Shpjegimi mjekësor, çfarë duhet të bëni për të rënë në peshë
Share This Article
Mbipesha dhe obeziteti është një “luftë” botërore dhe nisur nga të dhënat mbi të mësohet se shkak i peshës së tepërt janë jeta sedentare, duhani dhe alkooli.
Në botë ekzistojnë me qindra regjime ushqimore dobësuese, disa korrekte dhe efikase por shpesh nuk funksionon pasi kush e nis atë nuk e ndjek në mënyrë konstante.
Në këtë artikull do të shpjegojmë se si të dobësoheni dhe të mos rimerrni kilet e humbura, do të shpjegojmë arsyet kryesore të rritjes së peshës dhe të dobësimit: duke ndjekur dhe bërë një jetë të shëndetshme do të arrini të dobësoheni. Gjithashtu do të flasim për shkaqet e shtimit në peshë dhe përfitimet e dobësimit.
PËRSE SHËNDOSHEMI?
Njerëzit prehistorikë ishin të lumtur nëse shëndosheshin pasi rritja e peshës ishte e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga vdekja në rast urie.
Nëse paraardhësit tanë hanin më shumë se sa ishte e nevojshme, ushqimi i tepërt transformohej në yndyrë të depozituar në organizimin e tyre,
Nëse hanin më pak se nevojat, trupi i tyre konvertonte yndyrën e depozituar në energji.
Në ditët e sotme frigoriferët dhe dyqanet janë plot me ushqime, prandaj nuk kemi nevojë të përdorim si rezervë trupin tonë. Shumë persona duan të dobësohen për çështje estetike por arsyeja e duhur duhet të jetë arritja e një gjendje të mirë shëndetësore. Mbipesha dhe obeziteti janë të lidhura me një rrezik të rritur të patologjive kardiake, diabetit, artritit dhe disa llojeve të tumorit
Ushqimet që hamë janë një burim energjie, njësoj si benzina për makinat. Organizmi ynë përdor energjinë për të mbajtur temperaturën konstante të trupit, për të lëvizur dhe për të kryer funksionet e trupit, si rrahjet e zemrës.
Njësia matëse e energjisë është kaloria:
1 gram karbohidrate apo sheqer i korrespondon 4 kalori,
1 gram proteina gjithashtu i korrespondon 4 kalori,
1 gram yndyrë i korrespondon 9 kalori.
Kaloria është njësia matëse e energjisë që vjen nga ushqimet, energjia që organizmi ka nevojë për të funksionuar dhe për të qenë aktiv. Kur konsumohet më shumë se energjia që i duhet trupit, ne shëndoshemi.
Nevojat kalorike varet nga faktorë të ndryshëm, për shembull gjinia, mosha, ndërtimi i trupit, niveli i aktivitetit fizik dhe metabolizmi.
Fëmijët kanë nevojë për më shumë energji për njësi peshe trupore krahasuar me të rriturit, pasi duhet të rriten. Një njeri që peshon 90 kg ka nevojë për më shumë energji se një që peshon 70 kg.
Madje dhe për persona me të njëjtin gjini, konstrukt trupi dhe nivel aktiviteti mund të duhen sasi të ndryshme energjish dhe kjo për shkak të ndryshimeve të metabolizmit, pasi dikush që ka metabolizëm më të shpejtë ka nevojë për më shumë kalori në ditë.
Karbohidratet i gjejmë në ushqime që përmbajnë sheqer dhe amidon, mes të cilëve mund të përmendim orizin, bukën, drithërat, patatja, makaronat.
Proteinat janë të rëndësishme për organizmin dhe i gjejmë tek mishi, mishi i pulës, peshku, bishtajat, veza, dhe arrat.
Yndyrat janë përbërësi kryesor ushqyes kalorik dhe e gjejmë tek vaji, gjalpi, djathi i stazhionuar dhe të skuqurat.
PSE KËSHILLOHET TË BINI NË PESHË?
Nëse jeni mbipeshë apo obezë keni rrezik më të lartë të infarktit, iktusit, diabetit të tipit 2, tensionit të lartë, probleme të frymëmarrjes, artritit e disa lloje tumoresh.
Pesha e tepërt nuk është i vetmi rrezik për shëndetin, por dhe zona e organizmit ku mblidhet yndyra ka gjithashtu një rëndësi të veçantë:
Femrat me një trup në formë dardhe kanë tendencën të akumulojnë yndyrën në kofsha dhe ije, ndërsa ato me trupin në formë molle e akumulojnë yndyrën rreth belit.
Nëse beli juaj është 88 cm, jeni më në rrezik të vuani nga probleme të lidhura me peshën.
Kush është mbipeshë dhe arrin të dobësohet mund të shohë përmirësime të dukshme të cilësisë së jetës si për shembull: fle më mirë dhe më gjatë, ndjehet më në formë dhe i relaksuar dhe ka më shumë forcë e fleksibilitet.
Sigurisht që një person mbipeshë që arrin të dobësohet ndihet më mirë dhe nga ana psikologjike për të përballuar jetën shoqërore. Por kush dobësohet vetëm për arsye estetike ka tendencën të rifitojë atë peshë, ndërsa kush ndjekë një stil jetese të shëndetshme nuk shëndoshet sërish.
PESHA IDEALE
Mjekët kanë mënyra të ndryshme për të matur peshën, mes të cilëve kujtojmë: Indeksin e masës trupore (BMI), përqindjen e yndyrës së trupit dhe matjen e belit.
SI TË BINI NË PESHË
Nëse jeni mbipeshë, ka tre mënyra të sigurta për tu dobësuar:
Zvogëloni sasinë e kalorive që merrni me ushqimin
Rrisni sasinë e kalorive që digjni
I nënshtroheni një operacioni që heq masën e yndyrës.
Ndërhyrja kirurgjikale, përveçse ka disa rreziqe, e zgjidh problemin vetëm përkohësisht. Pacienti, nëse vijon të marrë më shumë kalori se sa i nevojitet trupit për të prodhuar energji, në një kohë shumë të shkurtër do të marrë peshën e humbur.
Mënyra më e mirë për të rënë në peshë në mënyrë të shëndetshme është zvogëlimi i kalorive të marra dhe rritja e sasisë së kalorive të konsumuara.
Shumica e njerëzve e dinë se mënyra më e mirë për të humbur peshë është regjimi ushqimor dhe aktiviteti fizik, por problemi është në gjetjen e mënyrës së duhur për të nisur e për ta vijuar atë. Më poshtë do të japim disa këshilla për të nisur, por më parë duhet të ekzaminoni lidhjen mes kalorive, ushtrimeve fizike dhe peshës.
Organizmi arrin ekuilibrin dhe nuk shëndoshet kur raporti kalorik i regjimit ushqimor është i barabartë me sasinë e nevojshme të energjisë për trupin.
Raporti kalorik me regjimin ushqimor= metabolizmi + aktiviteti fizik
Nëse merrni më shumë kalori se sa ka nevojë trupi juaj, kaloritë e tepërta magazinohen në formën e yndyrës.
Nëntë kalori të tepërta transformohen në një gram yndyrë trupore të magazinuar.
Për ta bërë më të thjeshtë për ta kuptuar po japim një shembull: Nëse hani një brinjë viçi të pjekur në skarë (barabartë me 900 kalori) më shumë se sa nevojat kalorike ditore të organizmit tuaj, këto 900 kalori magazinohen në formën e 100 gram yndyrë (100 gram është pak a shumë pesha e një hamburgeri).
Për fat të mirë ka dhe disa lajme të mira: pjesa më e madhe e frutave janë të varfra me kalori, për shembull një mollë e përmasave të vogla ka rreth 50 kalori. Për të marrë 800 kalori do të duhej të konsumonit 16 mollë. Prandaj regjimet ushqimore nuk kufizojnë sasinë e frutave dhe perimeve, ushqime që në fakt përmbajnë shumë vitamina dhe fibra dhe pak kalori.
Ndoshta nuk është e lehtë të kuptohet saktësisht sa energji ka nevojë organizmi dhe sa kalori duhet të hiqni për të arritur një peshë të caktuar, por sigurisht që nuk është e pamundur. Më poshtë do shpjegojmë dhe principet e dobësimit, por ju këshillojmë të kërkoni këshillën e mjekut apo dietologut për të pasur një program të personalizuar.
Këshilla për ta nisur
Për tu dobësuar dhe për të mbajtur rezultatet e arritura duhet të nisni me këmbën e mbarë: për shembull: Nëse thoni “ Do arrij të ndjekë këtë regjim ushqimor vetëm për disa javë, do ia dalë të humb nga 2 deri në 5 kile”, ndoshta do të rimerrni peshën e humbur. Provoni të motivoheni duke thënë: Do angazhohem të bëj një jetë më të shëndetshme”.
DISA KËSHILLA PËR TA NISUR ME KËMBË TË MBARË
Përgatituni për një impenjim afatgjatë dhe ndryshim të përhershëm të stilit tuaj të jetesës duke përqafuar zakone të shëndetshme.
Bëjeni për veten tuaj, dhe vetëm për arsye shëndetësore. Mos kërkoni të dobësoheni vetëm për arsye estetike apo që ti pëlqeni të tjerëve.
Qëndroni me këmbë në tokë dhe vendosni objektiva realiste që arrihen me qetësi dhe gradualisht.
Mendoni përfitimet afatgjata të një regjimi të shëndetshëm ushqimor se sa të kënaqeni me rezultate afatshkurtër dhe të shpejta.
KËSHILLA USHQIMORE
Për të rënë në peshë e rëndësishme është të ndryshoni zakonet tuaja ushqimore, për të arritur të ndryshoni mënyrën e ushqyerjes duhet të kini parasysh këto dy pika:
Zvogëloni racionet
Rrisni sasinë e frutave dhe perimeve.
Duke zvogëluar racionet reduktoni sasinë e kalorive që hani dhe për të bërë këtë duhet të mësoheni të hani në pjata më të vogla.
Kur hani në shtëpi racionet bëjini në kuzhinë dhe çojini pjatat gati në tavolinë, ndërsa nëse hani jashtë shtëpisë porosisni racione të vogla, pak a shumë sa ato për fëmijë.
Nëse hani më shumë fruta e perime stomaku mbushet më herët dhe zvogëlon hapësirën në dispozicion të ushqimeve të pasura me kalori. Zëvendësoni mesvaktet e pasura me kalori me fruta dhe perime që kanë pak të tilla. Për shembull në vend të një patatine të pasur me kalori, mund të hani një karotë.
MOS HARRONI! Një stil jetese aktive zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme për shkaqe të ndryshme, ndërkohë që është provuar se aktiviteti i rregullt fizikë zvogëlon dhe rrezikun e patologjive kardiake, iktusit, tensioint të lartë, nivelit të kolesterolit, diabetit të tipit 2, sindromës metabolike, kancerit të zorrës, kancerit të gjirit, depresionit etj. Pra e theksojmë nuk është thjesht çështje estetike por kryesore është shëndeti.
ILAÇET
Sot në Europë dhe jo vetëm një ilaç i miratuar për trajtim për një periudhë të gjatë të diabetit është olristat (Alli apo Xenical) që e ndalon organizmin të përthithë yndyrnat e ushqimit.
Por ky ilaç rekomandohet për:
Ata që kanë indeksin e masës trupore të barabartë ose më shumë se 30,
Ka indeksin e masës trupore të barabartë apo më të lartë se 27 dhe ka probleme shëndeti apo ka rreziqe të lidhura me peshën.
Teksa merrni këtë ilaç megjithatë duhet të ndiqni një regjim ushqimor të shëndetshëm dhe një program të aktivitetit fizik dhe mos harroni para se ti merrni duhet të kërkoni këshillën e mjekut pasi do të jetë ai që do të të udhëzojë për përfitimet dhe efektet e mundshme kolaterale.
Ndërkaq, orlistat mund të shkaktojë diarre, dhimbjebarku, meteorizëm dhe jashtëqitje të lëngshme.
Këto efekte anësore mund të parandalohen me një regjim ushqimor të varfër me yndyrna. Por ky ilaç pengon dhe përthithjen e disa vitaminave prandaj kërkohet këshilla e mjekut nëse duhet të merrni apo jo suplemente vitaminash.
NDËRHYRJET KIRURGJIKALE
Ndërhyrjet kirurgjikale për dobësim janë të nevojshme për të kuruar obezitetin vetëm për pacientët me indeksin e masës trupore të barabartë apo mbi 40, indeksi i masës trupore i barabartë apo më i madh se 35 me prani të problemeve që lidhen me peshën, vështirësi për të arritur rezultate me metodat e tjera./ MeMjekun.com