitetet tuaja normale dhe prishin cilësinë e gjumit. Mund të ndodhë dëmtimi i përhershëm i nervave dhe i muskujve. (Vijon poshtë fotos)
SHKAQET
Sindroma e tunelit karpal shkaktohet nga shtypja e nervit Median.
Nervi Median kalon nga parakrahu përmes një kalimi në kyçin e dorës (tuneli i kyçit të dorës) tuaj. Ky nerv mundëson ndjeshmërinë në pëllëmbë, në gishtin e madh dhe në gishtat e tjerë, përveç gishtit të vogël. Ai gjithashtu siguron sinjale nervore për të lëvizur muskujt rreth bazës së gishtit të madh (funksioni motorik).
Çdo gjë që shtyp ose irriton nervin Median në hapësirën e tunelit karpal mund të çojë në sindromën e tunelit karpal. Një frakturë e kyçit të dorës mund të ngushtojë tunelin Karpal dhe të irritojë nervin, gjithashtu edhe ënjtja ose inflamacioni që vijnë nga artriti reumatoid.
Në shumë raste nuk ka ndonjë shkak të përcaktuar. Mund të ndodhë që një kombinim i faktorëve të rrezikut të kontribuojë në zhvillimin e gjendjes.
FAKTORËT E RREZIKUT
Një sërë faktorësh kanë të bëjnë me sindromën e tunelit karpal. Megjithëse mund të mos shkaktojnë drejtpërdrejt sindromën e tunelit karpal, mund të rrisin shanset për të zhvilluar ose përkeqësuar dëmtimin e nervit Median. Këtu perfshihen:
- Faktorët Anatomikë. Një frakturë ose dislokim i kyçit të dorës, ose artriti që deformon kockat e vogla në kyçin e dorës, mund të ndryshojnë hapësirën brenda tunelit karpal dhe të ushtrojë presion mbi nervin Median.
Njerëzit me tunele karpale më të vogla mund të kenë më shumë gjasa të kenë sindromën e tunelit karpal.
- Sindroma e tunelit karpal në përgjithësi është më e zakonshme tek gratë. Kjo mund të jetë për shkak se zona e tunelit karpal është relativisht më e vogël te femrat sesa te meshkujt.
Gratë që kanë sindromën e tunelit karpal, gjithashtu mund të kenë tunele më të vogla të kyçit të dorës sesa gratë që nuk e kanë këtë gjendje.
- Situatat e dëmtimit të nervave. Disa sëmundje kronike, si diabeti, rrisin rrezikun e dëmtimit të nervit, duke përfshirë dëmtimin e nervit Median.
- Situatat Inflamatore. Sëmundjet që karakterizohen nga inflamacioni, si artriti reumatoid, mund të ndikojnë në veshjen rreth tendinave në kyçin e dorës dhe mund të bëjnë presion mbi nervin Median.
- Obeziteti. Të qenit i shëndoshë është një faktor rreziku i rëndësishëm për sindromën e tunelit të kyçit të dorës.
- Ndryshimet në ekuilibrin e lëngjeve të trupit. Mbajtja e lëngjeve mund të rrisë presionin brenda tunelit karpal, duke irrituar nervin Median. Kjo është e zakonshme gjatë shtatzënisë dhe menopauzës. Sindroma e tunelit të kyçit të dorës e lidhur me shtatzëninë në përgjithësi zgjidhet vetë pas shtatzënisë.
- Situata të tjera mjekësore. Disa situata, të tilla si menopauza, obeziteti, çrregullimet e tiroides dhe mos-funksionimi i veshkave, mund të rrisin shanset për sindromën e tunelit karpal.
- Faktorët e vendit të punës. Është e mundur që puna me mjete vibruese ose në një linjë montimi që kërkon përkulje të zgjatur ose të përsëritur të kyçit të dorës mund të krijojë presion të dëmshëm në nervin Median ose të përkeqësojë dëmtimin ekzistues të nervit.
Ndërkohë, provat shkencore janë kontradiktore dhe këta faktorë nuk janë vërtetuar si shkaktarë të drejtpërdrejtë të sindromës së tunelit karpal.
Disa studime kanë vlerësuar nëse ekziston një lidhje midis përdorimit të kompjuterit dhe sindromës së tunelit karpal dhe ka rezultuar se nuk ka pasur prova të mjaftueshme cilësore dhe të qëndrueshme për të mbështetur përdorimin e gjerë të kompjuterit si një faktor rrisku për sindromën e tunelit të kyçit të dorës, megjithatë mund të shkaktojë një formë të ndryshme të dhimbjes së dorës.
PARANDALIMI
Nuk ka strategji të provuara për të parandaluar sindromën e tunelit të kyçit të dorës, por ju mund të minimizoni ngarkesën në duart dhe kyçet me këto metoda:
- Zvogëloni forcën dhe relaksoni shtrëngimin. Nëse puna juaj përfshin një kasë ose tastierë, psh. mund të shtypni butësisht butonat. Nëse shkruani me dorë për një kohë të gjatë, duhet të përdorni një stilolaps të madh me një përshtatës gishti të madh, të butë dhe bojë me rrjedhje të lirë.
- Bëni pushime të shpeshta. Zgjatni dhe përkulni me kujdes duart dhe kyçet periodikisht. Duhet ti alternoni detyrat kur është e mundur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse përdorni pajisje që dridhen ose që kërkojnë nga ju të ushtroni një sasi të madhe forcë.
- Kujdesuni për lëvizjen. Shmangni përkuljen e kyçit të dorës lart ose poshtë maksimalisht. Një pozicion i qetë në mes është më i miri. Mbajeni tastierën në lartësinë e bërrylit ose pak më të ulët.
- Përmirësoni qëndrimin. Qëndrimi i gabuar i rrotullon shpatullat përpara, duke shkurtuar muskujt e qafës dhe shpatullave dhe duke shtypur nervat në qafë. Kjo mund të prekë kyçet, gishtat dhe duart tuaja.
- Ndryshoni Mausin e kompjuterit. Sigurohuni që Mausi i kompjuterit të jetë i rehatshëm dhe të mos e tendos kyçin.
- Mbajini duart të ngrohta. Ka më shumë gjasa të zhvilloni dhimbje dhe ngurtësi të duarve nëse punoni në një mjedis të ftohtë. Nëse nuk mund ta kontrolloni temperaturën në punë, vishni doreza pa gishta që të mbani duart dhe kyçet të ngrohta.
Artikull nga dr. Gerald Kola, Mjek Internist dhe Këshillues Mjeksor
SHENIM: Informacionet e publikuara në portalin memjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.