Infeksionet e veshit te mesëm tek fëmijët, këshillat e pediatres
Share This Article
Otiti media është infeksion ose inflamacion i veshit të mesëm.
Ndodh në zonën midis membranës timpanike dhe veshit të brendshëm.
Kur fëmija ka infeksion, qelbi mblidhet prapa membranës së timpanit ( daulles së veshit), duke u shoqëruar me temperaturë. Edema e shkaktuar rrit presionin në veshin e mesëm. Kështu shpjegohet dhimbja.
SHKAQET
• mikrobet, kryesisht pneumokoku,
• viruset si psh virusi i gripit , hemofilus influenze, etj. Këto infeksione ndodhen në hundë, në pjesën më të madhe të rasteve. Sekrecionet e hundëve kalojnë në veshin e mesëm nëpërmjet një kanali që lidh hundën me veshin. Ky quhet kanali i Eustakit.
Ka rëndësi të dihet ky fakt sepse: për të mbrojtur veshët duhet t’i kemi gjithmonë hundët e pastra, duke i bërë lavazh me ujë fiziologjik.
SHENJAT
Dhimbje, ethe, të vjella, ulje të dëgjimit, ndjenja e bllokimit, rrjedhje të sekrecione, drejt fundit të procesit infektiv.
Membrana e timpanit fryhet, ndonjëherë edhe çahet dhe qelbi rrjedh në kanalin e jashtëm. Pas kësaj dhimbja qetësohet disi, por infeksioni është akoma aty.
Prindi duhet të vlerësojë këtë situatë dhe ta referojë sa më parë tek mjeku pediatër. Nëse nuk mjekohen në kohë, ky infeksion mund të kalojë në formën kronike.
Mbi dy javë rrjedhje e veshit quhet otitis media kronik.
Komplikacioni më i rëndë është mastoiditi. Infeksioni mund të përhapet tek kocka prapa veshit e cila ka strukturë poroze mund të infektohet në vazhdimësi.
Kjo mund të sjellë pasojë prekjen e cipave të trurit.
Këto janë raste të rralla që duhen dërguar urgjent në spital. Shoqërohen me temperaturë të lartë, ënjtje skuqje , dhimbje tek kocka prapa veshit, konfuzion mendor.
TRAJTIMI
Përdorimi i ilaçeve të dhimbjes për otitin e mesëm është i rëndësishëm. Kjo mund të përfshijë paracetamol (acetaminofen), ibuprofen, pika në vesh me përmbajtje të benzokainës .
Në otitin e mesëm antibiotikët mund të shpejtojnë shërimin, por mund të rezultojnë në efekte anësore. Antibiotikët shpesh rekomandohen tek ata me sëmundje të rëndë ose nën dy vjeç. Gjithashtu rekomandohen tek ata që nuk përmirësohen pas dy ose tre ditësh.
Antibiotiku fillestar i zgjedhur është zakonisht Amoksicilina.
Në ata me infeksione të shpeshta, bëhet frenimi me anë të ndërhyrjes kirurgjikale për të ulur përsëritjen e infeksionit.
Në fëmijët me otitis media kataral ( efuzion i veshit) , antibiotiku nuk është i nevojshëm. Mund të rrisë efektet anësore si diarre, të vjella dhe skuqje të lëkurës.
është e rëndësishme për të balancuar përfitimet dhe dëmet përpara përdorimit të antibiotikëve.
Diagnoza vihet duke e parë me otoskop, Ndihmojnë edhe shenjat klinike.
Kur ka rrjedhje merret material për mbjellje në laboratorit bakteriologjik dhe përcaktohet saktë shkaktarin dhe ilaçi që i vepron më mirë.
Stina e ftohtë është periudha që i ndeshim më shpesh këto raste , duke përfshirë dhe fundin e vjeshtës.
– Mbi 80% të episodeve akute kalojnë vetëm me qetësues të thjeshtë, pa trajtim, ndërsa 20% duhet të trajtohen për të parandaluar komplikacionet.
Nëse dhimbja është e pranishme, mund të përdoren ilaçe kundër dhimbjes.
Për rastet me rrjedhje të veshit, që kërkohet kirurgji , antibiotikët parandalues nuk mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të ndërlikimeve post-kirurgjikale.
Rritja e vigjilencës është mënyra e preferuar për fëmijët mbi gjashtë muaj me otitis media akute jo të rënda. Pra, e mbajmë në vëzhgim ecurinë ditë pas dite.
Në të gjithë botën, otiti prek rreth 11% të njerëzve në vit (rreth 325 deri në 710 milion raste).
Gjysma e rasteve përfshin fëmijë më pak se pesë vjeç dhe është më e zakonshme tek meshkujt. Nga të prekurit rreth 4.8% ose 31 milion zhvillojnë otitis supurative ( me qelb) kronike.
Otitis media rezultoi në 3,200 vdekje në 2015 – nga 4,900 vdekje në 1990.
PARANDALIMI
Mënyra më e mirë është
• vaksinimi ndaj pneumokokut,
• vaksini ndaj gripit,
• ushqyerjen me gji dhe
• shmangien e tymit të duhanit. Përdorimi i ilaçeve të dhimbjes është i rëndësishëm.
Mbani në shtëpi pikat qetësuese të veshit dhe përdorini ato sa herë fëmija ankon dhimbje veshi. Nëse nuk i qetësohet dhimbja jepi sirup ibuprofen ose paracetamol. Edhe nëse nuk ka temperaturë të lartë i qetëson dhimbjen.
Përdorni vazhdimisht ujë fiziologjik në hundë (lavazh) për të penguar kalimin e mikrobeve nga hunda tek veshi i mesëm.
Nëse rrjedhja e veshit përsëritet duhet një
konsultë e mjekut ORL për të identifikuar ndonjë shkaktar të mundshëm që mund ta provokojë si psh:
Adenoidet, deviacion i kockës ndarëse të hundës etj.
Shënim: Dylli në vesh nuk quhet rrjedhje infeksioni. Ai prodhohet në kanalin e jashtëm si pasojë e disa ngacmimeve të jashtme.
Mbron atë nga bakteret dhe organizmat tjerë që mund ta dëmtojnë këtë zonë delikate.
Artikull nga dr. pediatre Zerina Sheme