TË NJOHIM ILAÇET/ Adalimumab për artritin, çfarë duhet të dimë?

Share This Article
Adalimumab është përbërës aktiv në klasën e imunosupresantëve dhe frenuesve të faktorit alfa të nekrozës tumorale (TNF-α).
Më konkretisht, është një antitrup monoklonal që përdoret në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme autoimune dhe/ose inflamatore. Emrat tregtarë të tij që mund ti gjejmë në farmaci janë Humira, Amgevita, Imraldi, Hyrimoz, Hefiya, Hulio, Yuflyma, Hukyndra, Idacio. Në Shqipëri gjenden me emrat tregtar Idacio, Huyrimoz dhe Hulio.
PËR ÇFARË SHËRBEN?
Adalimumab përdoret për të trajtuar sëmundje të ndryshme autoimune dhe jo-autoimune të karakterizuara nga një komponent inflamator. Në mënyrë specifike, ilaçet me bazë adalimumab mund të kenë udhëzime specifike terapeutike për trajtimin e:
Artritit reumatoid;
Artritit poliartikular idiopatik juvenil;
Artritit të lidhur me entezitin;
Hidradenitit suppurativ;
Psoriazës, psoriazës pllake;
Artritit psoriatik;
Spondilitit ankilozant;
Spondilitit aksial pa prova radiografike të spondilitit ankilozant;
Sëmundjes së Crohn-it;
Kolitit ulceroz;
Uveitit jo-infektiv.
Në varësi të përqendrimit të përbërësit aktiv të përmbajtur, dhe për këtë arsye në dozat e duhura, adalimumab mund të përdoret për të trajtuar disa nga gjendjet e lartpërmendura, madje edhe tek fëmijët dhe adoleshentët.
Kush e jep si ilaç adalimumab-in?
Ilaçet me bazë adalimumab mund të përshkruhen vetëm nga spitalet ose specialistët mjekësorë, si:
Reumatologu;
Okulist;
Dermatolog;
Gastroenterolog;
Internist;
Pediatër.
Në varësi të llojit të gjendjes që trajtohet, specialisti që përshkruan ilaçet mund të ndryshojë.
ÇFARË DUHET TË DIMË PARA SE TA PËRDORIM?
Para përdorimit të ndonjë ilaçi me bazë adalimumab, mjeku duhet ta informojë pacientin për shëndetin e përgjithshëm të tij, praninë e çdo çrregullimi ose gjendjeje tjetër përveç atyre që trajtohen me adalimumab, historinë mjekësore të pacientit dhe çdo ilaç ose vaksinë tjetër (trajtim aktual me ilaçe, vaksinimet e fundit ose të ardhshme).
Është po aq e rëndësishme të dihet se si çdo ilaç tjetër, edhe adalimumab mund të shkaktojë reaksione alergjike tek individët e ndjeshëm, të cilat mund të manifestohen me simptoma të tilla si vështirësi në frymëmarrje, ngushtësi në gjoks, marramendje dhe skuqje të lëkurës. Në rrethana të tilla, ilaçi duhet të ndërpritet menjëherë dhe mjeku duhet të kontaktohet menjëherë.
Për më tepër, trajtimi me adalimumab rrit rrezikun e infeksioneve bakteriale, virale, kërpudhore ose parazitare. Prandaj, nëse shfaqen simptoma që sugjerojnë sëmundje infektive, mjeku duhet të njoftohet menjëherë.
KUR NUK DUHET TË PËRDORET?
Adalimumab nuk duhet të përdoret në rast të:
Një alergjie të njohur ndaj substancës aktive dhe/ose ndaj një ose më shumë përbërësve të tjerë të produktit medicinal që e përmban atë dhe që përdoret;
Tek pacientët me infeksione serioze, duke përfshirë tuberkulozin, sepsën dhe infeksione të tjera;
Në prani të pamjaftueshmërisë së zemrës nga mesatarja deri në të rëndë.
EFEKTET ANËSORE
Adalimumab mund të shkaktojë efekte anësore të ndryshme, megjithëse jo të gjithë pacientët i përjetojnë ato, ose i përjetojnë në të njëjtën masë, si në lloj ashtu edhe në intensitet. Në të vërtetë, çdo person reagon ndryshe ndaj administrimit të ilaçit.
Megjithatë, efektet anësore serioze që kërkojnë vëmendje të menjëhershme mjekësore dhe ndërprerje të menjëhershme të përdorimit përfshijnë reaksione alergjike dhe infeksione siç e perëmendëm më lart. Më poshtë janë disa nga efektet anësore kryesore të raportuara me përdorimin e këtij përbërësi aktiv.
Efekte anësore shumë të zakonshme
Infeksione të traktit respirator;
Dhimbje koke;
Skuqje të lëkurës;
Të përziera dhe të vjella;
Dhimbje muskujsh;
Dhimbje barku;
Numër i ulët i qelizave të bardha dhe të kuqe të gjakut;
Nivele të rritura të lipideve në gjak dhe enzimave të mëlçisë;
Reaksione në vendin e injektimit.
Efekte anësore të zakonshme
Infeksione që prekin organe dhe inde të ndryshme (si rrugët e frymëmarrjes, zorrët, lëkura, veshët, dhëmbët, trakti urinar, organet gjenitale, nyjet, etj.);
Reaksione alergjike;
Tumore;
Ankthi, ndryshimet e humorit;
Vështirësi në gjumë;
Dehidratim;
Ndjegie shpimi gjilpërash, mpirje;
Inflamacion i syve;
Marramendje;
Rritje e presionit të gjakut;
Skuqje;
Probleme me frymëmarrjen, astmë, kollë;
Mavijosje;
Probleme me stomakun (dispepsi, refluks acidi, etj.);
Skuqje e lëkurës, ekzemë;
Sy të thatë dhe gojë të thatë;
Thonj të thyer;
Probleme me veshkat;
Edemë;
Ethe;
Djersitje e shtuar;
Rënie e flokëve;
Psoriazë e re ose në përkeqësim;
Dhimbje në gjoks;
Spasma muskulore;
Gjak në urinë;
Shërim i dobët i plagëve;
Nivele të ulura të trombociteve;
Nivele të ndryshuara të qelizave të kuqe të gjakut dhe të qelizave të bardha të gjakut;
Parametra të ndryshëm të ndryshuar të gjakut.
SI MERRET ILAÇI?
Adalimumab është i disponueshëm si një tretësirë injektuese e përfshirë në shishe, shiringa të mbushura paraprakisht ose si penë të mbushur paraprakisht të gatshëm për përdorim. Ilaçi administrohet me anë të injeksionit nënlëkuror, përgjithësisht çdo dy javë.
Në çdo rast, sasia e ilaçit që do të përdoret, frekuenca e administrimit dhe kohëzgjatja totale e trajtimit do të përcaktohen nga mjeku rast pas rasti, pasi ato mund të ndryshojnë në varësi të faktorëve të shumtë, siç është lloji i sëmundjes që trajtohet, mosha dhe pesha trupore e pacientit, si dhe përgjigja e tyre ndaj trajtimit.
MOSHA PEDIATRIKE
Studimet e duhura të kryera deri më sot nuk kanë demonstruar probleme specifike pediatrike që do të kufizonin dobinë e injeksionit adalimumab për trajtimin e artritit juvenil idiopatik dhe uveitit jo-infektiv tek fëmijët 2 vjeç e lart, për trajtimin e sëmundjes së Crohn tek fëmijët 6 vjeç e lart, për trajtimin e kolitit ulceroz tek fëmijët 5 vjeç e lart, ose për trajtimin e hidradenitit suppurativ tek fëmijët 12 vjeç e lart. Megjithatë, siguria dhe efikasiteti nuk janë përcaktuar tek fëmijët më të vegjël se 2 vjeç për artritin juvenil idiopatik dhe uveitin jo-infektiv, tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç për kolitin ulceroz, tek fëmijët më të vegjël se 6 vjeç për sëmundjen e Crohn, tek fëmijët më të vegjël se 12 vjeç për hidradenitin suppurativ dhe tek fëmijët për gjendje të tjera. /MeMjekun.com
Burimi: MayoClinic
SHËNIM: Informacionet e publikuara në portalin MeMjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.