U konfirmua prezenca në Shqipëri, çfarë duhet të dimë për variantin britanik
Share This Article
Varianti britanik është një nga tre variantet e SARS-CoV-2 që është përhapur tashmë në 70 vende të botës e zyrtarisht prezenca e saj në Shqipëri u konfirmua më 11 mars 2021, një vit pasi OBSH e shpalli koronavirusin pandemi.
Nëse nga njëra anë disa mutacione duken “pak domethënëse”, nga ana tjetër ka mutacione që kanë rëndësi në nivelin shëndetësor e një prej këtyre të fundit është dhe ai që njihet si varianti britanik.
ÇFARË ËSHTË VARIANTI BRITANIK
Varianti britanik ka marrë këtë emër pasi në Britaninë e Madhe u izolua për herë të parë dhe nga vetë ky shtet mori emrin SARS-CoV-2 VOC 202012/01 (Variant of Concern, viti 2020, muaji 12, varianti 01), por njihet edhe si B.1.1.7 apo VOC B.1.1.7.
Në këtë variant është një mutacion që prek proteinën virale të quajtur “spike”, apo proteinën që i jep mundësi virusit të “sulmojë” qelizën pritëse.
Çfarë dimë për të deri sot?
Varianti u zbulua për herë të parë në shtator të 2020 në Mbretërinë e Bashkuar që ia komunikoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë më dhjetor të 2020.
Fillimisht, varianti u shfaq në pjesën juglindore të Anglisë e në pak javë zëvendësoi linjën virale që qarkullonte deri në atë moment në këtë zonë gjeografike, përfshi dhe Londrën.
Menjëherë pas Krishtlindjeve, më 26 dhjetor 2020 e m pas, varianti SARS-CoV-2 VOC 202012/01 është identifikuar në të gjithë territorin nga marrja e mostrave rutinë dhe testet e kryera në pjesë të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar.
PSE ËSHTË VARIANT SHQETËSUES?
Nga të gjitha studimet e kryera deri tani del se varianti britanik i COVID-19 ka një transmetueshmëri më të lartë.
Përveç kësaj, gjithashtu mendohet se është një variant që shkakton sëmundshmëri më të rëndë se variantet e tjera qarkulluese. Në veçanti, në bazë të disa studimeve paraprake të bëra në Mbretërinë e Bashkuar, grupi që merret me kërcënimet e viruseve të reja respiratore, NERVTAG, që ofron konsulencë për qeverinë britanike në këtë fushë, ka konfirmuar se është e mundur që infeksioni nga VOC B.1.1.7 shoqërohet me një rrezik në rritje të shtrimeve në spital dhe ecuri negative të patologjisë krahasuar me infeksionin e shkaktuar nga virusi që nuk ka pësuar mutacion. Por për të konfirmuar këtë nevojiten studime të tjera të cilat janë në punë e sipër.
Pra, duke e përmbledhur, varianti britanik është më shqetësues si për rritjen e transmetueshmërisë ashtu dhe për aftësinë e supozuar për një sëmundshmëri më të rëndë.
VARIANTI BRITANIK DHE FEMIJET
Por a është e vërtetë që varianti britanik prek sidomos fëmijët?
Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, për momentin nuk ka të dhëna që të konfirmojnë se varianti britanik mund të prekë më shumë popullatën e moshës pediatrike.
Ajo që tashmë është e sigurtë është që varianti britanik ka transmetueshmëri më të madhe, dhe ka një rritje të infektimit në të gjitha fashat e moshës, pra dhe fëmijët.
Megjithatë për këtë moshë studimet janë ende duke u zhvilluar.
SI TË MBROHEMI?
Masat për tu mbrojtur janë të njëjtat për çdo variant: Maskat, distanca fizike dhe higjienizimi i duarve.
E pazëvendësueshme gjithashtu dhe respektimi i të gjitha masave që janë aktualisht në fuqi.
MJEKIMET DHE VAKSINAT
Ndryshe nga sa hidhen hipoteza për variantet e tjera, për momentin në bazë të të dhënave të disponueshme, ai britanik duket se nuk ndikon në efikasitetin e vaksinës.
Përsa i përket ilaçeve të përdorura për të trajtuar sëmundjen që shpërthen nga infeksioni, të dhënat e disponueshme për fat të keq nuk japin përgjigje të sigurta. Situata është ende në evoluim dhe fazë studimi./ MeMjekun.com
Burimi referues: ECDC- Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve