Çfarë është Gastrina, hormoni i tretjes dhe analiza që bëhet
Share This Article
Gastrina është hormoni që luan një rol të rëndësishëm në procesin e tretjes, duke ndihmuar prodhimin e acideve gastrike të stomakut.
Gjatë vakteve ushqimi në stomak vepro si nxitës për prodhimin e gastrinës, i cili nga ana tjetër stimulon qelizat e murit të stomakut për të prodhuar acid klorhidrik.
Ky aciditet i përftuar lejon tretjen e ushqimit dhe nuk lejon lirimin e mëtejshëm të gastrinës.
Prandaj, ky mekanizëm është përgjegjës për sasi jashtëzakonisht të vogla të gastrinës në gjak gjatë kohës që nuk hamë, pra kur prodhimi i acideve gastrike nuk është i nevojshëm.
Por disa raste të rralla mund të çojnë në prodhimin e tepërt të gastrinës dhe acidit të stomakut, duke rezultuar në formimin e ulçerave të rënda të stomakut, që nuk i përgjigjen trajtimit normal.
KUR NEVOJITET ANALIZA E GASTRINËS?
Analiza e gjakut të gastrinës kërkohet kur dyshohet për prodhim të tepërt të këtij hormoni që ndodh për shembull nga prania e:
ulçerës peptike
diarresë
dhimbjeve të barkut.
Prandaj kjo analizë ndihmon në zbulimin e diagnozës së:
tumoreve që prodhojnë gastrinë (gastrinomat), zakonisht në pankreas
sindroma e Zollinger- Ellison, një sëmundje që shkaktohet nga prania e një ose më shumë gastrinomave e karakterizuar nga nivele të larta të gastrinës, duke rezultuar në një rritje të konsiderueshme të prodhimit të acidit në stomak dhe zhvillimit të ulçerave peptike.
hiperplazia e qelizave G.
si dhe monitorimi i çdo rishfaqjeje të një gastrinomi.
PËRGATITJA PËR ANALIZËN
Para se të bëni analizën duhet të mos keni konsumuar asgjë 8-12 orë para marrjes së mostrës, pasi ushqimi mund të veprojë si një nxitës për sekretimin e gastrinës.
Gjatë kësaj periudhë të gjitha ushqimet e ngurta e të lëngshme duhet të shmangen, përveç ujit.
Analiza mund të ndikohet dhe nga marrja e ilaçeve apo suplementeve specifike, prandaj për këtë arsye mund të ndaloni dhe ilaçet si p.sh.:
PPI, frenuesit e pompës protonike
antiacidet
antagonistët e receptorit H2
dhe ilaçe të tjera që ndikojnë në prodhimin e gastrinës.
Prandaj është e rëndësishme përpara ekzaminimit të vini në dijeni mjekun apo personelin e laboratorit për çdo iklaç që merrni dhe ndiqni me kujdes udhëzimet e mara për të siguruar përgatitjen e duhur.
VLERAT NORMALE
Për të matur nivelin e gastrinës kërkohet një analizë gjaku e thjeshtë. Vlerat normale të saj ndryshonë lehtësisht sipas laboratorit, por zakonisht janë në intervalin nga 0-100 pikogrampër mililitër (pg/ml) esëll.
VLERAT E LARTA
Rritja e vlerave të gastrinës në gjak njihet me termin mjekësor hipergastrinemia. Rritja e niveleve të gastrinës mund të jetë tregues i gjendjeve të ndryshme, duke përfshirë tumoret e sistemit tretës, ndryshimet funksionale të stomakut dhe marrjen e ilaçeve specifike. Vlerësimi i vlerave të gastrinës në gjak luan një rol të rëndësishëm në diagnostikimin dhe monitorimin e këtyre gjendjeve, duke ndihmuar mjekët që të ofrojnë kujdesin e duhur për pacientët.
Ndër gjendjet që më shpesh mund të shkaktojnë një rritje të niveleve të gastrinës në gjak janë:
Gastrinoma: tumor i rrallë neuroendokrin që zhvillohet kryesisht në pankreas, megjithëse mund të rrjedhë, më rrallë, nga qelizat që prodhojnë gastrinë në duodenum ose në pjesën e mbetur të traktit gastrointestinal. Simptomat që lidhen me këtë neoplazi rrjedhin nga mbiprodhimi i gastrinës. Shfaqja kryesore klinike e gastrinomës njihet si sindroma Zollinger-Ellison, e karakterizuar nga ulçera të shumta gastrointestinale që nuk i përgjigjen trajtimeve standarde. Si rezultat, pacientët mund të përjetojnë dhimbje të vazhdueshme abdominale, urth, refluks acidi, gjakderdhje gastrointestinale, perforim gastrointestinal, simptoma që mund të ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës së pacientëve.
Diagnoza e gastrinomës dhe sindromës Zollinger-Ellison kërkon një vlerësim të kujdesshëm klinik dhe përdorimin e analizave laboratorike. Nivelet e larta të gastrinës në gjak, veçanërisht në prani të sekretimit të tepërt të acidit të stomakut, mund të sugjerojnë praninë e një gastrinomi. Për të konfirmuar testet laboratorike kryhen edhe procedura imazherike (CT ose PET) për të përfunduar diagnozën për lokalizimin e gastrinomës. Trajtimi i gastrinomës dhe sindromës Zollinger-Ellison përfshin një qasje multidisiplinare, objektivi kryesor i së cilës është të kontrollojë hipersekretimin e gastrinës dhe aciditetin gastrik për të lehtësuar simptomat. Opsionet e trajtimit përfshijnë përdorimin e barnave frenuese të pompës protonike (për shembull, pantoprazol, omeprazol ose esomeprazol) ose injeksione oktreotide, kirurgji për heqjen e tumorit dhe menaxhimin e komplikimeve shoqëruese.
Anemia pernicioze: Një çrregullim autoimun i karakterizuar nga një mungesë e vitaminës B12 për shkak të mungesës ose uljes së prodhimit të faktorit të brendshëm (FI), një proteinë e nevojshme për përthithjen e vitaminës B12 në traktin gastrointestinal. Ky çrregullim prek kryesisht qelizat parietale të stomakut, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e acidit gastrik dhe FI. Pa një sasi të mjaftueshme të vitaminës B12, procesi i maturimit të qelizave të kuqe të gjakut është i dëmtuar, duke çuar në një reduktim të prodhimit të tyre dhe duke shkaktuar anemi megaloblastike. Shenjat dhe simptomat klinike të anemisë pernicioze përfshijnë lodhjen, dobësinë e muskujve, zbehjen, dispnea, ndjesi shpimi gjilpërash të duarve e kembeve, glositis (inflamacion i gjuhës).
Edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt me aneminë pernicioze, pacientët me këtë sëmundje mund të kenë hipersekretim gastrinë sepse atrofia e qelizave parietale mund të çojë në uljen e prodhimit të acidit gastrik në stomak. Kjo vepron si një stimul për rritjen e sekretimit të gastrinës.
Diagnoza e anemisë pernicioze përfshin analiza laboratorike për të vlerësuar nivelet e vitaminës B12, praninë e antitrupave anti-qelizë parietale ose anti-FI. Përveç kësaj, endoskopia mund të zbulojë ndryshime në stomak, të tilla si atrofia e mukozës gastrike. Trajtimi përfshin marrjen e vitaminës B12 nëpërmjet injeksioneve intramuskulare.
Atrofia e mukozës gastrike: gjendje e karakterizuar nga degjenerimi progresiv dhe pakësimi i qelizave të gjëndrave në stomak.
Ky proces mund të çojë në uljen e prodhimit të acidit klorhidrik, enzimave tretëse dhe faktorit të brendshëm. Mund të shkaktohet nga disa kushte, ku kryesoret janë: infeksioni me Helicobacter pylori, përdorimi i zgjatur i disa barnave, si frenuesit e pompës protonike (PPI) dhe ilaçet anti-inflamatore josteroide (AIJS), nëse merren për periudha të gjata, gjenetike, si dhe faktorë apo predispozicion familjar.
Reduktimi i prodhimit të acidit të stomakut mund të shkaktojë që qelizat G të rrisin prodhimin e gastrinës në një përpjekje për të rivendosur prodhimin e duhur të acidit të stomakut.
Insuficienca renale kronike: Në pacientët me insuficiencë renale kronike, nivelet e gastrinës mund të rriten për shkak të eleminimit të dëmtuar të hormonit nga veshkat.
Ilaçet: Disa barna të tilla si frenuesit e pompës protonike (PPI) dhe antagonistët e receptorit H2 të përdorur për të trajtuar hiperaciditetin gastrik mund të rrisin nivelet e gastrinës në gjak si një efekt kompensues.
VLERAT E ULËTA
Vlerat e ulëta të gastrinës në gjak përgjithësisht nuk shoqërohen me patologji specifike, megjithatë ato mund të vërehen në disa kushte si heqja e organeve që prodhojnë gastrinë, si në rastin e rezeksioneve gastrike ose duodenale.
Në mungesë të simptomave ose shenjave klinike të lidhura, nivelet e ulëta të gastrinës në vetvete nuk tregojnë domosdoshmërisht praninë e një sëmundjeje ose çrregullimi të rëndësishëm, megjithatë këshillohet gjithmonë të konsultoheni me një mjek për një vlerësim të plotë. / MeMjekun.com
Burimi referues: ScienceDirect