Nga logoped Erges Eskiu/ Pse nuk duhet t’i nxjerrim fëmijët nga klasa kur pengojnë orën e mësimit
Share This Article
Duke qenë se shoqëria shqiptare e ka prezente dhunën në shoqëri dhe në institucione, sidomos atë arsimore, çfarë mund të bëjmë për ta ndaluar ose të paktën për ta minimizuar?
Së pari, zbatimi i ligjit është një element të cilin nuk mund ta anashkalojmë! Dhunuesit duhet të ndëshkohen dhe si shtesë të kenë të detyrueshëm leximin, të paktën 1-2 orë në ditë!
Së dyti, për institucionet arsimore. Mësuesit duhet të trajnohen sesi të reagojnë me situata të ngjashme ose specifike. Pra, shumë mirë që ne i themi mësuesit se ju nuk duhet ta dhunoni fëmijën, nuk duhet ta nxirrni nga klasa ose duhet të bëni këtë gjë, por nga ana tjetër, duhet t’i trajnojmë ata.
Ne duhet t’u japim atyre alternativën sesi kjo gjë mund të funksionojë, sepse ndryshe mund krijojë dhe krijon frustrim tek ata, nuk ndihen të lirshëm dhe nuk i lejon të shfaqin më të mirën e tyre. Prandaj, është e nevojshme që mësuesit të dinë si të reagojnë në rastin kur një ose disa fëmijë po pengojnë mbarëvajtjen e mësimit!
Nxjerrja jashtë është një masë, jo dhunuese fizikisht, por jo e “shëndetshme”. Nxjerrja jashtë shikohet si një mënyrë për të hequr problemin nga klasa dhe për të vazhduar të qetë orën e mësimit, ose mendojnë që fëmija do të qetësohet dhe do rikthehet më i qetë në klasë, apo hera-herës shikohet edhe si një masë për të mos lejuar precipitimin e situatës e mësuesi të kalojë në fyerje dhe mandej në dhunë, pra për të mos shkuar te “instinkti kafshëror”.
Instinkti kafshëror duhet thënë se gjendet brenda secilit prej nesh, por duke qenë se disa nuk munden ta kontrollojnë atë, bëhen të dhunshëm dhe të dëmshëm për shoqërinë! Pa dashur të etiketojmë dhe të fyejmë askënd, po ndalemi vetëm për të dhënë të paktën dy alternativa sesi mund të zgjidhet situata, pa dëmtuar fëmijët dhe as shkaktuar frustrim të vazhdueshëm te mësuesit, të cilët meritojnë respekt!
1. Fëmijës mund t’i kërkohet t’ua tregojë edhe të tjerëve me çfarë po merret apo çfarë po bisedon me shokun/shoqen apo shokët/ shoqet.
2. Mësuesi ndërpret mësimin dhe organizon një lojë për 5-10 minuta e mandej rikthehet sërish në planin mësimor! Për t’i shpjeguar: E para, nëse 1 ose disa fëmijë po pengojnë orën e mësimit, mësuesi mund të ndërpresë shpjegimin dhe pa i ofenduar ose etiketuar si problematikë, kërkon prej tyre që edhe pjesa tjetër bashkë me vetë mësuesin të dinë se me çfarë po merren ose çfarë po bisedojnë. Na e thoni edhe ne këtë gjë, që qenka kaq interesante sa për të mos ndjekur orën e mësimit, ta dimë edhe ne, ose të qeshim edhe ne! Në këtë moment, fëmija ose fëmijët mund të ndihen ngushtë në raport me pjesën më të madhe të grupit që po ndjek mësimin dhe në siklet, do kërkojnë ndjesë dhe do ndjekin procesin mësimor.
E dyta, prej vëmendjes së të gjithë klasës drejtuar tyre, ata, në pamundësi të menaxhimit të emocioneve, mundet sërish të refuzojnë ta shfaqin atë që po bënin dhe të ndjekin procesin. E treta mund ta tregojnë, të kënaqen dhe më pas mund të kthehen sërish në procesin mësimor.
Pra ideja është: këta fëmijë kanë energji për të shpenzuar dhe/ose nevojë për vëmendje dhe nëse në gjejmë çelësin për zgjidhjen e kësaj situate, ne mundet që të bashkojmë të gjithë grupin, t’i motivojmë të gjithë fëmijët që të mësojnë më shumë, duke i treguar se mësuesi ose mësuesja i respekton të gjithë, nuk i fyen, nuk i dhunon, ndaj edhe ata nuk kanë pse ta pengojnë mësimin, por të bashkëpunojnë më shumë për të mirën e përbashkët. Alternativa e dytë.
Më kujtohet njëherë pedagogia ime e edukimit pedagogjik. Ishte një zonjë shumë e shëndetshme, shumë e qetë dhe inteligjente njëkohësisht. Tre student, një djalë dhe dy vajza, po bisedonin mes tyre në bankën e tretë nga ana e dritareve. Ndërkohë që ajo shpjegonte, ata nuk shfaqnin interes për ta dëgjuar, ndoshta duke paragjykuar lëndën, ose edhe prej pamjes së saj fizike. Pedagogia i pa dhe nuk u foli asnjë fjalë, por ne e pamë që ajo nuk po ndihej mirë dhe ndërpreu mësimin.
“Mirë, do të bëjmë një lojë të gjithë bashkë, edhe unë me ju, – tha ajo. – Do vendosim në formë rrethore 20 karrige, aq sa student jeni në auditor, dhe uluni secili në karrigen e vet”. Ajo hyri në mes të rrethit me një shami në dorë. “Loja është kjo: do të këndoni bashkë me mua dhe kur unë të them uluni, ju do uleni në një karrige ku të mundeni, kush të ulet i pari!” “Tani më ndiqni nga pas, duke kënduar një këngë”. Në xhiron e dytë, ajo i dha shaminë një studenti dhe u ul vet në një prej 20 karrigeve.
Ne vazhduam të rrotulloheshim edhe për dy xhiro të tjera dhe më pas ajo thirri: Uluni! Unë dhe besoj gjithë grupi e pamë kur u ul, por mes habisë e dyshimit që na kishte përfshirë prej fillimit, se mos ajo po tallej me ne apo po luante vërtet për ta na shtensionuar nga ngarkesa e ditës, dhe ndjekjes së lojës, truri ynë ishte shpërndarë në disa drejtime dhe askujt nuk i shkoi ndërmend se një karrige ishte e zënë dhe njeri do mbetej patjetër në këmbë kur të gjithë të nxitonin për t’u ulur! Dikush ngeli në këmbë dhe ne, mes skuqjes së fytyrës dhe buzëqeshjes, kuptuam se pedagogia jonë na kishte mundur të gjithëve me një lojë shumë të thjeshtë.
Loja vazhdoi edhe për 4-5 xhiro të tjera. Të tërë u kënaqën së bashku duke luajtur, u shtensionuan dhe për gjithë vazhdimin e lëndës, askush nuk guxonte të pipëtinte në auditor kur zhvillonim edukimin pedagogjik. Pra, këto janë dy mënyra alternative se si ne mund të shmangim etiketimin apo stigmatizimin e fëmijës si problematik, si të mbajmë grupin të bashkuar dhe të motivuar dhe si ne vetë të jemi të lumtur dhe sa më produktiv për të gjithë dhe me të gjithë fëmijët, që në një të ardhme, të kemi breza më të mirë, më pak të dhunshëm dhe më shumë bashkëpunues me njëri-tjetrin
Nga Erges Eskiu, logoped
Burimi: Gazeta Panorama