Kategorite

Me te lexuarat

Sifilizi tek meshkujt dhe femrat, simptomat dhe trajtimi

sifilizi

Sifilizi është një sëmundje seksualisht e transmetueshme e shkaktuar nga bakteri Treponema pallidum. Ai prek meshkujt e femrat në zona të ndryshme të trupit si zona gjenitale, buzë, gojë e anus.
Në përgjithësi transmetimi bëhet përmes raportit seksual me pacientin e infektuar, por infektimi mund të ndodh dhe nga nëna te fetusi gjatë shtatzënisë.
Faza fillestare e sifilizit karakterizohet nga shfaqja e një ulcerate të padhembshme (sifiloma) dhe një zmadhim të nyjës limfatike më të afërt. Nëse nuk trajtohet shkakton skuqje të lëkurës pa kruarje, shpesh në duar dhe këmbë.

Në shumë raste sëmundja mund të kalojë pa u vënë re për vite, pasi simptomat luhaten me kalimin e kohës dhe mund të zhduken dhe për periudha të gjata.
Ulceratet e shkaktuara nga sifilizi e bëjnë gjithashtu më të lehtë transmetimin e virusit HIV, gjatë raportit seksual, qoftë për tu infektuar apo për të infektuar të tjerë.

Në rastet e shtatzënisë sifilizi mund të shkaktojë keqformime, probleme të ndryshme të shëndetit dhe abort.

Prognoza e sifilizit është e mirë në përgjithësi pasi kurohet lehtë me antibiotike, sidomos nëse kapet në kohë. Parandalimi është i mundur duke shmangur marrëdhëniet e rastësishme seksuale dhe duke përdorur prezervativ, dhe pse rreziku nuk shuhet tërësisht.

INFEKTIMI

Sifilizi shkaktohet nga bakteri Treponema pallidum, që nga ana vizive në mikroskop shfaqet si një spirale e vogël. Në përgjithësi infeksioni transmetohet përmes raporteve seksuale:
Sifilizi është ngjitës në fazat primare dhe sekondare, dhe ndonjëherë në fillim të periudhës latente dhe bakteret penetrojnë në trup përmes lëndimeve apo prerjeve të vogla të lëkurës apo përmes mukozës.

Më pak përhapet përmes një kontakti të ngushtë direkt me një lezion aktiv si për shembull gjatë një puthjeje apo nga një nënë e infektuar tek fetusi gjatë shtatzënisë apo momenti i lindjes (sifilizi i lindur).

Sifilizi nuk mund të jetë ngjitës përmes shkëmbimit të veshjeve, në pishina, sauna apo tualete.

Kur sëmundja kurohet, nuk kthehet më, por nuk përjashtohet mundësia e riinfektimit nëse keni kontakt me person të prekur. Me fjalë të tjera pra, nuk fiton imunitet.
Rreziku i transmetimit është të paktën 30% në rastin e një raporti të vetëm me një të prekur me sifiliz primar, ndërsa rreziku i transmetimit nënë-fetus është 60-80%.

SIMPTOMAT

Sifilizi në stadin fillestar nuk shkakton asnjë simptomë. Nëse infeksioni nuk kurohet mund të përparojë duke infektuar të gjithë trupin.

Evolon përgjithësisht përmes tre stadeve, secili karakterizuar nga simptoma të ndryshme.

Sifilizi primar
Simptomat e fazës së parë të infeksionit shfaqen zakonisht 21 ditë nga raporti seksual me personin e infektuar (periudha e inkubacionit), por kjo mund të variojë nga 10 në 90 ditë; një plagë e kuqe pa dhimbje e quajtur sifiloma fillestare mund të shfaqet në organet gjenitale, zona ku ndodhet infeksioni.

Më rrallë mund të shfaqen ulceracione, por në përgjithësi sifiloma është një dhe në formë rrumbullake dhe shfaqet në pikën e hyrjes së bakterit në organizëm, prandaj pra në nivelin gjenital dhe mund të kalojë pa u vënë re. Kohëzgjatja është rreth 3-6 javë, por në këtë rast infeksioni mund të kalojë në formën sekondare.

Sifilizi sekondar
Stadi i dytë nis zakonisht pas javësh e muajsh nga shfaqja e sifilizit fillestar. Bakteret e sifilizit hyjnë në gjak e përhapen në të gjithë trupin, duke shkaktuar simptoma të ndryshme që mund të jenë skuqje kalimtare me natyrë kongjestive, (pika të vogla të kuqe), ethe, dhimbje koke, mungesë oreksi, humbje peshe, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, dhimbje kyçesh, lodhje e përgjithshme, zmadhim i nyjeve limfatike, alopecia (humbja e flokëve). Nuk shfaqet kruarje.

Skuqja e sifilizit sekondar mund të shfaqet në pëllëmbët e duarve ose shputat e këmbëve, krahë apo këmbë. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për njolla të kuqe të rrumbullakta. Njolla të lëkurës në ngjyrë gri apo të bardhë njësoj si lythat të quajtura sifiloderma, mund të shfaqen në zonat e lagështa si përreth gojës, anusit apo vaginës. Këto lezione janë plot me baktere dhe shumë ngjitëse. Në fazën e dytë sifilizi mund të prekë edhe mëlçinë, veshkat, sytë apo të shkaktojë dhe meningjit.

Simptomat e sifilizit sekondar zhduken në mënyrë spontante pas pak javësh, por pavarësisht këtij shërimi të dukshëm, nëse nuk trajtohet infeksioni mund të kalojë në fazën e tretë.

Faza latente

Faza latente (e fshehur) e sifilizit është emri që merr nga një periudhë kohe që nuk ka shenja apo simptoma të dukshme, por që pa u trajtuar personi i infektuar do të vijojë të jetë ngjitës. Kjo fazë mund të zgjasë dhe disa vite para se të kalojë në formën terciare.

Sifilizi terciar
Simptomat e fazës së tretë mund të shfaqen dhe me 10-30 vite distancë, por mund të bëhen fatale. Infeksioni mund të prke shumë organe mes të cilave trurin, nervat, sytë, zemrën, enët e gjakut, mëlçinë, kockat dhe kyçet.

ANALIZAT DHE DIAGNOZA

Metoda e përzgjedhjes për diagnozën e sifilizit është njohja mikroskopike e bakterit Treponema Pallidum, por bëhet fjalë për një teknikë shumë pak të përhapur, pasi zakonisht preferohet ti besohet analizës së gjakut.

Këto analiza klasifikohen në analiza treponemale dhe jo treponemale.

Aktualisht kërkohen të dyja, kombinimi i të cilave jep rezultate të mira të ndjeshmërisë dhe specifikës. Analizat jo treponemale si VDRL, janë të thjeshta, pak të kushtueshme dhe praktike dhe kur përdoren për qëllim screening; e keqja e tyre është se mund të japen dhe rezultate false pozitive, (pra rezultat pozitiv në mungesë të sëmundjes), dhe nuk japin kështu një diagnozë definitive.

Për këtë bëhet edhe analiza treponemale, si për shembull TPHA, apo FTA-ABS, që kërkon antitrupat specifike në gjak për bakterin përgjegjës për sifilizin. Kjo sekuencë analizash konsiderohet si algoritmi i diagnozës përzgjedhëse.

Vihet re se antitrupat treponemalë shfaqen para antitrupave jo treponemalë dhe zakonisht mbeten të zbulueshëm gjatë gjithë jetës, edhe pas trajtimit që ka patur sukses. Nëse për screening përdoret një analizë treponemale dhe rezultatet janë pozitive, është e nevojshme të bëhet një analizë jo-treponemale për të konfirmuar diagnozën. Në bazë të rezultateve mud të kërkohen të tjera analiza treponemale.

VDRL dhe TPHA negative: Përjashtohet mundësia e infektimit.

VDRL pozitive dhe TPHA negative: në pjesën më të madhe të rasteve është tregues i një falsi pozitiv.

VDRL negative, TPHA pozitive: Bëhet fjalë për një rast të sifilizit të trajtuar me sukses në të shkuarën. Duhet të kujtojmë se analizat treponemale mbeten pozitive për të gjithë jetën edhe pas shërimit.

VDRL pozitive dhe TPHA pozitive: Diagnoza e sifilizit

TRAJTIMI DHE SHËRIMI

Një mjek mund të diagnostikojë sifilizin përmes një vizite mjekësore dhe analizave specifike të gjakut; trajtimi konsiston në marrjen e antibiotikëve, dhe është më efikas sa më herët që të kapet.

Skemat trajtuese ndryshojnë nga shaklla ku ndodhet infeksioni në momentin e diagnozës, por në përfundim të trajtimit të gjithë pacientët i nënshtrohen kontrolleve periodike për të paktën një vit.

Përveç trajtimit me ilaçe, pacienti nuk duhet të ketë marrëdhënie seksuale derisa të verifikohet që është i shëruar plotësisht nga lezionet e shkaktuara nga infeksioni. /MeMjekun.com

 

Shënim: Informacionet e publikuara në portalin memjekun.com kanë vetëm qëllim informues dhe në asnjë rast të zëvendësojë përcaktimin e diagnozës, përshkrimin e trajtimit apo raportin direkt mjek-pacient dhe vizitën te specialisti. Gjithmonë rekomandohet t’i drejtoheni mjekut apo specialistit për çdo shqetësim që të keni.