Kategorite

Me te lexuarat

Dalje e dhëmbëve të qumështit, kujdesi që duhet të kemi për fëmijën

dhembe femije

Zhvillimi dhe dalja e dhëmbëve ndryshon nga njëri fëmijë në tjetrin. Kjo pasqyron pjekurinë skeletore dhe moshën kockore.
Dhëmbi i parë fillon të dalë aty rreth 3-6 muajsh. Të parët dalin dhëmbët prerës në nofullën e poshtme, sepse ajo është më e lëvizshme. Pas dy tre muajsh dalin ato të nofulla së sipërme.

Dhëmbët e qumështit janë gjithsej 20. Më pas dalin dhëmballët 12-16 muajsh. Në moshën 16-20 muajsh dalin dhëmbët kaninë (ose të qenit, quhen kështu sepse veprojnë si copëtues të ushqimeve). Dhëmballët e dyta rreth moshës 30 muajsh. Këtu përfundon dalja e dhëmbëve të qumështit, të cilat ndërrohen, bien nga mosha 6 -12 vjeç.

Dalja e dhëmbë e të përhershëm fillon me të njëjtën radhë si ato të qumështit. Por kalçifikimi i tyre fillon herët, që në lindje. Prandaj ka rëndësi ushqyerja e balancuar me proteina, mikro-elemente dhe vitamina , kryesisht A dhe D.

Kjo fazë shoqërohet me shqetësime kalimtare, fiziologjike, me grindje, majisje të mishrave të dhëmbëve.

Shpesh nënat pyesin për temperaturën, diarrenë, duke e dhënë vetë përgjigjen: e ka nga dhëmbët.

Në fakt kjo nuk ka një bazë shkencore. Por, fëmijët që kanë vështirësi në daljen e dhëmbëve, futin në gojë gishtat, lodra, sende të ndotura dhe infektohen.

Kështu shpjegohet një temperaturë ose diarre, e cila kërkon trajtim sipas simptomave.

Mund të përdorim një qetësues të lehtë shurupi Ibuprofen ose paracetamol për të qetësuar dhimbjen, ose grindje e fëmijës. Edhe trajtimi lokal me xhel qetësues është një mundësi e mirë kundër majisjes së mishrave të dhëmbëve.

Dalja e dhëmbëve të përhershëm fillon nga mosha 6-7 vjeç dhe përfundon rreth moshës 18 vjeç , atëherë kur del dhëmbi i syrit. Në disa raste kjo mund të ndodhë edhe në moshën 25 vjeç.

Ndryshe nga dhëmbët e qumështit, dhëmbët e përhershëm janë 28, duke vazhduar edhe me molarët e tretë ( dhëmballët e pjekurisë) bëhen gjithsej 32.

Kjo fazë e rritjes shoqërohet edhe me daljen e para-dhëmballëve, gjithsej 8 ( premolarët e parë dhe të dytë), nga mosha 12-14 vjeç.
Modifikimet që ndodhin në nofulla mund të shoqërohen me disa shqetësime, që në fakt janë fiziologjike.

Higjiena e mirë e gojës ju mësohet fëmijëve që në moshën 1 vjeç.
Shumë e rëndësishme është ushqyerja me produktet e bulmetit dhe minimizimi i fast food-eve, të cilat rritin aciditetin dhe prishjen e shpejtë të dhëmbëve.

Nëse prishet radha e daljes së dhëmbëve , kjo nuk përbën ndonjë shenjë për tu shqetësuar. Nëse shoqërohet me ankesa të tjera si psh, djersë, anoreksia, lodhje, temperaturë subfebrile, etj mund t’ia referoni mjekut tuaj pediatër për të vazhduar më tej me disa analiza të gjakut rutinë.

Në raste të rralla mund të jetë shkak i vështirësisë së daljes së dhëmbë e, deficiti i vitaminës D, çrregullime e lindura të metabolizmit, keqthithjes së ushqimit në zorrë, të cilat duhen evidentuar në kohë dhe të marrin trajtimet përkatëse.

Artikull nga dr. pediatre Zerina Sheme