PSIKOLOGJI/ Vetërregullimi i emocioneve, të heshtësh kur ke shumë për të thënë

Share This Article
Teoria e Vetëvendosjes njihet ndërkombëtarisht si SDT, pra procesi i rregullimit integrues të emocioneve.
SDT përshkruan tre lloje të përgjithshme të rregullimit të emocioneve:
rregullimi integrues i emocioneve, i cili përqendrohet në emocionet si bartëse të informacionit që sillet në vetëdije;
rregullimi i kontrolluar i emocioneve, i cili përqendrohet në zvogëlimin e emocioneve përmes shmangies, shtypjes ose shprehjes së detyruar ose rivlerësimit;
rregullimi i emocioneve të pamotivuara, në të cilat emocionet janë të pakontrolluara ose të çrregulluara.
Në përgjithësi, rregullimi i brendshëm i emocioneve përfaqëson një stil të dobishëm të përpunimit të emocioneve të vetes, i cili zhvillohet më efektivisht në një mjedis jo-gjykues dhe mbështetës të autonomisë, një çështje e rëndësishme si për zhvillimin ashtu edhe për psikoterapinë.
Sapo dikush përjeton emocione, ai duhet t’i përballojë ato në një mënyrë ose në një tjetër. Kjo njihet edhe si rregullim emocionesh (RE) dhe është studiuar intensivisht gjatë dekadave të fundit.
Modeli i procesit të rregullimit të emocioneve e përcakton RE si procese me anë të të cilave individët ndikojnë se cilat emocione kanë, kur i kanë ato dhe si i përjetojnë dhe i shprehin këto emocione. Proceset rregullatore të emocioneve mund të jenë automatike ose të kontrolluara, të vetëdijshme ose të pavetëdijshme dhe mund të kenë efektet e tyre në një ose më shumë pika në procesin gjenerues të emocioneve, sipas studimit të 2014-tës të Gross.
Më konkretisht, ekzistojnë pesë faza ku procesi gjenerues i emocioneve mund të ndryshohet nga RE:
përzgjedhja e situatës (p.sh., shmangia),
modifikimi i situatës (p.sh., zgjidhja e problemeve të sjelljes),
vendosja e vëmendjes (p.sh., shpërqendrimi, përtypja e mendimeve),
ndryshimi kognitiv (p.sh., pranimi, rivlerësimi)
modulimi i përgjigjes (p.sh., shtypja). (Vijon poshtë fotos)
CILAT JANE STRATEGJITE QE SOLLI STUDIMI?
Sipas një studimi te PubMed, njerezit që morën pjesë identifikuan katër strategji për të rregulluar emocionet e tyre:
1. Ndryshim këndvështrimi(cognitive perspective change) – si ndryshimi i mënyrës së të menduarit.
Pra, ndryshon mënyrën si e sheh një situatë për të ulur ndikimin emocional negativ. Për shembull, pas një kritike në punë, i thua vetes: “Kjo është një mundësi për të përmirësuar aftësitë e mia” në vend që të mendosh “Jam i paaftë”. Kjo lloj strategjie është shumë e dobishme në situata që nuk mund t’i ndryshosh dot, por mund të ndryshosh reagimin tënd.
2. Zgjidhja e problemeve me qasje njohës–sjellore (cognitive-behavioral problem-solving)
Kjo lloj strategjie analizon problemin dhe ndërmerr hapa konkretë për ta zgjidhur, duke kombinuar logjikën me veprimin. Për shembull, nëse ndihesh i stresuar nga mungesa e kohës, planifikon një orar të qartë dhe heq disa angazhime të panevojshme. Këtë strategji mund ta përdorësh kur problemet kërkojnë zgjidhje konkrete dhe veprim.
3. Shtypje e emocioneve ose shpërqendrim (suppression-distraction)
Vendosja e emocioneve negative “në pritje” duke u fokusuar përkohësisht në diçka tjetër. Kështu, krijon një hapësirë të shkurtër pushimi për trurin dhe trupin. Për shembull, kur ndihesh i irrituar, mund të dëgjosh muzikë, të bësh një shëtitje të shpejtë ose të shohësh një film komik. Por duhet të keni parasysh se kjo strategji ndihmon për momentin, por nuk zëvendëson zgjidhjen e problemit.
4. Strategjitë trupore dhe sociale (body-social ERS) – si këshillimi me dikë ose aktiviteti fizik
Kjo strategji ka të bëjë me përdorimin e trupit dhe lidhjeve shoqërore për të qetësuar emocionet. Pra, aktiviteti fizik, frymëmarrja e thellë ose mbështetja nga një person i besuar ulin tensionin emocional dhe fizik. Për shembull, një bisedë me një mik që të kupton, disa ushtrime stretching, apo frymëmarrje e ngadaltë dhe e thellë. E këshillueshme në situata kur emocioni është i fortë dhe kërkon qetësim të menjëhershëm. /MeMjekun.com
SHËNIM: Informacionet e publikuara në portalin MeMjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.
