Analiza e HCT, çfarë tregon dhe cilat janë vlerat normale
Share This Article
Analiza e Hematokritit (HCT) është një analizë gjaku që mat përqindjen e vëllimit të gjakut që zënë rruazat e kuqe. Pra, më thjeshtë, nëse rezultati do të ishte 45% do të thotë që 45% e kampionit të gjakut e zënë rruazat e kuqe dhe pjesa që mbetet prej 55% është plazma (pjesa e lëngshme)
Ajo është një vlerë që është pjesë e analizave të tjera të gjakut si hemoglobinës, numërimit të rruazave të kuqe, rruazat e bardha, trombocitet etj.
Rruazat e kuqe prodhohen nga palca kockave dhe hidhen në qarkullim sapo arrijnë pjekurinë. Çdo qelizë e kuqe përmban hemoglobinën, molekulën e lidhur me oksigjenin. Duke qenë se funksioni i qelizave të kuqe është ai i transportimit të oksigjenit nga mushkëria në të gjithë trupin, matja e këtij parametri është veçanërisht e rëndësishme për të vlerësuar aftësisë së shpërndarjes së oksigjenit.
Një rruazë e kuqe jeton mesatarisht 120 ditë, por prodhimi i rruazave të reja është i vazhdueshëm për gjithë jetën dhe ky proces duhet parë si një ndryshim i vazhdueshëm mes rruazave të vjetra dhe të reja.
VLERAT NORMALE
Vlerat janë më të larta tek meshkujt se sa femrat
Meshkujt:
Fëmijë:
Nga lindja- 7 ditësh: 42.0-60.0%
8-14 ditësh: 39.0-60.0%
15 ditësh- 1 muajsh: 31.0-55.0%
2-5 muaj: 28.0-42.0%
6 muajsh- 1 vjeç: 33.0-40.0%
2 vjeç: 33.0-42.0%
3-5 vjeç: 33.0-43.0%
6-11 vjeç: 35.8-42.4%
12-15 vjeç: 37.3-47.3%
Të rriturit : 38.8-50.0%
Femrat
Fëmijë:
Nga lindja- 7 ditësh: 42.0-60.0%
8-14 ditësh: 39.0-60.0%
15 ditëshe-1 muajsh: 31.0-55.0%
2-5 muajsh: 28.0-42.0%
6 muajsh -1 vjeçe: 33.0-40.0%
2 vjeçe: 33.0-42.0%
3-5 vjeçe: 35.0-44.0%
6-11 vjeçe: 35.7-43.0%
12-15 vjeçe: 36.3-43.4%
Të rritur: 34.9-44.5%
VLERAT E ULËTA DHE VLERAT E LARTA
Në përgjithësi një hematokrit me vlerë të lartë trego praninë e një sasie të madhe të rruazave të kuqe krahasuar me vëllimin total të gjakut, por interpretimi duhet bërë gjithmonë njëkohësisht me parametrat e tjerë të gjakut.
Nëse kjo situatë shkon në ekstrem bëhet e rrezikshme, si rasti i dopingut në sport, kjo pasi gjaku shumë i dendur është vështirë të pompohet nga zemra dhe në periferi të trupit dhe kapilarët më të vegjël.
Disa shkaqe të vlerës së lartë të hematokritit mund të jetë dehidratimi, Polycythemia vera (një sëmundje jo e zakonshme), sëmundje të mushkërive dhe kardiovaskulare, tumoret e veshkave.
Ndërsa hematokriti i shoqëruar me një vlerë të ulët tregon pamjaftueshmëri të rruazave të kuqe të gjakut që në përgjithësi tregojnë gjendjen e anemisë dhe shkaqet mund të jenë humbje gjaku, prodhim i pamjaftueshëm të këtyre rruazave, apo shkalla e rritur e shkatërrimit të rruazave të kuqe të gjakut si talasemia.
KUR KËRKOHET ANALIZA DHE SIMPTOMAT
Duke qenë pjesë e hemokronit, hematokriti kërkohet shpesh si një analizë rutine, por mund të merret në konsideratë sidomos në rastet kur dyshohet anemi, leucemi, dehidratim, mungesë ushqimi si hekuri apo folati.
Mes simptomave më të zakonshme të anemisë kujtojmë mungesë frymëmarrje, lodhje e dobësi, ndjesi venitjeje, marrje mendsh, dhimbje koke, këmbë e duar të ftohta, zbehje e dhimbje gjoksi./ MeMjekun.com