Kujdesi ndaj vaksinave/ Këshillat e pediatres Zerina Sheme
Share This Article
Doja t’i drejtohesha me një mesazh sensibilizimi të gjithë atyre prindërve që hezitojnë ti bëjnë vaksinat fëmijëve të tyre. Të parandalosh është më efikase se të kurosh.
Kanë kaluar 135 vjet nga koha kur shkencëtari Louis Pasteur ka shpikur vaksinën e parë humane kundër tërbimit. Kjo shpikje solli revolucion në shëndetësi.
Në dekadat e mëvonshme u krijuan vaksinat për disa nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë si difteria, tuberkulozi, fruthi (1936), lia e vërtetë, shytat, murtaja.
Revolucioni Pasteur ka shpëtuar miliona jetë njerëzish duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës.
Kështu lindi shkenca e imunologjisë e cila shpjegon se si krijohen disa trupëzave mbrojtëse, (antikorpet), pas kalimit të një infeksioni të rëndë.
Këtë efekt ka edhe vaksina, duke vepruar mbi sistemin imun të njeriut.
CFARE ESHTE VAKSINA
Në fakt vaksina është një mikrob, ose virus i dobësuar, ose copëza nga membranat e mikroorganizmave që nxisin sistemin imunitar të njeriut.
Sistemi i vaksinave në Shqipëri është i detyrueshëm, dhe përfshin mbrojtjen ndaj këtyre sëmundjeve:
tuberkulozi, hepatiti B, difteri, tetanoz, pertus ( kolla e mirë), hemofilus (grippi stinor) , fruthi rubeola, parotit ( shytat), pneumokoku, poliomeliti, ndërsa vaksina ndaj virusit të gripit është alternative, e bëjnë vetëm ato raste kur mjeku e gjykon se ka imunitet të dobësuar.
Në tetor 2019 u fut në Shqiperi vaksinimi për rotavirus (diarrenë) dhe së shpejti papilomavirus, që aplikohet te femrat në moshën 11 vjecare, kundër kancerit të qafës së mitrës. Ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse është i detyrueshëm për tu zbatuar në të gjitha institucionet shëndetësore.
Me anë të këtij ligji synohet mbrojtja e fëmijëve në jetën kolektive, në kopshte, shkolla, konvikte, etj.
EFEKTET ANESORE
Aplikimi i vaksinave ofron 98% siguri. Efektet anësore jane mjaft të lehta, me skuqje lokale, ose një temperaturë që kalon per 1 dite.
Fëmija duhet ndihmuar me paracetamol, me kompresa lokale, mjafton që të respektohen këshillat e personelit mjekësor.
Mbrojini femijet tuaj duke respektuar sistemin e rregullt të vaksinave të detyrueshme në Shqipëri. Vaksinimi mbron të ardhmen e njerëzimit, është mbrojtja më e mirë e femijës tuaj.
PSE DUHET VAKSINIMI
Po sjell ketu disa argumenta të praktikës mjekësore që mbështesin idenë e vaksinimit :
– Në vitin 1984 kemi përballuar epideminë e rëndë të fruth-rubeolës,
Më herët ka qenë epidemia e Hong-Kongut e viteve 70′ e cila la pasoja komplikacione të rënda deri në humbje të jetëve njerëzore.
Komplikacionet e fruthit, për të cilat jemi dëshmitarë dhe i kemi ndeshur në praktikën e punës së përditshme, janë:
meningitet, miokarditet (prekja e muskulit të zemrës që e invalidizon gjithë jetës fëmijen), pneumonitë e rënda ndonjëherë edhe vdekjeprurëse.
Kemi parë me sytë tanë gra shtatzana që kanë kaluar fruthin ose rubeolën, para viteve ’90, duke lindur fëmijë me pasoja; të verbër ose me defekte në zemër. Brezi im jemi dëshmitarë të paralizave flakside që le poliomeliti me invalidizim të përhershëm të fëmijëve.
Komplikacionet në tru që ka dhënë mosbërja e vaksinës ndaj kollës së mirë, duke shktaktuar një dëmtim të trurit (encefalopati) nga mos-oksigjenimi i mirë i trurit nga kolla tepër e rëndë.
Të nderuar prindër,
me keto që thamë më lart duhet të kuptoni që nuk duhet të rrezikoni kaq shumë për të lënë mënjanë ose mos respektuar vaksinat e sistemit shëndetësor.
I drejtohem atyre që hezitojnë të bëjnë vaksinat, për ti bindur nëse do ishin kaq të dëmshme, asnjë nga personeli mjekesor nuk ka hezituar ti bëjë vaksinat fëmijëve të tyre, dhe kjo është një eksperiencë për tu vlerësuar.
Një argument tjetër që është pro vaksinave :
– në fund të vitit 1994 qeveria vendosi të zbatojë vaksinën e hepatitit B, sepse në vitet ’90 pati një shtim të frikshëm të kësaj sëmundje, duke lënë pasojë cirroza dhe sëmundje të tjera invalidizuese të mëlçisë. Që atëherë deri më tani, brezi që sot jane 25 vjecarët, nuk janë prekur më nga hepatiti B, dhe ky është një tregues real se vaksina ka dhënë efektet e saj.
Në vitin 2011 u fut në skemën e detyrueshme të vaksinimit të pneumokokut. Jemi dëshmitarë se u ul ndjeshëm numri i rasteve me pneumoni që shkaktohen nga mikrobi i pneumokokut ;dhe numri i infeksioneve mikrobike të veshit, kjo për shkak se vaksina ka bërë efektin e duhur.
Rrallë ose shumë rrallë po shohim meningite bakteriale. Më të shpeshta janë ato virusalet, të cilat kalojnë më lehtë.
Edhe vaksinat kundër kancerit të qafës së mitrës, që po aplikohet në vendet e Bashkimit Europian tek vajzat 11 vjecare, është shumë premtuese.
Shpreh opinionin tim si profesioniste, i besoj mendimit shkencor dhe racional në këtë fushë. Do dëshiroja që edhe ju ti besonit personelit sheëndetësor që ndjek udhezimet e Organizates Botërore të Shëndetësisë. / Artikull nga pediatrja Zerina Sheme.
ME POSHTE KENI DHE VIDEON SHPJEGUESE TE DOKTORESHES