Atelofobia, frika nga papërsosmëria. Shkaqet dhe trajtimi
Share This Article
Atelofobia është një shqetësim psikologjik që shkaktohet nga frika e papërsosmërisë, në çdo fushë të jetës së përditshme, qoftë në aspektin fizik, marrëdhëniet ndërpersonale, shkollë apo punë, ide apo bindje.
Kjo përkthehet në një ndjesi të vazhdueshme të pamjaftueshmërisë dhe në kërkim të përsosmërisë. Ata që vuajnë nga atelofobia mendojnë se gjithçka që bëjnë në të përgjithshme është e gabuar dhe jo e mjaftueshme për pritshmëritë e të tjerëve. Kjo tendencën pakënaqësie e përgjithshme shoqërohet me ankth, dhe si shqetësimet e tjera fobike, çonnë simptoma somatike si djersitja, ethet, ndjesia e nxehtësisë, rrahjet e zemrës të shpeshta, marrje mendsh dhe ndjesi mungese oksigjeni. Ajo mund të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të një personi por për fat të mirë mund të kurohet me psikoterapi.
PËRKUFIZIMI I ATELOFOBISË
Atelofobia është një shqetësim që vjen nga frika e të mos qënit në lartësinë e duhur dhe të mos jesh i aftë të kryesh çdo aktivitet. Kush vuan prej saj bëhet shumë kritik ndaj çdo gjëje dhe shfaq një tendencë pakënaqësie në përgjithësi që përkthehet në pasiguri në fusha të shumta.
Fjala “atelofobi” vjen nga greqishta, “ateles” (papërsosmëri) dhe “fobia” (frikë).
SHKAQET DHE FAKTORET E RISKUT
Siç e përmendëm më lart atelofobia është klasifikuar si një shqetësim ankthi nxitur nga ideja e arritjes së perfeksionit. Kjo e bën personin e prekur të vazhdojë të vendosë objektiva, shpesh të pamundura për tu arritur, për tu ndjerë i pranuar dhe i plotësuar. Atelofobia pra bëhet brenda një rrethi vicioz: tendenca për të pasur pritshmëri të ekzagjeruara, për të arritur përsosmërinë kaq të dëshiruar, e që çon në zhgënjim nga mosarritja e tyre. Për pasojë personi i prekur nga atelofobia kërkon vazhdimit të përsoset, të ripunojë apo të përmirësojë diçka që është vlerësuar shumë nga ata që e rrethojnë.
Ajo që duhet theksuar është se frika nga papërsosmëria shkon përtej dëshirës për ti bërë gjërat në mënyrën më kompetente të mundshme: atelofobia bëhet një fiksim që shkatërron lidhjet dhe e bën të pamundur funksionimin në shoqëri.
Kush rrezikohet më shumë?
Në fakt gratë preken më shumë prej atelofobisë, pasi janë më të prekshme nga krahasimet me burrat. Kjo i çon fratë të jetojnë në një ndjesi të vazhdueshme se do të gjykohen nga të tjerët, në bazë të aspektit fizik ose rezultateve që ka arritur në jetë. Qartësisht, ky presion prekin njerëzit më të prirur, qoftë gra apo burra, që të arrijnë në pikën e atelofobisë.
Pse vuajmë nga Atelofobia?
Shkaqet e saj nuk identifikohen lehtë por mund të ndikojnë disa faktorë përfshi ato ambientalë, karakterial dhe biologjiko-gjenetik.
Shpesh, atelofobia vjen pas një traume, episodi dramatik të lidhur me një periudhë në jetë, kujtime të dhimbshme të një humbjeje apo mossuksesi, pritshmëritë shumë të larta të një miku apo prindi, apo ngjarje të tjera negative që e kanë të vështirë ti pranojnë.
Në raste të tjera mund të ketë burim të jashtëm si prindi, apo një mik e një koleg që e bind personin atelofobik që është i papërsosur dhe i gabuar. Mund të ndikojnë dhe lidhjet sentimentale të përfunduara.
SIMPTOMAT DHE KOMPLIKACIONET
Ndër simptomat që shfaqen janë nervozizmi, vështirësia për të mos menduar për papërsosmërinë e vet, vizion pesimist, vetëvlerësim i ulët, dëshirë për të qenë perfekt në çdo fushë, zhgënjim ekstrem nëse nuk e arrin diçka, shqetësim konstant për kryerjen e veprimtarisë së vet, emocione negative me zemërim, trishtim, pamjaftueshmëri dhe ndjesi faji.
Zakonisht kush vuan nga ky shqetësim në çdo situatë stresuese apo shqetësuese nxit një frikë që e çon në një sjellje të caktuar “Lufto ose ik”.
Ky reagim është dhe në fobitë e tjera: trupi i përgjigjet stimulit fobik me një shprehje ekstreme të instinktit të mbijetesës, që përkthehet në një përgjigje jonormale të nivelit emocional, që shfaq më pas dhe simptomat somatike. Pra me fjalë të tjera, mendja e interpreto mendimin e të qenit të papërsosur si një kërcënim, dhe përgatit automatikisht trupin të largohet nga ky rrezik potencial i dhënë në një situatë atelofobike. Kjo përgjigje e tepërt emocionale është një nga shenjat më të qarta që një person “është pre” e një shqetësimi fobik.
Atelofobia shfaqet dhe me simptoma fizike si të qarat, të dridhurat, rrahjet e shpeshta të zemrës, djersë të ftohta apo e kundërta nxehtësi, marrje mendsh, dhimbje koke, kruarje apo morrnica, ndjesia e mbytjes, mpirje, ndjesia e “kokës bosh”, ndjesia e shtrëngimit në gjoks, rritje e nevojës për të shkuar në tualet.
Pasojat e mundshme
Atelofobia kufizon në mënyrë të dukshme jetën e personit që vuan. Me kohën simptomat aktivizohen gjithashtu thjesht duke menduar shqetësimin, dhe në raste ekstreme mund të çojë në vetëvrasje, depresion, skizofreni apo çrregullim të ngrënies.
DIAGNOZA
Nëse simptomat e atelofobisë kufizojnë në mënyrë domethënëse jetën e përditshme normale për më shumë se 6 muaj, këshillohet t’i drejtoheni një mjeku, psikiatër apo psikolog për të identifikuar dhe përcaktuar problemin.
Vlerësimi fillestar i personit atelofobik është thelbësor për të kuptuar arsyet që janë në bazë të shqetësimit, duke identifikuar kuptimin dhe duke cilësuar sferën e tij.
Për më tepër mjeku:
I kërkon paientit përshkrimin e simptomave dhe ato që e nxisin
Kërkojnë të përcaktojë sa të rënda janë simptomat
Përjashton llojet e tjera të shqetësimeve nga ankthi apo patologji të përgjithshme.
Për të formuluar diagnozën e atelofobisë mjeku vëzhgon reagimin e pacientit ndaj idesë së dështimit.
TRAJTIMI I ATELOFOBISE
Atelofobia mund të përballohet me një trajtim terapeutik që synon të trajtojë shkaktarët e nxitjes së ankthit dhe reagimet që vijnë.
Zgjedhja mes ndërhyrjeve apo kombinimeve të ndryshme varet nga personi dhe sa i rëndë është kuadri klinik. Strategjitë më efikase përfshijnë teknikën e relaksimit, meditimit, psikoterapisë konjitivo-sjellje. Këto ndërhyrje kërkojnë të shtyjnë pacientin drejt racionalizimit të frikës se nuk arrin të arrijë përsosmërinë dhe të gjejë mënyra për të ndryshuar këtë tendencë. Terapisti mund të ndihmojë pacientin të përqendrohet tek mundësitë e reagimit ndaj mendimit të ankthshëm dhe të ndryshojë rrethin vicioz.
Në kombinim me trajtimin psikologjik, mjeku psikiatër mund të përshkruaje për periudha të shkurtra terapinë me ilaçe për të kontrolluar simptomat që lidhen me atelofobinë, si ankthi. Mjekimet që përdoren zakonisht janë benzodiazepine, beta-bllokuesit, antidepresivët triciklik, frenuesit selektiv të serotoninës (SSRI) dhe ata të MAOI. Kini parasysh që ilaçet mund të zgjidhin përkohësisht problemin, por jo në mënyrë përfundimtare.
Terapia për atelofobinë duhet të vendosë një ekuilibër në jetë, i cili nuk eliminon aspektet pozitive të konkurrencës dhe nuk e mbyt kreativitetin e individit. Gjatë trajtimit psiko-terapeutik, frustrimi i të mos qenit perfekt duhet të zëvendësohet me një ndjesi të arritjes së një pune të bërë mirë./ MeMjekun.com