Kategorite

Me te lexuarat

Këshillat e pediatres Zerina Sheme për konvulsionet tek fëmijët

konvulsione bebe

Konvulsionet janë episode të rralla, të cilat shkaktohen nga rritja e temperaturës së trupit tek fëmijët. Pediatrja Zerina Sheme jep disa këshilla parandaluese, me qëllimin e mirë për të ndihmuar prindërit e rinj, në lidhje me kujdesin shëndetësor të fëmijëve të tyre.
Temperatura është një fenomen shumë i shpeshtë në moshën pediatrike. Kjo për shkak të infeksioneve, të katareve, vaksinave.

Konvulsionet janë një nga komplikacionet e temperaturës së lartë tek fëmijët kryesisht në moshën nga 0 deri në 5 vjeç. Ato hasen në dy për qind deri në 5 për qind të fëmijëve të kësaj grupmoshe.

SIMPTOMAT

Shenjat e konvulsioneve janë
Dridhje
Humbje të ndërgjegjes për pak sekonda
Ndalon frymëmarrja për 10-15 sekonda
Fëmija bëhet në ngjyrë blu
Humbet kontrollin ndaj urinimit dhe feçes
Sytë rrotullohen sipër
Para dhe pas krizës ndërgjegja dhe funksionet neurologjike janë normale, pra, nga ana fiziologjike temperatura shkakton një reaksion të organizmit dhe faza më ekstreme në një përqindje të vogël të rasteve është konvulsioni.

SHKAQET

Shkaktarët mendohet se janë disa substanca, toksina e thënë ndryshe, që çlirohen në gjak nga temperatura e lartë. Në këtë situatë ndikon edhe predispozicioni familjar ose dhe rënia e sheqerit në gjak për arsye të ndryshme dhe është vënë re dhe hipokalcemia, rënia e nivelit të kalciumit për shkak të mungesës së vitaminës D, mund ta predispozojë fëmijën ndaj konvulsioneve.
Edhe toksinat e viruseve gjithashtu shërbejnë si një shpërthyes të konvulsionit.

DIAGNOZA

Nëse përsëriten konvulsionet atëherë kërkohen disa analiza më të thelluara për të përjashtuar ndonjë infeksion të cipave të trurit që është komplikacion i gjendjeve virale, kryesisht.

TRAJTIMI

Trajtimi konsiston në monitorimin e temperaturës. Prindi duhet ti vendosë kompresa, kjo është mënyra më e thjeshtë për të qetësuar temperaturën, përveç qetësuesve që janë më të zakonshmit, grupi i paracetamolit dhe i ibuprofenit. Pra, prindi duhet ti vendosë kompresa me ujë në temperaturën e ambientit, mund ta nxjerrë fëmijën në ajër të pastër, dhe në rastin kur ka nisur konvulsioni duhet ti lirojë rrugët e frymëmarrjes, ta kthejë kokën mënjanë dhe kjo krizë do të kalojë.
Është e frikshme por nuk është e nevojshme ti bëjmë ngacmime të tjera në këtë moment. Ajo zgjat disa sekonda dhe e rëndësishme është që fëmija të jetë i ajrosur. Kjo është ajo çfarë mund të bëjë në këtë moment.
Në momentin kur e shohim që fëmija ka temperaturë, supostet, paracetamol ose ibuprofen kanë një veprim shumë të shpejtë, thithen për 2-3 minuta në zorrën e trashë dhe është njëlloj sikur injekton në venë një qetësues të temperaturës.
Shpesh nënat neglizhojnë duke thënë që nuk i pranon fëmija supostet, duhet gjetur një mënyrë për ta bindur fëmijën që kjo shërben pastaj për të parandaluar këtë krizë konvulsive që thamë.

Nëse ka afër një ambulancë i aplikohet diazepam me shiringë në zorrën e trashë, qoftë dhe një personel mjekësor që mund të ndodhet aty afër, mund ti aplikojë këtë në mënyrë që të qetësohet kriza konvulsive.

PASI KALON KRIZA

Pasi të jetë qetësuar duhet të dërgohet për vizitë në urgjencë, ose mjeku i patronazhit për të bërë vlerësimin e gjendjes dhe mjekimin e mëtejshëm të asaj që e shkaktoi, siç e thamë më lartë, një infeksion që është më i zakonshmi. Një infeksion viral, mikrobik apo dhe një sëmundje më e rrallë, më e pazakonte siç mund të ishte një meningit.

PARANDALIMI

Për të parandaluar krizën duhet që në farmacinë e vogël të shtëpisë që ka çdo prind duhet të ketë një termometër në radhë të parë. Termometri në sqetull është metoda klasike.
Për ta parandaluar duhet ti japin lëngje fëmijës, lëng portokalli sepse femija dehidratohet, humbet lëngje nga temperatura e lartë dhe për të neutralizuar toksinat është dhënia e ujit, trisolit, një nga përbërësit që të jetë prezent në farmacinë e vogl të familjes, paracetamoli dhe më tepër për të parandaluar janë dhënia e lëngjeve të freskëta, ujit, çajit, lëng portokalli etj.

Për më tepër mund të ndiqni videon më poshtë të pediatres: