Çfarë është GIST, apo tumori stromal gastrointestinal
Share This Article
GIST-et janë tumore të rralla të aparatit tretës që e kanë origjinën në pjesën muskulare të ezofagut, stomakut, zorrëve e deri në kanalin anal. Këto tumore nisin nga qelizat intersticiale të Cajal, qeliza të buta muskulare të traktit gastrointestinal, përgjegëse për lëvizjen dhe kontraktimin fiziologjik të traktit tretës.
Bëhet fjalë për një patologji të rrallë që shfaqet sidomos mes viteve 55-65 vjeç, dhe raste të rralla para moshës 40 vjeç. Prek kryesisht meshkujt.
Në origjinën e fillimit të GIST ka një mutacion të një gjeni që çon në përhapjen e pakontrolluar të këtyre qelizave që duke u grumbulluar nisin një masë tumorale. Disa GIST-e (rreth 5% të rasteve) nuk janë të lidhura me ndryshime gjenetike të njohura.
SIMPTOMAT
GIST-et e vogla mund të mos shkaktojnë simptoma dhe mund të rriten aq ngadalë sa të mos kenë efekte serioze. Njerëzit me GIST më përmasa të mëdha zakonisht kërkojnë kujdes mjekësor kur vjellin gjak ose ka gjak në jashtëqitjen e tyre për shkak të gjakderdhjes së shpejtë nga tumori.
Simptoma të tjera të mundshme të GIST përfshijnë:
Anemia, e shkaktuar nga një tumor me gjakderdhje të ngadaltë
Dhimbje barku
Një fryrje që mund ta ndjeni në bark
Të përziera
Të vjella
Humbja e oreksit
Humbje peshe
Vështirësi në gëlltitje
DIAGNOZA
Simptomatologjia e GIST mund të jetë jo e qartë, e lidhur me shqetësime të traktit gastrointestinal. Analizat diagnostikuese mund të përfshijnë:
Ekografia: një metodë joinvazive pa asnjë kundërudhëzim, e nevojshme në përcaktimin e parë të masave të mëdha.
Endoskopia: përes ezofagut-stomakut-duodenit-skopisë (EGDS) apo kolonoskopisë nëse bëhet fjalë për lezione të traktit tretës të poshtëm, të jep pamjen e një fryrje të murit e veshur me mukozë të rregullt. Ndonjëherë, në rastet e lezioneve më të mëdha mund të ketë një ulçerë në majën e GIST, burim i gjakosjes akute apo kronike.
Ekoendoskopia (EUS) kërkohet për të vlerësuar praninë apo shtirjen lokale të sëmundjes. Afërsia e sondës me murin gastrointestinal dhe rezolucioni i lartë i pamjeve zbulon dhe lezionet më të vogla, subcentimetrike. Falë studimit ekografik të mureve të traktit tretës të bërë me një ekoendoskopi mund të lokalizohet me saktësi shtrati i origjinës në brendësi të mureve, përhapja apo jo në organet përreth. Përdoret shumë dhe gjatë ndjekjes më pas të pacientit. Për më tepër është mjeti më i përshtatshëm për biopsi të thella me një gjilpërë të dedikuar për të marrë materiale për diagnozë histologjikë të GIST.
Skaneri me mjet kontrasti jep pamje të detajuara të trupit dhe tregon vendndodhjen dhe përmasën e tumorit, apo dhe përhapjen e tij në organe të tjera.
Rezonancë magnetike me mjet kontrasti: shfrytëzon fushat magnetike dhe valët e radios për të përcaktuar shtrirjen dhe marrëdhënien anatomike të masave me organet fqinje si dhe për të planifikuar një ndërhyrje kirurgjikale.
Tomografia e Emisionit Positron (PET): kjo është një metodë imazherike diagnostikuese e dobishme për vlerësimin e shtrirjes së sëmundjes si në fazën e diagnostikimit dhe në atë pasues.
Diagnoza histologjike: kryhet duke marrë mostra të indit tumoral (biopsi) me metodat radiologjike (ultratinguj apo CT) ose endoskopike që më pas analizohen në mikroskop me ndihmën e medianteve të aftë të identifikojnë praninë e proteinave specifike në qelizë (c-Kit dhe CD34) të veçanta pothuajse për të gjitha llojet e tumoreve stromale gastrointestinale, pra, GIST.
Ekzaminimi biologjik molekular: për një konfirmim diagnostik për të parashikuar një përgjigje të mirë ndaj një trajtimi me terapi të synuar, analizohet me metodikë të patologjisë molekulare prania e mutacionit të gjenit c-Kit, karakteristikë e veçantë e këtij tumori.
TRAJTIMI
Për trajtimin e GIST përdoret kirurgjia, terapia molekulare e synuar dhe në raste të përzgjedhura ablacioni me radiofrekuencë.
Kirurgjia
Heqja e tumorit dhe trajtimi parësor për GIST-in me qëllim kontrollin lokal të sëmundjes. Tumoret e përmasave të vogla mund të hiqen dhe me kirurgji laparoskopike. Në rastin kur GIST ka përmasa të mëdha apo është ngjitur në organet e tjera kirurgu kryhen një operacion më democional, duke hequr pjesërisht apo plotësisht organet e prekura së bashku me tumorin primar.
Endoskopia
Përmes teknikës endoskopike të tunelizimit e cila ka rezultuar mjaft e nevojshme në heqjen e polipeve të mëdha apo tumoreve në fazën fillestare të traktit tretës, bëhet një rezeksion i saktë endoskopik i tumorit, ndonjëherë dhe me ndihmën e kirurgjisë laparoskopike.
Trajtimi i synuar
Në rastet e GIST nuk përdoret kemioterapia konvencionale pasi është parë joefikase. Shprehja në qelizat e kancerit të disa ndryshimeve gjenetike është objektivi i terapive molekulare specifike, të cilat pengojnë rritjen e tumorit duke bllokuar rrugët e përhapjes dhe përhapjes së tij.
Ilaçet që përdoren aktualisht janë Imatinib, Sunitinib dhe Nilotinib. Udhëzimet për terapi molekulare janë sëmundja metastatike dhe sëmundja e avancuar lokalisht me synimin për të reduktuar masën tumorale sa për të bërë të mundur operacionin. Në format më agresive, terapia molekulare përdoret aktualisht edhe në fazën pas operacionit për të parandaluar rikthimet e sëmundjes.
Ablacioni me radiofrekuencë
Ablacioni me radiofrekuencë konsiston në futjen e një gjilpëre të imët në zonën e tumorit nën skanimin me ultratinguj ose CT dhe në transmetimin e nxehtësisë që shkatërron qelizat e kancerit. Në raste të përzgjedhura mund të përdoret në rast të metastazave në mëlçi.
Ndjekja e rastit
Duke pasur parasysh mundësinë e përsëritjes së tuorit stromal gastrointestinal, GIST-it, pacienti i nënshtrohet vizitave çdo tre apo gjashtë muaj pas trajtimit dhe më pas një herë në vit. Ndjekja përfshin ekzaminime radiologjike që i japin mundësi mjekut të të zbulojë çdo përsëritje të sëmundjes. / MeMjekun.com
Burimi: Mayo Clinic
SHENIM: Informacionet e publikuara në portalin memjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.