Çfarë është proteinuria dhe analizat që duhen

Share This Article
Proteinuria është një gjendje që karakterizohet nga prania shumë më e madhe se normalja e proteinave në urinë. Zakonisht shoqërohet me një sëmundje apo anomali por mund të shfaqet dhe në individë të shëndetshëm.
Plazma, pjesa e lëngshme e gjakut, përmban disa proteina të ndryshme. Një nga funksionet e veshkave është konservimi i proteinave plazmatike në mënyrë që mos të eliminohet bashkë me produktet mbetje që largohen me urinën.
SIMPTOMAT
Analizat laboratorike është e vetmja mënyrë për të ditur nëse dikush ka proteina në urinë. Disa organzata të shëndetësisë rekomandojnë një analizë të rregullt urine për njerëzit që janë në risk për sëmundje kronike të veshkave. Zakonisht nuk ka simptoma të lidhura me të, sidomos në rastet të lehta.
Sasia e madhe e proteinave mund të shkaktojë shfaqjen e urinës me shkumë. Humbje e konsiderueshme e proteinave nga gjaku mund të ndikojë në aftësinë e trupit për të rregulluar lëngjet, që mund të çojnë në ënjtjen e duarve, këmbëve, barkut dhe fytyrës (edema). Kur janë të pranishme këto simptoma zakonisht janë të lidhura me një gjendje ose sëmundje që shkakton proteinurinë.
ANALIZAT
Synimi i analizave për proteinurinë përfshin kontrollin e individëve që janë në rrezik, zbulimin e sëmundjes, përcaktimin e shkakut themelor, vlerësimin e lljit dhe sasisë së proteinës që del, dhe vlerësimi i funksionimit të veshkave. Nëse zbulohet proteinuria, personi duhet të monitorohet në intervale nëse shërohet apo përkeqësohet. Të dyja analizat, dhe e gjakut dhe e urinës duhen bërë për të vlerësuar proteinurinë.
Analizat laboratorike
Disa analiza që bëhen përfshijnë:
Proteina e urinës- që zbulon praninë e ndonjë lloj proteine që mund të jetë në urinë. Mund të kryhet me një mostër urine të thjeshtë apo si pjesë e urinalizës.
Urinaliza– një vlerësim i mostrës së urinës për disa substanca të ndryshme që mund të jenë në urinë, përfshi dhe proteinën. Kjo analizë përdoret si pjesë e analizave të përgjithshme për shëndetin.
Albumina e urinës– një analizë e ndjeshme që përdoret për të monitoruar nejrëzit me diabet për sasi të vogla albumine, proteina kryesore e gjakut, në urinë. Me kalimin e kohës diabeti mund të prekë funksionin e veshkave dhe kjo analizë është një indikator i hershëm nëse diabeti shkakton dëme të veshkës. Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon që njerëzit e diagnostikuar me diabetin e tipit 2 të bëjnë një herë në vit këtë analizë për nivelin e ulët të albuminës në urinë. Ndërsa për diabetikët e tipit 1 analiza duhet bërë 5 vite pas diagnostikimit, e pas kësaj çdo vit.
Një rezultat pozitiv në analiza mund të ndiqet nga analiza të tjera urine për të përcaktuar sa proteina dhe çfarë lloji humbin me urinën:
Albumina e urinës, 24 orë urinë– matja e sasisë së albuminës që ikën me urinën në këtë periudhë kohore. Kjo analizë i jep mjekut një vlerësim më të mirë për shkallën e dëmtimit të veshkave.
Raporti Albumina në urinë/kreatinina– si një alternativë ndaj mbledhjes 24 orëshe të urinës, mund të përdoret një mostër e thjeshtë urine. Në këtë rast, kreatinina matet gjithashtu. Ajo është një substancë që lëshohet në urinë në një normë të qëndrueshme. Kur të dyja, dhe proteina dhe kreatinina maten me një mostër të thjeshtë, llogaritet raporti albuminë në urinë/kreatininë. Kjo llogaritje korrigjon sasinë e kreatininës në një mostër të thjeshtë, duke pasqyruar më saktë se sa albuminë është humbur me urinën.
Proteinat në urinë, 24 orë urinë– mat sasinë e proteinave në urinë për një periudhë 24 orëshe. Ky është një vlerësim më i saktë i shkallës së proteinurisë se sa një analizë e zakonshme urine.
Raporti i proteinës në urinë/kreatininës, mat proteinën dhe kreatinën në një mostër të thjeshtë dhe korrigjon sasinë e kreatininës, njësoj si për raportin albumina në urinë/ kreatininë.
Elektroforeza e proteinave të urinës– një analizë që përdoret për të përcaktuar llojet e ndryshme dhe përqendrimet relative të proteinave të pranishme në urinë. Një analizë urine specifike përdoret për të zbuluar praninë e proteinave Bence-Jones, që përdoret kur dyshohet një mielomë e shumëfishtë.
Kur elektroforeza e proteinave tregon anomali, mund të kryhet një analizë imunofiksimi për të matur sasinë e proteinës jonormale.
Por krahas analizave të urinës, ka dhe disa analiza të tjera që përdoren për të vlerësuar funksionin e veshkave dhe/ose vlerësimin e natyrës së proteinës së pranishme në urinë.
Këtu përfshihen
BUN (Blood Urea Nitrogen) dhe kreatinina
eGFR (Glomerular Filtration Rate)
Pastrimi i kreatininës
Proteina totale (TP)
Albumina
Analiza jolaboratorike
Skanimi i veshkave bëhet për të zbuluar praninë e një sëmundjeje apo dëmtimi të veshkës.
Tensioni i gjakut mund të matet si pjesë e një hetimi për shkakun e proteinurisë. Bëhet përgjithësisht tek njerëzit që vuajnë nga hipertensioni apo janë në rrezik për shfaqjen e saj.
TRAJTIMI
Proteinurina mund të shkaktohet nga gjendje të ndryshme. Trajtimi i saj fokusohet në kontrollin e gjendjes që shkakton proteinurinë dhe minimizimin e zhvillimit të saj. Prandaj, trajtimi për çdo gjendje është i ndryshëm.
Për shembull, dikush me diabet duhet të monitojë me kujdes nivelin e sheqerit në gjak për të ndihmuar në ruajtjen e funksionit të veshkave. Dikush me tension të lartë duhet të kontrollojë tensionin gjithashtu për të parandaluar dëmtimin e veshkave. Proteinuria e lidhur me pareeklampsinë gjatë shtatëzanisë do të monitorohet me kujdes dhe zakonisht zgjidhet pasi të lindë fëmija. Ndonjëherë ilaçet, të tilla si ilaçet për tensionin e gjakut, do të përshkruhen në varësi të shkallës së preeklampsisë.
Njerëzit me një proteinuri të vazhdueshme veçanërisht ata me një funksion të reduktuar të veshkave mund të marrin rekomandime për ndryshime të regjimit ushqimor nga mjeku i tyre, për të minimizuar marrjen e proteinave dhe produkteve ushqimore jo të pasura me kolesterol. Asnjë trajtim nuk është i nevojshëm për proteinurinë kalimtare apo të lehtë./ MeMjekun.com